TIRANË- Me militantët gjithnjë e në ‘rrudhje’, Sali Berisha u paraqit sërish këtë të hënë gushti në SPAK në zbatim të masës detyrim paraqitjeje për aferën Partizani. Me të njëjtën gjuhë, kreu i Partisë Demokratike akuzoi kreun e SPAK, Altin Dumani se përdoret nga bandat e drogës, ndërsa tashmë e quan ‘Altin Troplini’.
Sipas Berishës, padrinot e drogës janë të lirë dhe jetojnë në Shqipëri në një territor Xhafzotaj ku nuk futet askush, madje as efektivët e policisë. Ish-kryeministri tha në një deklaratë për gazetarët para SPAK, se bandat e drogës amnistohen nga Dumani, pasi sipas ti janë informuar para se të lëshohen urdhër arrestet, duke përmendur rastin e Elvis Doçit.
“Sot unë lashë këtë shënim: Altin Troplini, se çfarë gjeta unë aty, aty ishte Elvis Doçi. Elvis Doçi, po i varte në qafë një pllakatë Altin Troplinit, në të cilën e shpallte president i nderit i kartelit Troplini për shkallën më të lartë të bashkëpunimit dhe mbështetjes që ai i dha këtij karteli. 250 urdhërarreste kombëtare dhe ndërkombëtare nuk janë ekzekutuar. Si në rastin e Elvis Docit, janë informuar krerët e karteleve dhe de facto asnjë prej tyre nuk është në burg në Shqipëri. Është një bashkëpunim i shkallës më të lartë me krimin. Nëse Prokuroria e Krimeve të Rënda kishte një ekzekutim të mandateve të arrestit sipas statistikës së saktë që shkonte ne 90%, Altin Troplini dhe paraardhësi i tij ish xhelati i policisë sekrete të Enver hoxhës, këta të dy së bashku kanë një ekzekutim që për bosët nuk shkon as në 10%”, tha Berisha.
Por ndërsa sulmon kreun e SPAK, Berisha merr në mbrojtje prokuroren e Shkdorës Elsa Gjeli dhe gjyqtarin Hazbi Balliu, të cilët u kritikuan nga kryeministri Rama gjatë aksionit për lirimin e hapësirave publike. Berisha u shpreh se Rama adresoi sulme të egra ndaj tyre, por KLP e KLGJ heshtën, duke e paralelizuar situatën më sulmet e tij ndaj drejtësisë. “Kur unë denoncoja lidhjet me krimin të Altin Troplinit, ata lëshonin kilometra deklarata në mbrojtje të Gjokës apo Troplinit”, tha Berisha, duke vijuar sulmet ndaj gjyqtares Irena Gjoka të cilën e quajti sërish Irena me 5 mbiemra dhe të pacipë.
"Edi Rama sulmoi me egërsinë më të madhe një prokurore me mbiemrin Gjeli, e cila në mënyrë absolute kishte zbatuar pikë për pikë atë që kërkohej në raportin e policisë së Shkodrës. Dhe pas prokurores Gjeli që nuk la turfullim pa bërë kundër saj, iu vërsul një gjykatësit Balliu, për fajin e vetëm që ky gjykatës me karakter për ligjin, kishte zbatuar pikë për pikë vendimin e qeverisë.
Ky gjykatës, në përputhje me vendimin, i cili i njihte shkelësit e ligjit të drejtën e parablerjes me firmë të Edi Ramës, kishte vendosur masën e sigurisë, sepse Edi Rama pavarësisht nga pafytyrësia e tij, kërkonte që gjykatësi të mbajë dy standarde, njëherë ta zbatojë dhe njëherë të mos e zbatojë.
Tani ky, i vërsulet gjykatësit, një djalë i ri ai, me fjalët e një ordineri, jo të një kryeministri, jo i pacipë, jo këto e ato. A dëgjuat ju, dy sulme të egra, a dëgjuat ju një fjalë të vetme nga dy institucionet kryesore të drejtësisë, të cilat detyrimisht duhet të merrnin në mbrojtje këto individë sepse kishin zbatuar ligjin. Asnjë fjalë, heshtje varri. Ndërkohë që kur unë denoncoja lidhjet me krimin të Altin Troplinit, ata lëshonin kilometra deklarata në mbrojtje të Gjokës apo Troplinit", tha Berisha.
Dosja për aferën Partizani kaloi për gjykim më 19 maj, pak ditë pas zgjedhjeve të 11 majit, dhe pasi u zvarrit për 7 muaj në seancë paraprake. Berisha do të gjykohet për akuzën e korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë pasi akuzohet se, në cilësinë e kryeministrit, ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, ku përfitues ishte edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi. Edhe Malltezi është nën akuzë për korrupsion por edhe për pastrim parash. Sipas SPAK, ai ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.
Komente

Ty te ik truri dhe merresh me fantazi . Dumani te ka pajis dosjen me prova dhe dosje te thera po te presin , si Gerdeci dhe 21 Janari
PërgjigjuSalih, cne gjall akoma ti ne kete moshe? Akoma nuk u ngope me pushtet e llafe qe nxjerr cdo dite?
Përgjigjumos e ceno sali osmanin