Gjykata e Lartë rrëzoi sot (22 prill) rekursin e kreut të PD-së, Sali Berisha, në lidhje me masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje” që ka vendosur Apeli i GJKKO-së, në lidhje me aferën e dosjes “Partizani”.
Kërkesa ishte depozituar nga avokatët, që kërkonin heqjen fare të kësaj mase. Gazetarja e Report Tv, Keti Banushi, informon se pas shqyrtimit në Kolegj, kjo kërkesë nuk është vlerësuar si e argumentuar, duke i dhënë të drejtë GJKKO-së dhe SPAK në masën e vendosur më herët. E njëjta masë u la në fuqi, për arrest shtëpiak edhe ndaj dhëndrit Jamarbër Malltezi.
“Mospranimin e rekursit të paraqitur nga kërkuesi Sali Berisha, kundër vendimit nr. 1 (87-2025-1), datë 03.01.2025, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Lënien në fuqi të vendimit nr. 21 (87-2025-30), datë 24.01.2025, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për Jamarbër Malltezi”, thuhet në vendimin e marrë.
Nga privatizimi i klubit sportiv ku përfitues ishte dhëndri i Berishës, u ndërtuan të paktën 19 kulla pallatesh. Pas shumë taktikave zvarritjesh prej 6 muajsh, nesër GJKKO pritet që më në fund të vendosë nëse do e kalojë për gjykim dosjen e aferës Partizani.
Me Berishën e Malltezin të pandehur janë edhe bashkëpunëtorët e tyre, biznesmeni Fatmir Bektashi, i pandehur për “korrupsion aktiv” dhe “pastrim parash”. Akuza e “pastrimit të parave” i është komunikuar edhe ortakut të Malltezit, Xhimi Begeja, trashëgimtar i tokës dhe bashkëpronar i 'Homeplan', si dhe Andia Pustinës, financieres që kryente të gjitha operacionet financiare dhe ligjore të Homeplan.
Komente
