Gjykata Kushtetuese

Politikë

Afera Partizani/ Kërkoi shfuqizimin e arrestit në shtëpi, Kushtetuesja rrëzon sërish Berishën: Pretendime të pabazuara! Kuvendi nuk shkeli ligjin me dhënien e autorizimit

17 Janar, 18:40| Përditesimi: 17 Janar, 23:02

  • Share

TIRANË- Brenda më pak se 20 ditësh, Sali Berisha merr shuplakën e dytë nga Gjykata Kushtetuese. Masa e sigurisë 'arrest shtëpie' në të cilën kryetari i PD-së qëndroi për 11 muaj i mbyllur dhe SPAK kërkoi autorizimin e kuvendit rezulton të ketë qenë e duhura. Gjykata Kushteuese rrëzoi sot kërkesën e ish kryeministrit për ta shpallur antikushtetues masën e sigurisë arrest shtëpie që GJKKO kishte marrë një vit më parë dhe konfirmuar më pas nga 2 gjykatat e tjera.
 

Në aspektin substancial Gjykata vlerësoi proporcionalitetin e masës së arrestit ne shtëpi në drejtim të nevojës, përshtatshmërisë dhe ashpërsisë' thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të marrë sot (17 janar 2025)  në mbledhjen me dyer të mbyllura. 

Sali Berisha, i cili është marrë i pandehur për 'korrupsion' në lidhje me aferën e privatizimit të ish kompleksit Partizani qëndroi nën këtë masë sigurie deri më 27 nëntor 2024.

'Në aspektin substancial Gjykata vlerësoi proporcionalitetin e masës së arrestit ne shtëpi në drejtim të nevojës, përshtatshmërisë dhe ashpërsisë. Gjykata bazuar në nenin 73, pika 4, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, të ndryshuar, vendosi rrëzimin e kërkesës, për shkak të mosformimit të shumicës së nevojshme vendimmarrëse prej 5 gjyqtarësh. Në përfundim Gjykata vendosi rrëzimin e kërkesës. Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese', thuhet në vendim.

Gjykata me shumice votash çmoi të pabazuar dhe pretendimin e Berishës se i është cënuar liria me dhënien e autorizimit nga ana e Kuvendit SPAK për të kërkuar në GJKKO masën e 'arrestit shtëpi'

'Për sa i takon themelit të çështjes, duke mbajtur në konsideratë argumentet, parashtrimet dhe prapësimet e palëve, Gjykata vlerësoi se: 1. Në lidhje me pretendimin për procedurën parlamentare për dhënien e autorizimit nga Kuvendi, sipas nenit 73, pika 2, të Kushtetutës, Gjykata me shumice votash çmoi se ky pretendim është i pabazuar', thuhet në vendim. 

Në lidhje me pretendimet për cenim të lirisë personale (neni 27 i Kushtetutës), të lidhur me te drejtën për t’u zgjedhur ( neni 45 i Kushtetutës), Gjykata i vlerësoi ato në dy aspekte: në aspektin procedural dhe aspektin substancial.
A) Në aspektin procedural, Gjykata vlerësoi procesin gjyqësor në të cilin ishte vendosur zëvendësimi i masave të sigurimit me atë të arrestit në shtëpi në drejtimet e mëposhtme:
i) parimi i paanshmërisë së gjykatës i lidhur me të drejtën e mbrojtjes efektive;
ii) së drejtës së aksesit të lidhur me standardin e arsyetimit të vendimit.
Gjykata me shumicë votash vlerësoi se këto pretendime nuk janë të bazuara.

B) Në aspektin substancial Gjykata vlerësoi proporcionalitetin e masës së arrestit ne shtëpi në drejtim të nevojës, përshtatshmërisë dhe ashpërsisë. 

Gjykata nuk arriti dot të shprehej me një qëndrim, pasi 8 anëtarët e saj u ndanë me numër të barabartë votash, “pro” dhe “kundër”. Një vendim i Kushtetueses është i vlefshëm, nëse ai mbështetet nga vota e të paktën 5 anëtarëve të gjykatës. Që prej muajit shtator, kjo gjykatë është me një anëtar më pak, për shkak të dorëheqjes së anëtares Elsa Toska.

"Gjykata bazuar në nenin 73, pika 4, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, të ndryshuar, vendosi rrëzimin e kërkesës, për shkak të mosformimit të shumicës së nevojshme vendimmarrëse prej 5 gjyqtarësh'  thuhet në vendim.

Masa e sigurisë 'arrest shtëpie' u dha Berishës nga GJKKO më 30 dhjetor 2023 po me kërkesë të SPAK, dy muaj pasi Berisha refuzonte të zbatonte 'detyrimin me paraqitje para prokurorisë' . Për këtë kërkesë SPAK fillimisht kërkoi autorizimin e Kuvendit.

Ndërkohë Gjykata Kushtetuese rrëzoi më 21 nëntor 2024 ankimin e Sali Berishës për të shpallur antikushtetuese‘ masën e sigurisë 'detyrim me paraqitje’, dhënë fillimisht nga GJKKO, me kërkesë të SPAK në kuadër të hetimeve të dosjes për aferën e privatizimit të ish-kompleksit Sportiv‚ Partizani‘.

(Kliko këu për të lexuar dokumentin e plotë)

S.G/S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Dhëndri i Trump investitor strategjik për resort në Sazan, si iu duket?