Sali Berisha

Politikë

Berisha s’paraqitet në SPAK/ Mbron në PPE veten dhe aleatët në hetim: Drejtësi e komanduar nga Rama

7 Prill, 10:47| Përditesimi: 7 Prill, 13:28

  • Share

Ish-kryeministri Sali Berisha nuk është paraqitur në SPAK në zbatim të masës detyrim paraqitjeje, si i pandehur për korrupsion në aferën Partizani. Berisha mori leje nga SPAK për të shkuar në Strasburgu, ku zhvilloi një vizitë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës.

Gjatë fjalës në Grupin e Partive Popullore Europiane, Berisha mbrojti veten dhe aleatët me probleme me ligjin, duke folur për një drejtësi të komanduar nga kryeministri Rama.

“Për të siguruar një mandat të katërt, Edi Rama, i cili erdhi në këtë institucion dhe mbajti një fjalim që kujtonte shumë atë të Hoxhës apo të Gaddafit, vendosi që për mandatin e katërt të arrestojë tre liderë të partive kryesore të opozitës. Ai arrestoi kryetarin e Partisë Demokratike,vendosi në arrest shtëpie për 330 ditë kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha, me akuza të rreme pas një hetimi që zgjati katër vjet.

Por disa muaj më parë, ai arrestoi kreun e partisë së dytë opozitare, Ilir Meta, si person nën hetim. E arrestuan, e keqtrajtuan në rrugë, e tërhoqën zvarrë, e rrahën, pa i treguar asnjë urdhër arresti. I treti, kreu i partisë së tretë opozitare, Fatmir Mediu, ish-ministër i mbrojtjes, ndodhet në një proces penal për një çështje që është gjykuar para 15 vitesh dhe nuk ekziston më asnjë fakt i ri.

Regjimi i merr mandatet opozitës. Edi Rama i mori mandatin dhe arrestoi Fredi Belerin. Aktualisht ai është deputet në Parlamentin Evropian. U arrestua me dëshmi të rreme, dhe ndonëse ishte zgjedhur, nuk iu lejua kurrë të bënte betimin, sepse Rama donte me çdo kusht që Beleri të mos bëhej kryetar i bashkisë së Himarës. Kjo sepse, për interesa mafioze, Edi Rama kishte marrë pjesë në një pronë publike, duke e trajtuar si pronë të tij, ndërkohë që nuk ishte e tillë. Kështu, Belleri kaloi një vit e gjysmë në burg, nuk u lejua të bënte betimin dhe humbi mandatin si kryetar bashkie.

Një deputet i ri, i quajtur Ervin Salianji, pati guximin të publikojë një përgjim nga një gazetare trime, në të cilin tregoheshin faktet që vëllai i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, kërkohej në Itali, sepse ishte dënuar me tetë vite si udhëheqës i një rrjeti trafikimi kokaine në Bolonja, dhe që drejtonte trafikun nga Vlora drejt Italisë. Të nesërmen, ata e transferuan vëllanë e ministrit në Itali, por për pesë vite me radhë bënë gjithçka për të burgosur deputetin Salianji, duke e akuzuar për dëshmi të rreme, ndonëse ai kurrë nuk kishte dorëzuar ndonjë dokument apo provë zyrtare", tha Berisha. 

Ish kryeministri është i pandehur për korrupsion pasiv dhe akuzohet se lejoi një zinxhir të tërë institucionesh që të shkelnin ligjin duke ua kompleksin Partizani ish-pronarëve, ku përfituesi kryesor është dhëndri i tij, i pandehur për korrupsion pasiv dhe pastrim parash.

Në pronat e ish-klubit u ndërtuan të paktën 19 kulla pallatesh, duke u siguruar një fitim miliona euro nga ky biznes që nisi me paligjshmëri.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A e keni të qartë se si duhet të votoni më 11 maj?