Kronikë

Afera Partizani/ Berisha në SPAK me një grusht militantësh dhe sulmon drejtësinë: Godet opozitën me urdhër të Ramës! Mbyllja e aferës McGonigal nga Dumani, krim ndërkombëtar (VIDEO)

21 Prill, 07:29| Përditesimi: 21 Prill, 14:02

  • Share

TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u paraqit këtë të hënë në SPAK në zbatim të masës së sigurisë detyrim paraqitje për aferën Partizani, ndërsa me vete kishte marrë edhe një numër shumë të vogël militantësh në mbështetje të tij. Berisha u fut në SPAK rreth orës 09:00 dhe qëndroi aty për 10 minuta. Ndërsa jemi në fushatë elektorale, ish-kryeministri u pa teksa doli nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme me kapelën në kokë që mban numrin 1 dhe nga aty shigjetoi drejtësinë e re dhe kreun e SPAK, Altin Dumani.

"Ardhja ime shërben si një dëshmi e përbotshme e keqpërdorimit politik të drejtësisë nga narkotrafikanti Edi Rama për të luftuar kundërshtarët politikë. Hetimi shterues 4-vjeçar, siç e ka quajturi Skapi, dhe vetingu 32-vjeçar familjar i Sali Berishës ka provuar se ai dhe familjarët e tij nuk kanë përfituar kurrë asnjë favor, dhe se kursimet e tyre janë në përputhje me ligjet e vendit, përbëjnë gjithsej në 54 vite 100 mijë euro, dhe një apartament 40 metra më i madh se ai që kishte në diktaturë.

Çështja e Skapit dhe e keqpërdorimit të tij është pjesë e strategjisë së Edi Ramës për të goditur opozitën shqiptare. Është projekti i tij makabër për të marrë një mandat të katërt. Çështja nisi me denoncimin politik pa asnjë fakt të eksponentit politik të bandave të Elbasanit, Shkodrës dhe Fushë Krujës, Taulant Ballës dhe është mbajtur dhe mbahet në këmbë me qëllime kryekëput politike. Çështja kundër meje është dëshmi e standardit të dyfishtë të Skapit të partisë që sulmon opozitën pa asnjë fakt, ndërkohë që mbulon një mal të tërë me fakte për vjedhjen dhe korrupsionin qeveritar", tha Berisha. 

Para ambienteve të SPAK, Berisha zbuloi edhe shënimin që i la në letër SPAK, duke sulmuar Altin Dumanin, për të cilin tha se ka kryer krim ndërkombëtar duke mbyllur dosjen e aferës McGonigal.

“Mbyllja e aferës McGonigal nga Altin Dumani përbën një krim ndërkombëtar. Krim ndërkombëtar! Dhe e garantoj Edi Ramën se asgjë në botë nuk e do mund ta shpëtojë nga kjo aferë e tmerrshme, me të cilën ai korruptoi njeriun kryesor, që sipas gjykatësit amerikan, kishte detyrë të mbronte qytetarët amerikanë nga korrupsioni, por u korruptua vetë duke marrë paratë e Edi Ramës”, tha Berisha.

Berisha ndodhet në masë “detyrim paraqitje” për korrupsion, ndërsa dhëndri i tij Malltezi po hetohet në arrest shtëpie , i pandehur për korrupsion pasiv dhe pastrim parash. Nga privatizimi i klubit sportiv ku përfitues ishte dhëndri i Berishës, u ndërtuan të paktën 19 kulla pallatesh. Pas shumë taktikave zvarritjesh prej 6 muajsh, më datë 23 prill GJKKO pritet që më në fund të vendosë nëse do e kalojë për gjykim dosjen e aferës Partizani.

Me Berishën e Malltezin të pandehur janë edhe bashkëpunëtorët e tyre, biznesmeni Fatmir Bektashi, i pandehur për “korrupsion aktiv” dhe “pastrim parash”. Akuza e “pastrimit të parave” i është komunikuar edhe ortakut të Malltezit, Xhimi Begeja, trashëgimtar i tokës dhe bashkëpronar i 'Homeplan', si dhe Andia Pustinës, financieres që kryente të gjitha operacionet financiare dhe ligjore të Homeplan.

Ora 09:49
Report Tv sjell pamjet me dron, Berisha mbledh vetëm një grusht militantësh para SPAK

 

Ish-kryeministri Sali Berisha u paraqit sot në SPAK në zbatim të masës detyrim paraqitje për aferën Partizani. Si gjithmonë, Berisha mori me vete një grusht militantësh për ta mbështetur para SPAK, por numri i tyre ishte shumë i vogël.

