TIRANË- Gjykata e Lartë ka shtyrë për më datë 16 korrik seancën për Sali Berishën dhe dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, të dy në arrest shtëpie pasi po hetohen për aferën e privatizimit të ish-klubit Partizani.
Shqiptarja.com mëson se seanca e sotme është shtyrë pasi mbrojtja e Berishës dhe Malltezit kanë kërkuar përjashtimin e 3 gjyqtarëve që do shqyrtojnë kërkesën e tyre për revokimin e masës së sigurisë arrest shtëpie. Mbrojtja ka kërkuar përjashtimin e gjyqtarëve Ilir Panda, Sokol Binaj dhe Sandër Simoni.
Mbrojtja kërkon përjashtimin e tyre me pretendimin se kjo trupë gjykuese është shprehur njëherë për kërkesën e Berishës dhe Malltezit për revokimin e masës së sigurisë arrest në shtëpi, kërkesë që është rrëzuar më herët nga kjo trupë gjykuese. Sipas mbrojtjes, duhet të jetë një trupë e re që të gjykojë sërish kërkesën e Berishës dhe Malltezit.
Prej 30 dhjetorit 2023 Sali Berisha ndodhet në arrest shtëpie, masë e caktuar nga Gjykata e Posaçme, pas kërkesës së SPAK. Ish kryeministri Berisha, nën hetim nga SPAK akuzohet se ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, për të favorizuar dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, një ndër pronarët e truallit ku shtrihej kompleksi sportiv, mbi të cilin ndërtoi më pas 19 kulla.
Ndërkohë, Malltezi akuzohet për korrupsion pasiv dhe pastrim parash, pasi ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij, Berisha.
Komente
