FAKTE/ Kur Berisha bënte VKM të personalizuara për klientët që paguanin studion ligjore të Argitës (VIDEO)

20 Mars 2021, 19:06| Përditesimi: 12 Shtator, 19:05

  • Share

TIRANË (20 mars 2021) - Redaksia investigative e Report Tv përpiqet të hedhë dritë më në fund në aferat e klanit Berisha dhe si u ndërtua e gjithë skema e fitimit të miliardave duke treguar për herë të parë gjithë dokumentet e firmosura nga Sali Berisha për ta favorizuar klientët e Argitës. 

Një grup politiko-afarist me mijëra tentakula që falë mbështetjes së hapur së kryeministrit do të dominojë i qetë nga viti 2005 deri në humbjet zgjedhore të 2013, dhe që sot, me të njëjtën formë dhe me të njëjtët njerëz, ëndërron të kthehet në pushtet.

Ja si ambasadori i aso kohe John Withers përshkruante mjerimin e Shqipërisë, 3 vite pas ardhjes në pushtet të Berishës:

"Nga momenti që hyni në një spital, shkollë, ministri, ndërtesë qeveritare, gjykatë, apo edhe për të marrë një certifikatë lindje nga zyra e gjendjes civile, një person duhet të paguajë një tarifë shtesë jozyrtare ose të njohë një mik nga brenda për të marrë çdo gjë që kërkon " 

Ky është një kabllogram konfidencial i dërguar me 6 qershor 2008 Departamentit të Drejtësisë amerikane nga ambasadori në Tiranë, John Withers. Është përshkrimi i Shqipërisë tre vite pas ardhjes në pushtet të Sali Berishës. Një Shqipëri, që lideri i Partisë  Demokratike, i cili kishte fituar zgjedhjet e 26 qershorit 2005 me sloganin “Koha për ndryshim”, jo vetëm që nuk e kishte ndryshuar, por e kishte zhytur në një kënetë korrupsioni dhe nepotizmi familjar në të gjitha nivelet e Shtetit. Një sistem qeverisjeje i sëmurë, që Sali Berisha dhe Lulzim Basha janë gati ta ripërsërisin, nëse do të ktheheshin në pushtet pas zgjedhjeve të 25 prillit, për të cilat po bëjnë sërish garë me një koalicion të quajtur “Aleanca për ndryshim”, i njëjti slogan i 16 viteve më parë. 

Zgjedhësit votuan Partinë Demokratike, por bashkë me Sali Berishën, në pushtet erdhi dhe familja e tij. Pak muaj pasi u zgjodh kryeministër, vajza e tij Argita Malltezi u kthye në Shqipëri nga Prishtina duke lënë pas një punë 6 vjeçare të mirëpaguar në Misionin e OKB-së, UNMIK, për të hapur një kompani ligjore në Tiranë. Bashkë me të kthehet edhe bashkëshorti, Jamarbër Malltezi. Edhe vëllai i saj, Shkëlzen Berisha zbulon talentin e ekspertit dhe hap si e motra një studio ligjore, që çuditërisht e mbyll të njëjtën ditë që babi i tij lë qeverinë, në shtator të 2013. Të gjithë se bashku krijojnë në pak muaj një klan pushteti nepotik, në të cilin ftohet të bëhet pjesë edhe Lulzim Basha (edhe ai i kthyer prej pak kohësh nga Kosova dhe miku i ngushtë i Argita Berishës) që merr me vete dhe kunatin Erion Isufi. Një grup politiko-afarist me mijëra tentakula që falë mbështetjes së Sali Berishës do të dominojë i qetë deri në humbjet zgjedhore të 2013, dhe që sot, me të njëjtën formë dhe me të njëjtët njerëz, ëndërron të kthehet në pushtet. 

Me ardhjen në Tiranë në vitin 2006, familja e Argita Berishës ka hequr dorë nga një pagë prej 12.500 dollarë në muaj! Pse?

Më 3 tetor 2006 në të vetmen intervistë televizive të dhënë, Argita Berisha tha se që nga 1996 deri në kthimin e saj nga Kosova në shtator te  2005, ajo kishte kursyer bashkë me të shoqin, Jamarbër Malltezi, një pasuri prej 1 milionë e 50.000 dollarë, duke përfshirë këtu edhe shumën e një kredie bankare prej 150.000 eurosh. Argita pohoi se bleu me ato para’ pasuri të patundshme për një vlerë 745.000 dollarë, duke arritur me një rezultat të habitshëm t’i kushtojë 75% të pasurisë së saj investimeve të patundshme dhe vetëm 25 % shpenzimeve të përditshme për atë, bashkëshortin dhe tre fëmijët. Në atë 25% të shpenzimeve, përveç ushqimit, udhëtimeve, veshjeve dhe shpenzimeve për arsimim shtohen edhe kostot e qirave për 66 muaj qëndrim në Kosovë, pasi në totalin e të ardhurave të saj Argita Berisha llogariti edhe dietat e marra nga UNMIK për këtë qëllim.  

