TIRANË- Gjyqtarja paraprake e aferës së ish-Klubit Partizani, Flojera Davidhi, njoftoi sot se nesër në orën 13:00 do të shpallë vendimin, nëse çështja, në të cilën ish kryeministri Sali Berisha dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, janë të pandehur, do të kalojë ose jo për gjykim. Kjo fazë e procesit është shoqëruar me zvarritje të njëpasnjëshme, me protagonist avokatët mbrojtës, të cilët kanë shfrytëzuar truke të ndryshme për të shtyrë sa më shumë, një vendimmarrje.
Në seancën e sotme paraprake, Davidhi rrëzoi kërkesat e avokatëve mbrojtës për pavlefshmëri dhe papërdoshmëri të provave të SPAK, por shmangu të dilte me një vendim për dërgimin ose jo të dosjes për gjykim. Shtyrja për ditën e nesërme, duket se po krijon një tjetër hapësirë për avokatët e zotit Berisha, që të paraqiten me një ndonjë kërkesë të re.
Këtë e paralajmëroi qartazi dhe avokati Genc Gjokutaj, i cili mbron interesat e zotit Berisha. "Gjykata u tërhoq dhe ka dhënë vendim në lidhje me kërkimet tona gjatë seancës paraprake që kanë të bëjnë me pavlefshmëri dhe papërdoshmëri të akteve. Kështu shteroi vendimmarrja e gjykatës, por jo vendimmarrja për dërgimin ose jo të çështjes në gjyq”, deklaroi Gjokutaj, duke shtuar se “ne kërkuam një kohë të shpejtë, që të konsultohemi për këtë vendimmarrje të kundërligjshme gjykatës. Të konsultohemi me ata që përfaqësojmë, se është vullneti i tyre që determinon nëse ne do shohim elementë për ndonjë kërkim procedural. Nesër do të marrim vesh, se kur gjykata do japë vendimin për qëllimin kryesor të kësaj seancë, dërgimin ose jo të çështjes në gjykim”, theksoi Gjokutaj.
Seanca e ditës së sotme, shënoi plot 6 muaj që nga mbajtja e seancës së parë paraprake në 24 tetor të vitit të kaluar. Zvarritja e çështjes është haptazi, taktika e zgjedhur nga mbrojtja e zotit Berisha, për të shmangur që në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, ish kryeministri të garojë, si një i akuzuar në gjykim e sipër.
Ish-kryeministri ndodhet aktualisht në masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për akuzën e korrupsionit pasiv, ndërsa dhëndri i tij është nën “arrest shtëpie” për akuzat korrupsion pasiv dhe pastrim parash. Nga privatizimi i klubit sportiv ku përfitues ishte dhëndri i Berishës, u ndërtuan të paktën 19 kulla pallatesh.
Me Berishën e Malltezin të pandehur janë edhe bashkëpunëtorët e tyre, biznesmeni Fatmir Bektashi, i pandehur për “korrupsion aktiv” dhe “pastrim parash”. Akuza e “pastrimit të parave” i është komunikuar edhe ortakut të Malltezit, Xhimi Begeja, trashëgimtar i tokës dhe bashkëpronar i 'Homeplan', si dhe Andia Pustinës, financieres që kryente të gjitha operacionet financiare dhe ligjore të Homeplan. Bashkë me këta tre persona të fundit nën akuzë janë vendosur edhe shoqëritë e tyre tregtare për pastrim parash Studio Pustina sh.p.k., Homeplan sh.p.k. dhe Kontakt sh.p.k.
Prokuroria e Posaçme dyshon se Berisha ka favorizuar dhëndrin e tij, si një nga ish pronarët e truallit të ish kompleksit sportiv Partizani, ku u ndërtuan më pas një grup pallatesh. Prokuroria e Posaçme dyshon se Berisha ka shfrytëzuar postin e tij të kryeministrit, duke miratuar ligje dhe akte të ndryshme nënligjore të përshtatura me nevojat e ish pronarëve të truallit të ish kompleksit Partizani për të mundësuar privatizimin.
Po ashtu dyshohet se ai ka ushtruar presion, përmes kontrolleve administrative, ndaj strukturave shtetërore, në mënyrë që ata të përshpejtonin procedurat e privatizimit, si dhe i ka vënë këto struktura në dispozicion të dhëndrit Jamarbër Malltezi për të arritur privatizimin, i cili sipas SPAK përfitoi 5.4 mln euro.
Avokatët mbrojtës kanë kërkuar pushimin e çështjes me argumentin se nuk kemi vepër penale. Nga ana tjetër SPAK kërkon kalimin e dosjes për gjykim. Dosja është hetuar nga dy prokurorët Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai. Gjyqtarja Flojera Davidhi do duhet të vendosë nëse do kalojë dosjen e aferës Partizani për gjykim, do ta kthejë atë në SPAK për hetime të mëtejshme apo do ta pushojë çështjen.
Komente

Futini nē burg malokun hajdut Sali Bajgēn e dhēndrin e tij
Përgjigju