Report Tv sjell pamjet me dron, ku dallohet edhe pjesëmarrja shumë e vogël e militantëve të Berishës para SPAK, të cilët sa vijnë edhe janë gjithnjë e me të ulët në numër.

Ora 09:44
Të paraburgosurit thirrje për Berishën, ish-kryeministri fushatë para SPAK: Do t'i shpërblejmë me rrogat e qeveritarëve

 

Sali Berisha bëri fushatë elektorale para SPAK duke thënë se do të shpërblejë të paraburgosurit që ndodhen në qeli pa meritë. Kjo deklaratë erdhi pasi disa të paraburgosur dolën në dritaret e paraburgimit të 313-ës duke thirrur për ish-kryeministrin, në ambientet e të cilit ndodhet edhe Ilir Meta.

Sipas Berishës, ata do të shpërblehen me pagat e qeveritarëve që sipas tij po i mbajnë pa meritë në qeli.

“Mesazhi im është ky, Shqipëria është njolla e zezë e turpit në Europë dhe nga më të zezat në botë. Sepse Shqipëria mban në burgje 67 përqind të të gjithë popullatës së burgjeve është në paraburgim dhe nuk ka dëshmi më madhore torture se sa kjo. Në këtë vend ka pushuar së funksionuari prezumimi i pafajësisë, një parim shekullor i drejtësisë. Ndaj i garantoj se ato ditë burgu që bëjnë pa meritë, do u shpërblehen me rrogat e qeveritarëve që i kanë mbajtur.

Është një krim. Dhe duhet ta dinë se unë në Këshillin e Europës, kam bërë një takim shumë të frytshëm me komitetin antitorturë, në të cilin kanë qenë dy çështje kryesore. Ka qenë tortura që i bënë ish-presidentit, ish-kryeministrit, ish-kryetarit të parlamentit, Ilir Meta dhe tortura që u bëjnë 67 përqind e të paraburgosurve, një e treta e të cilëve janë pa asnjë akuzë. 500 prej tyre janë të sëmurë.

Pra është një gjendje katastrofale për të cilën këta meritojnë, dhe unë kam besim shumë të madh... Komiteti i Antitorturës në Këshillin e Europës është një institucion jashtëzakonisht serioz dhe kam besim që ky komitet do bëjë avokatinë e të gjithë atyre që u shkelmohen të drejtat në burgjet shqiptare. Se për kë do votojnë, e dinë ata vetë, por ne themi, të votosh për xhelatin tënd, është problem”, tha Berisha.

 

Ora 09:18
Berisha: Dumanit të Ramës i lashë një shënim, mbyllja e aferës McGonigal përbën krim ndërkombëtar (LETRA)

 

Nga jashtë SPAK, ku u paraqit për zbatimin e masës “detyrim paraqitjeje” për aferën  Partizani, Sali Berisha sulmoi Altin Dumanin, teksa tha përmendi disa çështje që sipas tij duhet të hetojë.

Kreu i PD tha gjithashtu se i ka lënë edhe një shënim Dumanit se mbyllja e çështjes së McGonigal është krim ndërkombëtar.

"Por aty, Dumanit të Ramës, i lashë një shënim. Mbyllja e aferës McGonigal nga Altin Dumani përbën një krim ndërkombëtar. Krim ndërkombëtar! Dhe e garantoj Edi Ramën se asgjë në botë nuk e do mund ta shpëtojë nga kjo aferë e tmerrshme, me të cilën ai korruptoi njeriun kryesor, që sipas gjykatësit amerikan, kishte detyrë të mbronte qytetarët amerikanë nga korrupsioni, por u korruptua vetë duke marrë paratë e Edi Ramës.

Dhe për dijeni të shqiptarëve, tani McGonigal, çdo ditë në qeli i çon nga qelia mesazhe Edi Ramës.  Unë vërtet i mora paratë, thotë ai, por ato m’i dhe ti, me të cilat më komprometove. Kështu që pritet vota e shqiptarëve më 11 maj që Edi Rama të shkojë te McGonigal ndoshta javën e parë.", u shpreh Berisha. 

1745220568_shenimiberishesnespak.jpg

Shënimi i Berishës për Dumanin
Xh.D/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Diaspora po vendos, sa përcaktuese do jetë vota nga jashtë më 11 maj?