Nga këto të dhëna duket qartë që Argita Berisha, duke u kthyer në Tiranë, ka hequr dorë nga një rrogë neto prej 5000 dollarësh në muaj, të cilës duke i shtuar dietat dhe benefite të tjera, shkonte deri në 7500 dollarë në muaj. Bashkë me të kthehet në Shqipëri edhe bashkëshorti Jamarbër Malltezi, edhe ai nëpunës pranë UNMIK nga ku merrte 5000 dollarë në muaj si të ardhura. Në këmbim të çfarë benefiti çifti Berisha-Malltezi hoqi dorë nga rroga 12.500 dollarë në muaj të paguara nga Kombet e Bashkuara? E pyetur Argita përgjigjet se e bëri për fëmijët e saj, të gjithë në moshë të re, që pas 5 vite e gjysëm të rritur në Kosovë, papritur kishin nevojë për dashurinë e gjyshërve, aq më shumë tani që gjyshi Sali ishte bërë edhe kryeministër.  

Edhe nëse do të donim t’i besonim këtij versioni, mbetet pyetja kryesore: me cilat të ardhura dy bashkëshortët Malltezi-Berisha mendonin ta mbanin familjen pasi u kthyen në Shqipëri, duke patur konsumuar tashmë pjesën më të madhe të pasurisë së tyre në pasuritë e patundshme? Siç vetë Argita e pohon në fakt, në fund të vitit 2006 familja Malltezi-Berisha kishte në bankë vetëm 39.500 dollarë dhe 2000 euro gjendje, shumë që pjesërisht duhet të përdorej edhe për të shlyer kredinë prej 150.000 eurosh me afat 15 vite, e marrë nga banka Emporiki për të blerë një apartament luksoz në ETC, në qendër të Tiranës. 

Në fakt Argita dhe Jamarbëri hoqën dorë nga një rrogë prej 12.500 dollarësh në muaj pa pasur asnjë të ardhur tjetër të garantuar përveç mësimit në Universitet, pasi vendimi për t’u kthyer në Shqipëri lidhet me rolin e Sali Berishës i sapozgjedhur si kryeministër i Shqipërisë, pra me bindjen se të dy do të fitonin shumë më shumë falë favoreve të tij. Gjë që ndodhi me të vërtetë. 

Siç zbuloi Report TV në një investigim të mëparshëm Jamarbër Malltezi, vetëm një vit e gjysmë pas kthimit të tij në Tiranë, firmos me sipërmarrësin mik Fatmir Bektashi një kontratë për të ndërtuar 35% të 17 kullave që përbëjnë kompleksin Magnet: në total 125.000 metra katrorë që kushtuan mbi 30 milionë euro në ndërtim dhe me një vlerë në tregun imobiliar prej të paktën 120 milionë euro. Në 2019 Jamarbër Malltezi firmosi prape me Fatmir Bektashin një kontratë të dytë për të ndërtuar 50% të 49.000 metrave katrorë të tjerë në kompleksin Magnet2, që kushtojnë 21 milionë euro dhe që në tregun imobiliar vlejnë të paktën 50 milionë euro. Dy investimet gjigande u realizuan mbi tokat e ish-Kompleksit Sportiv Partizani, të cilin Sali Berisha e privatizoi në favor të ish-pronarëve të supozuar, mes të cilëve me kuota shumë të vogla dhe dhëndri i tij. Por pyetja që i bëhet Jamarbër Malltezit është një tjetër: Ku i gjeti kapitalet e duhura për të financuar këto dy investime miliardere, duke pasur në bankë vetëm 39.500 dollarë dhe 2000 euro? 

Përgjigja mund të gjendet pjesërisht në dokumentet e zbuluara nga redaksia investigative e ReportTV, e cila për herë të parë po përpiqet të hedhë dritë në aferat e familjes Berisha-Malltezi dhe si u ndërtua e gjithë skema e fitimit të miliardave nga ana e kësaj familje. 

