Regan Merdani dhe Arben Dervishaj

Afera me inceneratorin e Fierit, Apeli i GJKKO lë në fuqi arrestin në qeli për Arben Dervishajn, Regan Merdanin e Enver Shehin

29 Dhjetor 2022, 12:40| Përditesimi: 29 Dhjetor 2022, 14:38

  • Share

Apeli i Posaçëm Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në fuqi masën e sigurimit arrest me burg caktuar nga Shkalla e Parë për Arben Dervishajn, biznesmeni që mbikëqyrte punimet i inceneratorit të Fierit ndërsa akuzohet se paraqiste raporte fiktive në ministritë e linjës. Dervishaj kishte Apeluar masën e GJKKO duke kërkuar ndryshimi e saj, kërkesë që u rrëzua këtë të enjte në Apel. E njëjta masë është lënë në fuqi edhe për Regan Merdanin dhe Enver Sheshin.

Prokuroria Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, përfundoi disa javë më parë hetimet në lidhje me megaaferën e djegësit të Fierit, dhe dërgoi në gjykatë dosjen e me 21 të pandehur, mes tyre Lefter Kokën, ish-deputetin Alqi Bllako, Arben Dervishaj etj. Organi i akuzës specifikon skemën e abuzimit dhe veprat penale për emrat e përfshirë, mes të cilëve rezulton edhe Klodian Zoto, Arjola Kodra dhe italiani Giuseppe Ciaffaglione, dy të fundit ish-administrator të djegësit të Tiranës.

Regan Merdani dhe Enver Sheshi, janë të akuzuar për veprën penale “Krijimi i skemave mashtruese në lidhje me tatimin mbi vlerën e shtuar”.

Report Tv siguroi dosjen e plotë të SPAK, për 11 urdhër-arrestet në lidhje me inceneratorin e Fierit. SPAK konsideroi se të 11 të akuzuarit, 5 prej të cilëve të arrestuar, ekziston rreziku i ikjes pasi mund të dënohen nga veprat penale për të cilët dyshohen, dhe për këtë arsye argumentohet caktimi i arrestit me burg për ta.

Alqi Bllako, në cilësinë e Sekretari të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit favorizoi kompaninë për inceneratorin e Fierit dhe për këtë Giuseppe Ciaffaglione dhe Arjola Kodra, të dy administratorë në kohë të ndryshme të inceneratorit të Tiranës, në paligjshmëri paraqitën si të punësuar babain e tij, Edmond Bllako, duke bërë pagesa fiktive që kapin vlerën në total të rreth 15 milionë lekëve të reja, ose ndryshe të 6 mijë eurove pagesa çdo muaj.

Arben Dervishaj, në kohën që ishte mbikëqyrës i punimeve tek inceneratori i Fierit, miratoi dhe pasqyroi në shtet situacione, shërbime dhe pajisje që nuk janë realizuar, për të justifikuar pagesat e kryera nga institucionet shtetërore që kapin vlerën e 4 milionë eurove. Për të kryer këtë shërbim ndaj përfituesve të aksionerëve të inceneratorëve, Dervishaj ka udhëtuar disa herë jashtë vendit me të gjitha faturat e paguara nga Klodian Zoto. Herën e parë në 2017-ën për të parë ndeshjen Juventus-Barcelona në Torino, më pas me të bijën në Tel Aviv dhe për herë të tretë në 2019-ën po në Torino për ndeshjen Juventus-Ajax. Në këtë ndeshje, Dervishaj nuk ishte i vetëm, teksa shkoi nën shoqërinë e Klodian Zotos dhe Alqi Bllakos. Zoto, vetëm për ndeshjen, për të tre pagoi 5040 Euro.

Aksioneri kryesor i inceneratorit të Fierit pagoi edhe udhëtimin në Itali dhe qëndrimin në hotel të anëtares së komisionit të dhënies së koncesionit, Etleva Kondi, e cila në 2016-ën shkoi me vajzën në Romë. Ajo qëndoi në të njëjtin hotel me Mirel Mërtirin dhe administratorin e inceneratorit, Arenc Myrtezanin, me të cilët u kthye në Tiranë me të njëjtin fluturim. Vetëm për Kondin, Klodian Zoto pagoi 842,74 në hotel.

Ndërkohë, transaksionet e inceneratorit të Fierit me kompanitë  "Pivot 04"sh.p.k, "Sili" sh.pk, "JPY" sh.pk, janë fiktive dhe se ato janë krijuar posaçërisht për t'u përdorur për të mbuluar natyrën e vertetë të kryerjes së këtyre transaksioneve. "Silish.pk, dhe "IP.Y" sh.p.k, kanë deklaruar të njëjtën adresë të selisë së tyre në Durrës. Asnjë prej këtyre shoqërive nuk kanë pasur kapitalin e nevojshëm, punonjësit e nevojshëm të kualifikuar për të kryer punimet sipas faturave tatimore. Punëtorët e regjistruar janë punëmarrës fiktivë, pasi gjatë deklarimit të tyre rezulton se nuk kanë pasur dijeni për këtë fakt dhe nuk njohin personat e tjerë të regjistruar si të punësuar. Ndërkohë, personat që kanë themeluar shoqëritë respektive, Arbër Denizi, Silvester Driza, dhe Juri Ymeraj, kanë lidhje shoqërore me Arbi Kokën, djali e Lefter Koka, po ashtu prej disa muajsh i arrestuar për të njëjtën dosje.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?