TIRANË- Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesat e disa prej të pandehurve të dosjes së aferës Partizani, për përjashtimin e gjyqtares Flojera Davidhi. Kërkesa ishte paraqitur nga ish-kryeministri Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, Andia Pustina, të cilët në seancën e 24 prillit vijuan me taktikat e zvarritjes, duke kërkuar përjashtimin e gjyqtares për njëanshmëri.
Më datë 5 maj, Davidhi pritet të japë vendimin për kalimin ose jo për gjykim të dosjes së aferës Partizani. Pritet të shihet nëse avokatët e Berishës do të përdorin taktika të tjera zvarritje për ta shtyrë procesin pas zgjedhjeve të 11 majit, pasi Report Tv ka mësuar se Davidhi nuk e ka përfunduar shqyrtimin gjyqësor edhe pse SPAK kërkoi mbylljen e shqyrtimit gjyqësor.
Njoftimi nga GJKKO
Janë paraqitur katër kërkesa. Nga gjykata është vendosur si më poshtë:
1. Shpalljen të papranueshme të kërkesës së kërkuesit Sali Berisha, paraqitur nëpërmjet mbrojtësve, për shkak të moslegjitimimit të mbrojtësve në paraqitjen e kërkesave.
2. Shpalljen të papranueshme të kërkesës së kërkueses shoqërisë tregtare “Homeplan” sh.p.k, paraqitur nëpërmjet avokatit, për shkak të moslegjitimimit të mbrojtësve në paraqitjen e kërkesave.
3. Shpalljen të papranueshme të kërkesës së kërkuesit Jamarbër Malltezi.
4. Shpalljen e papranueshme të kërkesës së kërkueses Andia Pustina.
Me seancën e 24 prillit u mbushën 6 muaj, që nga mbajtja e seancës së parë paraprake, 24 tetorin e vitit të kaluar. Për shtyrje të vazhdueshme janë bërë makinacione të ndryshme, me mungesa avokatësh apo edhe lexime të qindra faqeve në seanca, e së fundmi ishte edhe kërkesa për përjashtim të gjyqtares, edhe pse për 180 ditë nuk kanë pasur asnjë ankesë ndaj Flojera Davidhi.
Dërgimi në gjyq i dosjes do të ishte përballja e parë reale e Berishës dhe Malltezit me drejtësinë shqiptare. Berisha ndodhet në masë “detyrim paraqitje”, ndërsa dhëndri i tij Malltezi po hetohet në arrest shtëpie , i pandehur për korrupsion pasiv dhe pastrim parash.
Nga privatizimi i klubit sportiv ku përfitues ishte dhëndri i Berishës, u ndërtuan të paktën 19 kulla pallatesh. Me Berishën e Malltezin të pandehur janë edhe bashkëpunëtorët e tyre, biznesmeni Fatmir Bektashi, i pandehur për “korrupsion aktiv” dhe “pastrim parash”. Akuza e “pastrimit të parave” i është komunikuar edhe ortakut të Malltezit, Xhimi Begeja, trashëgimtar i tokës dhe bashkëpronar i 'Homeplan', si dhe Andia Pustinës, financieres që kryente të gjitha operacionet financiare dhe ligjore të Homeplan.
Komente