Argita Berisha kthehet në Tiranë bashkë me një mikeshën e saj të vjetër dhe bashkëpunëtore në UNMIK, Flutura Kola Tafaj, edhe ajo avokate, edhe ajo e vendosur të lërë pas kurrizit rrogën e sigurt të marrë deri në atë moment në Kosovë nga arkat zemërgjera të Kombeve të Bashkuara, për t’u kthyer të jetojë në Shqipëri me familjen pa asnjë punë të garantuar. Sipas faqes investigative BIRN, ato ndërtuan tri kompani ligjore – Malltezi & Kola, Kola & Associates dhe Malltezi & Associates – duke ndarë zyrën dhe një listë në rritje klientësh fitimprurës. 

BIRN pretendon qe sipas të dhënave të regjistrimit të bizneseve, kompanitë ligjore të Malltezit u krijuan më 19 dhjetor 2005, pra vetëm 3 muaj pas emërimit të Sali Berishës në krye të qeverisë, por në të vërtetë gjurmët e studiove ligjore të Argita Berisha Malltezit janë zhdukurNë faqen zyrtare të QKB ku ruhet memoria e të gjitha shoqërive të regjistruara në Shqipëri, përfshi dhe ato jo më aktive, nuk gjendet më asnjë gjurmë  e studiove ligjore “Malltezi & Kola” dhe “Malltezi & Associates”. Do të ngrihej dyshimi se nuk kanë ekzistuar kurrë, nëse nuk do të gjenim një kurrikulum të Argita Berishës në të cilin ajo vetë referon se ka punuar në studion “Malltezi & Associati” nga 2005 deri në 2009. Një studio që nuk rezulton të jetë regjistruar kurrë. 

Në intervistën e saj në TV Klan në tetor të 2006, Argita Berisha shpjegon se ka punuar në studio me Flutura Kolën në 2005 vetëm për disa muaj dhe për t’u shkëputur më pas për të krijuar një studio të pavarur. Por kjo gjë nuk gjen konfirmim në regjistrat publikë të Shtetit, as në Drejtorinë e Tatimeve, ku nuk shfaqet asnjë studio ligjore "Malltezi & Associates", as gjenden gjurmë të bilanceve të aktivitetit të saj profesional që sipas ligjit duhet të ishin të depozituara. Madje dokumentet e siguruara nga Report Tv tregojnë që edhe mbi këtë çështje Argita Berisha gënjen.

Argita Berisha-Flutura Kola Tafaj, 2 studio ligjore me të njëjtat adresa dhe numër telefoni

Kjo që shikoni është një faturë pro-forma, e prere nga studio "Malltezi & Associates" në vitin 2007, pra dy vite pasi Argita Berisha pretendonte qe kishte shkëputur marrëdheniet me Flutura Kolewn. Por fatura, ku mungon NIPT që është numri i identifikimit te tatimeve, tregon që adresa dhe numri i telefonit te studios "Malltezi & Associates" është i njëjti me adresën dhe numrin e telefonit të studios "Kola & Associates''.

Dokumenti vërteton që Argita Berisha ka vazhduar aktivitetin e saj profesional  nën hijen e Flutura Kolës që ia ka deleguar kompetencat per të arkëtuar paratë. Pra ia ka lënë në dorë "punën e pistë''

Kjo zgjedhje nuk është e rastësishme, por është një skeme e ndërtuar nga Argita Berisha për të fshehur lidhjet me klientët e saj dhe në këtë mënyrë, për të maskuar konfliktin e interesit të paraqitur nga favoret që klientët e saj marrin nga babai kryeministër në këmbim të konsulencave që paguajnë. Vetëm në deklaratat e pasurisë që Argita Berisha ka bërë publike për  vitin 2008, dalin për herë të parë të ardhura nga aktiviteti i avokatisë për një shumë 5.264.363 lekë, pra rreth 40.000 euro në gjithë vitin. Një shumë qesharake e krahasuar me qindra mijëra euro që kolegia e saj Flutura Kola, siç do të dokumentojmë, arkëtonte në të njëjtën periudhë. 

