Kronikë

Afera që fsheh tymi i plehrave mbi Peqin, bashkia 1 milion USD kompanisë ‘Viola Green’ për 288 kontenierë me mbetje, nuk i dërgojnë në incenerator për të fshehur volumin real

1 Korrik 2021, 20:22| Përditesimi: 1 Korrik 2021, 22:06

  • Share

Shtëllungat e tymit të djegies së mbeturinave mbi Peqinin fshehin një skandal të paprecedentë me hije korrupsioni. Edhe pse Inceneratori i Elbasanit, i cili pranon dhe përpunon mbetjet me zero kosto, është vetëm 1.6 km larg qendrës së qytetit, mbeturinat e Peqinit dhe njësive administrative hidhen nëpër fusha dhe përrenj, digjen dhe shpërndahen në natyrë. Dyshimet janë të forta se, pas shmangies së qëllimshme të inceneratorit, një investim ky pikërisht për të zgjidhur çështjen e mbetjeve në Qarkun e Elbasanit, fshihen interesa financiare me zhvillimin e tenderëve të dyshimtë për volume mbetjesh në letër më shumë se sa në realitet. Bashkia dhe kompania pretendojnë se çdo ditë zbrazen 70 kontenierë me mbeturina në zonën urbane, si dhe dy herë në javë 218 kontenierë në njësitë e bashkisë.

Nëse mbeturinat do të dorëzoheshin në Inceneratorin e Elbasanit, siç bëjnë bashkitë e tjera të qarkut, ato do të peshoheshin e mateshin dhe kështu do zbulohej volumi real i mbetjeve, ndryshe nga sa është përcaktuar në kontratë mes Bashkisë së Peqinit dhe kompanisë së kontraktuar për këtë shërbim.

Po kush qëndron pas kësaj historie?  Bashkia e Peqinit, me në krye Lorenc Toskun, në 25 shkurt 2020 ka shpallur kompaninë ‘Viola Green SHPK’ fituese të tenderit për pastrimin e Peqinit për 3 vjet. ‘Viola Green SHPK’ , një kompani e skeduar për krime mjedisore, është në pronësi të Marsel Shegës, Fatos Jaupit dhe She rif Kapllanit. Në tender ka marrë pjesë vetëm kompania ‘Viola Green’, fakt që bën procedurën të dyshimtë. Ligji për prokurimin publik lejon zhvillimin e prokurimit me një konkurrent te vetëm, por këto procedura shënohen me një flamur të kuq, pasi mbarin risk të lartë për klietelizëm dhe paracaktim të fituesit, për mes formulimit të kritereve dhe afateve favorizuese. Dhe pasoja e parë është tek diferenca e papërfillshme mes fondit limit dhe ofertës fituese. Fondi limit ishte 103 828 146 lekë ose rreth 1 milionë USD, ndërsa oferta fituese e ‘Viola Green, pa TVSH, është 103 303 885, pra me një diferencë prej 524 261 lekë. Megjithatë, fondi limit dhe oferta bazohen në volumin e mbetjeve të pretenduara që do të pasohen dhe grumbullohen.

Referuar dosjes së tenderit, Bashkia e Peqinit si autoritet kontraktor ka parashikuar paraprakisht të gjitha pikat e grumbullimit të mbetjeve për vendosjen e 288 kontenierëve me volum 1.1 m3 (1100 litra), duke bërë mbulimin e të gjithë territorit të bashkisë. Për zonën e parë Gjocaj-Karinë janë përcaktuar 71 konteinerë të ndarë në 52 pika grumbullimi mbetjesh, për zonën e dytë  Pajovë Karinë janë përcaktuar 73 konteinerë të ndarë në 77 pika grumbullimi mbetjesh, për zonën e tretë Përparim-Shezë Karinë janë përcaktuar 71 konteinerë të ndarë në 54 pika grumbullimi mbetjesh, ndërsa për zonën e katërt Peqin dhe zona pranë rrugës nacionale Rrogozhine-Elbasan janë përcaktuar për t’u vendosur 70 konteinerë të ndarë në 67 pika grumbullimi mbetjesh.

Kompania fituese duhet të zbrazë çdo ditë 70 kontenierë në zonat urbane në zonën katër, që i përket qytetit. Kompania paguhet me paratë publike gjithashtu për të zbrazur dy herë në javë 218 kontenierë me mbeturina, në zonat 1, 2 dhe 3. Pra, 10 70 kontenierë duhet t’i zbrazë 365 ditët e vitit, ndërsa 218 duhet t’i zbrazë 104 ditë gjatë një viti.

A ka një volum të tillë mbetjesh Peqini për të justifikuar tenderin 1 milionë USD? Volumi real i mbetjeve do të zbulohej vetëm nëse krerët e Bashkisë së Peqinit dhe kompania do t’i dërgonin mbeturinat në Inceneratori i Elbasanit, por kanë zgjedhur t’i hedhin në fushë. Sot, Report Tv publikoi këto pamje nga vendgrumbullimi i mbetjeve në Peqin, të cilave u është vënë zjarri duke ngritur në qiell një re tymi vdekjeprurëse. Ndryshe nga Bashkia e Peqinit, Bashkitë Elbasan, Librazhdi, Cërriku dhe Belsh i dërgojnë mbeturinat në Inceneratorin e Elbasanit.

 

Volumi i mbeturinave sipas dokumenteve të tenderit

Shpallja e tenderit për pastrimin e Peqinit

Njoftimi i fituesit të tenderit të pastrimit

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?