TIRANË- Ish-kryeministri Sali Berisha, i cili tashmë do të përballet në gjyq me aferën Partizani, u paraqit sot në SPAK në zbatim të masës detyrim paraqitjeje. Me një grusht militantësh, kreu i PD, vijoi sulmet ndaj drejtësisë, duke shigjetuar sërish kreun e SPAK, Altin Dumani, si edhe gjyqtaren që caktoi masën e sigurisë ndaj tij, Irena Gjokën.
Duke e quajtur Dumanin peng të verbër të kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja, Berisha e akuzoi për mosveprim për krimin mjedisor në landfillin e Elbasanit.
“Qytetarët e Elbasanit pësuan agresionin toksik më të madh në historinë e atij qyteti. Ky krim i rëndë mjedisor, sikundër krimi i rëndë ciklik mjedisor në Vlorë, nuk ekziston për Altin Troplinin, paçka se ligji, krimet mjedisore ia kërkon këtij institucioni sepse i ka shpallur krime të rënda.
Pra, ky mercenar i Edi Ramës, ka vendosur institucionin në funksion fund e krye të partisë së krimit dhe të qeveritarëve të krimit. Të digjen fusha e plehrave në Vlorë çdo 3 muaj, të marrin vlonjatët gjer dhe dioksinë mund të ketë në ato plehra dhe mund të krijohet nga djegia. Pa diskutuar pastaj efektet e mirëfillta kancerogjene nga djegiet, të gjitha këto nuk ekzistojnë sepse ky është një peng i verbër i Edi Ramës dhe Ulsi Manjës”, tha Berisha.
Ndërsa seancën e parë të gjyqit të Partizanit arriti ta shtyjë me manovrat përmes fletëthirrjes, Berisha para SPAK tha se nuk u paraqit në sallën gjyqësore sepse ishte në një udhëtim.
“Unë njoftim zyrtar, siç duhet, nuk kisha marrë, por nuk ishte ajo arsyeja. Arsyeja ishte se, unë isha në një udhëtim, siç mund ta keni marrë vesh. Por, e vërteta është se, njoftimi zyrtar nuk kishte ardhur”, tha Berisha.
Berisha zbuloi edhe mesazhin që ka lënë në SPAK. "Altin Troplini me mbrojtjen që u bën karteleve të drogës në Shqipëri, krimeve zgjedhore dhe krimeve të rënda mjedisore, këto dy të fundit fund e krye qeveritare,dëshmon se pas Ramaduros është de facto përgjegjësi më kryesor, delinkuenti numër 2 për kriminalitetin në Shqipëri", tha Berisha duke sulmuar edhe Gjokën, të cilën e quajti "llumi i drejtësisë", ndërsa aludoi se para një javë është hapur një çështje gjyqësore ndaj saj.
Seanca e parë në themel për dosjen Partizani u shty pasi Berisha nuk u paraqit, ndërsa e radhës do të mbahet më 21 korrik. Berisha do të gjykohet për akuzën e korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë pasi akuzohet se, në cilësinë e kryeministrit, ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, ku përfitues ishte edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi. Ky i fundit akuzohet për korrupsion pasiv dhe pastrim parash.
Mesazhi që Berisha la në SPAK
Kreu i PD, Sali Berisha i ka dalë në mbrojtje kompanisë ‘Bankers Petroleum’, e cila akuzohet se për 20 vite me radhë ka shmangur taksat duke i shkaktuar miliona euro dëm buxhetit të shtetit. Në prononcimin për mediat, pasi u paraqit në SPAK, Berisha tha se kontrata e kompanisë është firmosur para se ai të vinte në pushtet, ndërsa shtoi se gjatë qeverisë së tij, ka paguar çdo qindarkë.
Berisha shkoi edhe më tej teksa tha se Prokuroria "ka mashtruar në mënyrën më të turpshme sepse kompania ka paguar qindra milionë euro në periudhën që unë flas. Dhe ka paguar në atë periudhë 60-70 përqind të të gjithë rentës së industrive nxjerrëse në Shqipëri."
