Kolegji Zgjedhor pranë Gjykatës së Tiranës ka shtyrë për në datë 25 gusht shqyrtimin e padisë që Adriatik Lapaj ka bërë ndaj KAS dhe KQZ, duke kërkuar ai mandatin e deputetit nga koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet”.
Seanca e 25 gushtit do të mbahet në orën 10:00. Shkak i shtyrjes së seancës u bë mungesa e dy gjyqtareve për shkak të lejes vjetore.
Kreu i subjektit politik, Adriatik Lapaj, bëri ankimimin e tij më 4 gusht, duke e depozituar pranë Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë, ku ndodhet edhe Kolegji Zgjedhor. Ai nuk heq dorë nga mandati i deputetit që pretendon se e ka fituar në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, për qarkun e Tiranës, duke ankimuar vendimet e KQZ dhe të KAS-it nëpërmjet padisë.
Pak ditë më parë KAS dhe KQZ e rrëzuan, jo vetëm duke e lënë pa mandat deputeti Lapajn, por edhe duke ia hequr mandatin vajzës së tezes së tij, Kleana Xhuvelit dhe duke ia kaluar Ana Dajkos.
Lapaj kërkon që të njihet si fitues i listës së hapur me votat preferenciale të qytetarëve për qarkun e Tiranës. Gjithashtu kërkon mosnjohjen si të vlefshme të revokimit të dorëheqjeve më 15 dhe 17 korrik nga Zeqir Kordhoni, daja i Endri Shabanit që pretendoi i pari se firma e dorëheqjes së tij duhej verifikuar pasi nuk mbante mend dhe të kushërirës së Lapajt, Kleana Xhuveli, të cilën KQZ e shpalli fituese.
KAS më 30 korrik vendosi që mandati i vetëm i fituar nga NSHB në qarkun Tiranë t’i kalonte të parës së listës së mbyllur, Ana Dajko.
Sipas KAS-it, u rrëzua vendimi i Celibashit (23 korrik) që i kishte dhënë një mandat Kleana Xhuvelit, e renditur e 4-ta në listën e mbyllur të subjektit, dhe e ktheu mandatin tek e para në këtë listë, Ana Dajko.
Komente

I takon pa medyshje Ana DJkos si e para ne liste.
Përgjigju