Aeroporti i Kukësit

Opinion

Aeroporti i Kukësit si aeroport rajonal

9 Korrik 2021, 10:05| Përditesimi: 9 Korrik 2021, 10:08

  • Share

Prania e aeroporteve dhe zhvillimi i transportit ajror përmes tyre ka luajtur dhe vazhdon të luajë një rol parësor në zhvillimin e qyteteve. Zhvillimi i aeroporteve dhe zonave përreth tyre, me ngritjen e restoranteve, hoteleve, parkingjeve apo edhe zyrave të bizneseve të ndryshme, do të rritë vlerën e përdorimit të tokës në ato zona. Pra, është mëse e kuptueshme se, zhvillimi i zonave përreth aeroportit, shkon përtej zhvillimit të aktiviteteve të transportit ajror.

Prania e një aeroporti dhe zhvillimi i aktiviteteve të transportit ajror shërben për përmirësimin e imazhit të qytetit ku ai ndodhet, duke i dhënë kështu një mbështetje të madhe edhe zhvillimit të turizmit.

Në shumë vende të përparuara të BE-së, zhvillimi i zonave përreth aeroporteve, lidhet ngushtë edhe me politikat shtetërore, sidomos përsa i përket fluksit të investimeve publike në këto zona. Duke e parë në këtë këndvështrim, prezenca e aeroportit në një qytet, nuk mund të shikohet më vetëm si një vend ku transportohen pasagjerë dhe mallra, por ato përfaqësojnë edhe pikënisjen për zhvillimin urban të zonës.

Duke qenë se tashmë aeroporti i Kukësit është plotësisht operacional, dhe shumë shpejt prej andej do të fillojnë fluturimet për pasagjerë “low cost” në destinacione të ndryshme, është me vend të themi se duhet të mbështetim me projekte edhe zhvillimin e zonës përreth tij.

Në disa studime ndërkombëtare, që kam patur rastin të kaloj nëpër duar, citohet fakti se, tashmë transporti ajror u shërben më shumë se 5 miliardë  pasagjerëve në vit dhe transporton 0.5% të sasisë totale të mallrave, por që e konvertuar në vlerë, përbën 35% të të gjithë vlerës së mallrave. Për këtë arsye, përveç nismës tejet nxitëse për fluturimet me çmime të lira nga aeroporti i Kukësit, një nismë tjetër po kaq e mirë do të ishte edhe nxitja e fluturimeve “cargo”, duke mbëshetur kështu edhe krijimin e një “HUB” për transportin e mallrave jo vetëm për zonën e Kukësit, por edhe për rajonin, duke përfshirë edhe Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut. Një gjë e tillë do të sillte një ndikim të drejtpërdrejtë edhe në zhvillimin e zonës përreth aeroportit. Gjithashtu duhet thënë se, deri më tani, fluturimet “cargo” përmes aeroportit “Nënë Tereza” janë në nivele të ulëta.

Po kështu, fakti se aeroportet me trafik nga 1 deri në 5 milion pasagjerë në vit konsiderohen si aeroporte rajonale, nuk i krijon aeroportit të Kukësit aspak disfavor në krahasim me aeroportin “Nënë Tereza”, përkundrazi çmimet më të favorshme për operime nga aeroporti i Kukësit, do të jenë një shtysë e mirë për zgjerimin e këtyre të fundit. 

Nga pyetësorët e shumtë që realizohen me pasagjerë nëpër aeroporte kudo në botë, është vënë re se një nga faktorët që ndikon më së shumti në përzgjedhjen e një fluturimi të caktuar, është koha e shërbimit dhe pritjes në aeroport. Ky element, po kështu, përbën një avantazh dhe duhet marrë në konsideratë për operimet nga aeroporti i Kukësit. Fakti se ky aeroport ka dhe do të ketë, edhe për një kohë të caktuar, numër më të ulët operimesh, mund të shërbejë dhe si një faktor zhvillimi për aktivitetet e “Aviacionit të Përgjithshëm”, fluturimet turistike, fluturimet sportive apo edhe për ngritjen e shkollave të para për fluturimet civile në vendin tonë.

Të gjithë elementet që përmenda më lart, mund të shërbejnë si një premisë për një zhvillim cilësor të transportit ajror nga aeroporti i Kukësit, duke siguruar kushte për zgjerimin e tregut ajror të pasagjerëve dhe të mallrave si dhe duke pasur parasysh këta faktorë:

sigurimin e një shërbimi efektiv për çdo operator ajror të ofruar;

sigurimin e kushteve për zhvillimin e një aeroporti rajonal;

rritjen e konkurrencës në ofrimin e shërbimeve të transportit ajror;

rritjen e kapacitetit të shërbimeve të transportit ajror në vendin tonë.

Mbi të gjitha, këta faktorë duhet t’i paraprijnë zhvillimit të transportit “cargo” (mallrave) në vitet që do vijnë, duke krijuar mundësinë për zhvillimin e tregtisë dhe infrastrukturës mbështetëse për këtë qëllim dhe duke vënë në përdorim avionë me kapacitet mesatar për transport “cargo”.

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?