TIRANË- Ish-drejtoresha e Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara në Ministrinë e Brendshme, Edlira Naqellari, e arrestuar për korrupsion me tenderin për uniformat e Policisë së Shtetit si dhe e dënuar me një vit burg, është ankuar pranë Gjykatës Kushtetuese për arrestim dhe mbajtje në burg në mënyrë të padrejtë. Në 8 shkurt të vitit 2022, zonja Naqellari i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese, duke i kërkuar rrëzimin e të gjitha vendimeve për arrestimin dhe mbajtjen e saj në izolim. Një muaj më pas, Naqellari doli nga burgu, por vetëm pasi vuajti dënimin për veprën penale të shkeljet së barazisë në tendera.
Konkretisht, Edlira Naqellari ka kërkuar rrëzimin e vendimit të datës 12 korrik 2021, të Gjykatës së Posaçme, e cila ka pranuar kërkesën e SPAK për ta arrestuar dhe lënë me masën arrest me burg. Naqellari ka kërkuar rrëzimin vendimit të 30 korrikut 2021 të Gjykatës së Posaçme të Apelit, e cila la në fuqi vendimin e shkallës së parë. Kërkoi gjithashtu rrëzimin e vendimit të Gjykatës së Lartë të datës 9 nëntor 2021, e cila rrëzoi vendimin e Apelit dhe ktheu çështjen për masën e sigurisë së ish drejtoreshës po në Gjykatën e Apelit, me një tjetër trupë gjykues.
Edlira Naqellari ka pretenduar se gjykatat, në vendimet e tyre, nuk kanë përcaktuar kohëzgjatjen e masës së sigurimit personal, çka sipas saj sjell pavlefshmëri të vendimeve për izolimin e saj në burg. Sipas saj edhe SPAK nuk ka ngritur si pretendim rrezikun e largimit të saj, ky element është shtuar në vendimin e gjykatës. Naqellari ka pohuar se Gjykata e Lartë ka konstatuar se gjykatat e tjera nuk kanë dhënë arsye të mjaftueshme se përse masa e arrestit në burg ishte masa më e përshtatshme në rastin e saj. Megjithatë, Naqellari, ka shtuar se Gjykata e Lartë nuk e ka ndërprerë këtë gjendje paligjshmërie, duke kthyer çështjen në Apel, ndërsa ajo vijonte të qëndronte në burg.
Gjykata Kushtetuese nuk e ka pranuar kërkesën e Edlira Naqellarit me arsyetimin se ish drejtoresha nuk i ka shteruar ende të gjitha shkallët e gjyqësorit, pasi çështja e arrestimit dhe mbajtjes së saj në burg, është aktualisht në Gjykatën e Posaçme të Apelit. “Për sa më lart, në kushtet kur çështja është kthyer për rigjykim dhe procedurat gjyqësore për shqyrtimin e saj nuk kanë përfunduar në gjykatat e juridiksionit të zakonshëm, Kolegji vëren se kërkuesja ka ende mjete ligjore në dispozicion për të paraqitur pretendimet e saj për të drejtat që pretendon se i janë shkelur”, thuhet në vendim.
Megjithatë, Edlira Naqellari e vuajtur dënimin dhe u liruar nga burgu në 10 mars të vitit 2022. Tenderi i uniformave është dhënë në kohën kur ministër i Brendshëm ishte Sandër Lleshaj, ndërsa abuzimi është kallëzuar në SPAK nga ish-deputeti Myslim Murrizi në vitin 2020.
Procedurat e tenderimit nisën që në 2019-ën dhe sipas rregullave dhe ligjeve në fuqi, tenderi duhet të ishte i ndarë në tre pjesë të ndryshme, duke filluar më uniformat, këpucët dhe shpërndarja. Komisioni i Vlerësimit të Ofertave në Ministrinë e Brendshme ka bërë bashkimin e të tre këtyre pjesëve në vetëm një të tillë, çfarë ka çuar deri në rritje të çmimit, ulje të sasisë së materialeve dhe reduktim të cilësisë.
Fituesi i tenderin me vlerë 2.8 miliardë lekë, që ishte bashkimi i 4 operatorëve ekonomik, një kompani shqiptare “D&E shpk” dhe 3 kompanive të huaja “Summer Conf s.r.l”, kompania “Lovers s.r.l” dhe kompania YAKUPOGLU TEKSTIL VE DERI SAN. TIC., kishte mangësi në plotësimin e dokumentacionit, ndërsa janë skualifikuar kompani që kanë ofruar çmime më konkurruese.
Kujtojmë se SPAK mësyu në Ministrinë e Brendshme më 10 korrik 2021, ku u arrestuan ish-drejtoresha e Agjencisë së Blerjeve të Përqendruar Edlira Naqellari bashkë me 8 ish-zyrtarët e tjerë. Dy zyrtarë u kthyen në bashkëpunëtorë të SPAK-ut.
Me sa duket po prifej per ndonje demshperblim, po t'ia kishte nxjerre burgimin gjykata si /te pa drejte/.
PërgjigjuKy eshte dallimi nga jasht Brenda edhe anasjelltas! Te gjithe ne burg Jan te pafajshem e dashur! Mjafton te hysh!
Përgjigju