Policia daneze pranë Aeroportit të Kopenhagenit

Bota

Dronë pranë pistave, mbyllen për orë të tëra aeroportet në Kopenhagen dhe Oslo, 100 fluturime të anuluara dhe devijuara! Zelensky: Ishin rusët

23 Shtator, 07:01| Përditesimi: 23 Shtator, 14:20

  • Share

Dhjetëra fluturime u anuluan dhe devijuan në Europën Veriore për shkak të mbylljes së aeroporteve të Kopenhagës, në Danimarkë, dhe Oslos në Norvegji, pas pranisë të dronëve pranë pistave të ngritjes dhe uljes. Fillimisht ishte aeroporti danez që ndërpreu operacionet nga ora 20:26 deri në 00:40 për shkak të pranisë së "dronëve të mëdhenj" në zonë. Pak para mesnatës, probleme pati edhe në Oslo: sipas komunikimeve të kullës së kontrollit, vendimi për të pezulluar aktivitetet u mor për shkak të "vëzhgimeve me dronë".

Sipas njoftimit të shpërndarë nga Eurocontrol, agjencia evropiane që koordinon fluturimet në Europë, ndalimi i uljeve dhe ngritjeve në Kopenhagë ishte parashikuar të zgjaste deri në orën 9 të mëngjesit të 23 shtatorit. Megjithatë, gjatë natës u vendos rihapja. Avionëve të devijuar iu kërkua të konsideronin si alternativa aeroportet e Oslos (para mbylljes), Stokholmit, Berlinit.

Faqja e gjurmimit të lëvizjeve Flightradar24 llogariti se në mesnatë, të paktën 50 fluturime të destinuara për në kryeqytetin danez u detyruan të uleshin diku tjetër, ndërsa 50 të tjera u anuluan. Disa avionë u devijuan gjithashtu drejt Malmö, Göteborg, Billund dhe Aarhus. Policia daneze, në rrjetet sociale, njoftoi se në zonën përreth aeroportit të Kopenhagës ishin vërejtur "dy ose tre dronë të mëdhenj", pa sqaruar nëse bëhej fjalë për shkelje të qëllimshme apo të paqëllimshme të hapësirës.

Dronët nuk u rrëzuan nga autoritetet, por u larguan vetë nga zona dhe "nuk dimë ku kanë shkuar". Kështu deklaroi, gjatë një konference për shtyp, nëninspektori i policisë Jakob Hansen. "Ne po përpiqemi të zbulojmë – shtoi ai – çfarë lloj dronësh ishin pranë aeroportit dhe nga ku kanë ardhur". "Do të zbatohen masa të ndryshme", shtoi më tej, pa dhënë detaje mbi to.

Ndërsa në Danimarkë u vendos rihapja e parakohshme e aeroportit, në Norvegji pamja e të paktën një droni çoi në ndërprerjen e operimit në Oslo, tashmë i rifilluar. Nuk dihet ende nëse dy ngjarjet janë të lidhura. Më shumë pritet të dihet në orët në vijim, edhe pse presidenti ukrainas Zelensky e sheh qartë dorën ruse: "Nëse nuk do të ketë një përgjigje të vendosur nga aleatët – si shtete ashtu edhe institucione – ndaj provokimeve, Rusia do të vazhdojë të kryejë këto shkelje", paralajmëroi ai me një postim në X.

Një nga çështjet për t’u sqaruar, nëse më pas do të konfirmohet prania e dronëve edhe brenda perimetrit të aeroportit, është se si ka qenë e mundur që ata të kenë "shkelur" një zonë që zakonisht është e ndaluar: pothuajse të gjithë prodhuesit e pajisin dronin me funksione që i ndalojnë të futen në zona të ndjeshme si aeroportet.

Në janar 2019, prania e një droni çoi në mbylljen për më shumë se një orë të aeroportit të Londrës, Heathrow, më i frekuentuari në Europë. Në dhjetor 2018, prania për dy ditë radhazi i këtyre objekteve fluturuese, gjithnjë e më të pranishëm, detyroi të ndaleshin operacionet edhe në aeroportin tjetër londinez, Gatwick: qindra fluturime u anuluan, dhjetëra mijëra pasagjerë u prekën dhe kompanitë ajrore pësuan miliona euro humbje./Corriere della sera

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Goni: 23/09/2025 10:42

    Kto i ben zelenski vet me fut europen ne konflikt me rusin

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Qeveria e re nis punën, besoni se do përmbushë pritshmëritë e qytetarëve?