“Kontrata me Bankers Petrolium është e firmosur nga qeveria para qeverisë së PD. Një kontratë për hidrokarburet, e cila ka një klauzolë, nenin 18 që e mbron kompaninë, nuk lejon që të bëhen lëvizje të saj pa miratimin e kompanisë. Me gjithë këtë, qeveria e PD ka bërë më të jashtëzakonshmen, dhe më e jashtëzakonshmja ka qenë vendosja e rentës 10 përqind. Vendosja e rentës 10 përqind është disa herë më shumë se tatim fitimi. Renta vendoset mbi 10 përqind të shitjeve të përgjithshme dhe në raste të caktuara mund të arrihet në 50 përqind të fitimit. E para kjo, se nuk kishte rentë. Megjithatë t’ia njoh si meritë kompanisë që e pranoi si marrëveshje dhe nuk shkoi në arbitrazh sepse kishte një klauzolë. Sepse renta u vendos në kuadrin e një nisme të OKB për industritë nxjerrëse. Në atë kohë, Bankers ka qenë kompani joprivate, por publike e listuar në bursë. A e ka paguar? Po të garantoj që edhe më shumë, gjer në 200-250 milionë në vit gjatë kohës që kemi qenë ne në pushtet. Jo vetëm kaq, por ka paguar me detyrim taksën e karbonit që e shtuam, ka paguar, e them këtu, në vlerësimin tim, në mënyrë të padrejtë, ka paguar taksën e holluesit, të cilin e paguante dy herë. Njëherë kur injektohej dhe pastaj kur nxirrej. Po kryeministri nuk ishte ai që ishte sot dhe nuk i ndërhynte autoritetit tatimor. Tani të lutëm shumë, emra mos përmend këtu se këtu kanë vlerë shifrat. Ato kanë paguar qindra milionë dhe ata që mohojnë këtë, meritojnë tjetër gjë. Janë librat e tatimeve dhe nuk veprohet në këtë mënyrë se është banditizëm. Ajo ka qenë kompani publike kanadeze e listuar në bursë dhe ka pranuar dhe ka paguar rentë
Dhe renta e saj është e barabartë me 70 përqind të rentës të gjithë industrisë nxjerrëse në Shqipëri. Ajo ka paguar 1500 familje me rroga fare të mira dhe me sigurime shoqërore. Ajo ka paguar pagesën koncesionare që shkon në qindra milionë euro naftë për Albetrolin. Se çfarë ka bërë pas largimit tonë, nuk di unë. Por ata që duan të barazojnë, ata kanë interesa nga më të pistat në këtë aferë dhe ndaj sillen në këtë mënyrë. Gjatë periudhës tonë ajo ka paguar qindarkë për qindarkë. Ka pasur njëherë problem me taksën e karbonit, e kemi detyruar dhe e ka paguar. Dhe një gjë, është e turpshme që për interesa mafioze të bëhen skupe mediatike. Ju jeni gazetarë investigative, ju i keni tatimet e hapura, shkoni dhe merrni librat e tatimeve dhe shihni sa kanë paguar në mënyrë që të mos përdoret media si shpatë gjobëvënëse. Prokuroria ka bërë një deklaratë, unë u them shqiptarëve se për periudhën 2006-2013, prokuroria ka mashtruar në mënyrën më të turpshme sepse kompania ka paguar qindra milionë euro në periudhën që unë flas. Dhe ka paguar në atë periudhë 60-70 përqind të të gjithë rentës së industrive nxjerrëse në Shqipëri. Por kur ka prokurorë gjobëvënës si ai, që mashtron publikisht, është tjetër punë. Për periudhën tjetër, nuk di. Pas vitit 2013, nuk kam asnjë të dhënë por nuk besoj që mund të arrinte gjer në atë shkallë sa disa ministra rresht të mos lejonin të paguanin asnjë qindarkë. Më duken përralla këto.", tha Berisha.
Kreu i PD, Sali Berisha ka vazhduar sulmet ndaj gjyqtares së posaçme, Irena Gjoka. Pas paraqitjes në SPAK, Berisha vijoi me sulmet, duke e quajtur gjyqtaren “llum njerëzor dhe llum i drejtësisë”. Berisha përsëriti edhe njëherë akuzën se ajo vazhdon punën edhe pse ka gënjyer në formular se nuk ka qenë e dënuar në Greqi, duke aluduar madje se ndaj saj para një jave qenka hapur çështje gjyqësore.
"Dy fjalë për gjykatësen llum njerëzor dhe llum i drejtësisë, turp njerëzor dhe turp i drejtësisë, gjykatësen me 5 mbiemra, Gjoka-Maneku-Stërmaneku. 18 muaj më parë është denoncuar si një mashtruese ordinere. Si një njeri që ishte shkarkuar me firmë të Sali Berishës dhe u thoshte avoketërve ma provoni se jam shkarkuar. Dhe kur avoketërit i nxorën vendimin, thoshte nuk jam Gjoka, por jam Maneku.
Ky llum njerëzor dhe llum gjyqësor vazhdon punën si gjykatëse duke qenë në krye të piramidës së turpit të punonjësve të sistemit gjyqësor. Thuhet se para një javë, në qoftë se është e vërtetë, qenka hapur çështje gjyqësore për të. Tani, më thoni ju mua, një njeri që ka kryer krime të shumta, dhe pas kryerjes së këtyre krimeve, e dënuar në Greqi për vepra penale dhe civile, u deklaroi para dy muajve gazetarëve në Shqipëri që nuk kam qenë kurrë e dënuar.
Ky njeri kishte firmosur prokura për avoketerët për ta mbrojtur për çështjet për të cilat ishte dënuar në Greqi. Ky person, i cili ka mashtruar publikisht në formularët që plotëson se nuk kam qenë e dënuar, vazhdon turpërisht të ulet në sallën e gjyqit sepse është fytyra e vërtetë e Altin Troplinit, fytyra e vërtetë e Ulsi Manjës dhe Edi Ramës. Këto janë pra ato që unë parashtrova në vizitën time të shkurtër", tha Berisha.
Komente

AKOMA GJALLE ESHTE KY PLEHRE..NJE DAMLLA NJE ORE E ME PARE.....
Përgjigjujetkeq
Përgjigju