Juventus humbi dje 1-0 me Romën në 'Olimpico' për javën e 25-të në Serie A. Në një përballje shumë të luftuar, vendosi goli i Mancinit në minutën e 53 të ndeshjes. "Zonja" e Allegrit tanimë duhet të mendojë edhe për rinovimet e lojtarëve, me francezin Adrien Rabiot që nuk e ka vendosur të ardhmen.
Në një bisedë pas duelit, Rabiot ka theksuar se zona Champions është vendimtare për të sa i takon vendimit për të ardhmen, teksa nuk ka negociuar ende me bardhezinjtë.
“Dua të luaj në Champions League, kjo do jetë vendimtare për vendimin tim për të ardhmen e karrierës sime. Nuk ka bisedime me Juventusin, por ne kemi kohë të negociojmë. Nuk ka ndonjë të re për këtë çështje“, tha Rabiot.
Me kontratë deri në verë e këtij viti, 27-vjeçari prej 2019 është pjesë e Juventus dhe vlen 25 milionë euro në treg.