Kreu i PD-së, Sali Berisha do të paraqitet sot, në orën 09:30, në SPAK në kuadër të masës “detyrim paraqitje” për aferën Partizani. Në gjyqin për këtë aferë, dosje e cila kaloi për gjykim më 19 maj, Berisha nuk është paraqitur asnjëherë deri më tani, por është përfaqësuar nga avokatët e tij.
Të pandehur bashkë me Berishën, është marrë edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi si dhe tre të tjerë, Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja dhe Andia Pustina. Seanca e radhës e gjyqit është shtyrë për më 13 tetor për shkak se avokatët e të pandehurve kanë kërkuar pavlefshmëri të akteve të SPAK.
Berisha akuzohet se, gjatë kohës kur mbante postin e kryeministrit, ka ndërmarrë veprime konkrete për miratimin e ligjeve dhe akteve nënligjore, nga të cilat ka përfituar dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, në ndërtimin e pallateve mbi truallin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”.
Sipas SPAK, ai ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij. Edhe Malltezi është nën akuzë për korrupsion por edhe për pastrim parash.
Fatmir Bektashi akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash, ortaku i Malltezit dhe trashëgimtari i tokës Xhimi Begeja, dhe financierja Andia Pustina, që merrej me punët financiare dhe ligjore të kompanisë “Homeplan”, akuzohen për pastrim parash.
Po ashtu, në gjyq për pastrim parash janë dërguar edhe tre kompanitë “Kontakt”, “Homeplan” dhe “Studio Pustina”.
Komente