DASH: Edhe pse aktiviteti i Argita Berishës si avokate ishte i fshehur, një numër gjigand klientësh drejtohen te ajo, i gjen zgjidhje menjëherë

Edhe pse e fshehur, aktiviteti i Argita Berishës si avokate, njihet nga të gjithë, edhe nga ambasadori amerikan John Withers, i cili në kabllogramin sekret dërguar Departamentit amerikan të drejtësisë me 6 qershor 2008, jo vetëm sinjalizon numrin gjigand të klientëve që i drejtohen asaj, por tregon edhe një episod në të cilin evidenton shpejtësinë e çuditshme me të cilën Argita Berisha zgjidh konfliktet ligjore në favor të klientëve të saj: 

“E reja Berisha zgjidh mosmarrëveshjen: Ekziston një ndërtesë e vjetër e epokës komuniste në qendër të Tiranës ende e referuar si Pallati i Kulturës, i cili strehon një librari ndërkombëtare, të frekuentuar kryesisht nga të huaj. Një mosmarrëveshje mbi inventarin e dëmtuar të dyqanit u zgjidh kohët e fundit nga kush tjetër veç vajzës së Kryeministrit, Argita Berisha. Znj. Berisha, qe praktikon privatisht aktivitetin si avokat në Tiranë qe ka lulëzuar vitet e fundit, ka patur një rritje të lakmueshme të kërkesës për shërbimet e saj. Në rastin e saj më të fundit, cilësia e dobët e punës së rinovimit në katin e dytë mbi librari çoi në një luftë midis ndërmarrjes italiane të rinovimit dhe pronarit të librarisë, i cili kërkoi dëmshpërblim për inventarin e tij të shkatërruar. Mosmarrëveshja u zgjidh jashtë gjykatës kur shërbimet e znj. Berisha u prokuruan nga libraria. Në atë që mund të përshkruhet vetëm si një demonstrim i aftësive të saj të mprehta juridike, pronarët e biznesit të katit të dytë paguan dëmet një ditë më pas, një zgjidhje jashtëzakonisht e shpejtë në një vend ku paditë mund të duhen vite për t’u zgjidhur – ËITHERS’’

Është e qartë që Argita Berisha, edhe pse nuk shfaqet, punon nën hijen e Flutura Kolës, duke i lënë shoqes së saj emrin e studios dhe detyrën për të arkëtuar pagesat e bëra në rrugë bankare, ndërsa ajo merret me gjetjen e klientëve, ekskluzivisht biznesmenë të cilëve, siç tregojnë dokumentet që Report TV është në gjendje të tregojë, iu merr pagesa të majme në këmbim të favoreve të siguruara nga babai i saj, kryeministri i vendit. 

Studio “Kola & associates” nisi zyrtarisht aktivitetin e saj ligjor me 10.12.2007. Dhe pikërisht 2007 dhe 2008 janë vitet e para milionere për aferat e familjes Berisha, siç tregojnë skandalet publike që përfshijnë qeverinë. Në qendër të akuzave janë vazhdimisht dy fëmijët e kryeministrit: Argita me bashkëshortin Jamarbër Malltezi, dhe vëllai i saj Shkëlzen. Në këtë periudhë piqen afera shumë të njohura si privatizimi i Kompleksit Sportiv Partizani, spekulimi i Porto Romanos në favor të biznesmenti serbo-boshnjak Damir Fazlliç, tragjedia e Gërdecit dhe trafiku i armëve drejt Afganistanit, deri te skandali i shkatërrimit të Jalës që përfshin bashkë me Jamarbër Malltezin edhe funksionarë të Bankës Botërore ose skandali e rruga Durres-Kukes. Në këto afera shfaqen me detyra të ndryshme emri i Argita Berishës, Jamarbër Malltezit, Shkëlzen Berishës, Flutura Kolës dhe të bashkëshortit të saj, por shpesh dalin edhe emra të tjerë që i përkasin të njëjtit grup interesi, dhe konkretisht lideri aktual I Partise Demokratike Lulzim Basha, krahu i djathtë i familjes Berisha sot si 16 vitet më parë, dhe Erion Isufi, kunati i tij.  

Në fakt në vitet kur Sali Berisha është në pushtet, pjesa më e madhe e skandaleve të lidhura me familjen e tij, nuk dalin as në televizion dhe as në faqet e gazetave, pasi abuzimet mbeten të fshehura, të padepërtueshme edhe nga pak media opozitare që do të kishin kurajën për të denoncuar abuzimet e një qeverie që ka qenë gjithnjë shumë e ashpër me mediat e pavarura, duke mbyllur gojën me kërcënime dhe dhunë ndaj gazetarëve të lirë e duke u lejuar çdo lloj paligjshmërie e abuzimi gazetarëve e botuesve miq, të cilët ofronin në këmbim heshtjen e tyre. 

Për herë të parë redaksia investigative e ReportTV ka zbuluar dokumente që lidhin në mënyrë të drejtpërdrejtë paratë e arkëtuara nga Argita Berisha dhe Flutura Kola, me vendimet politike të marra nga Sali Berisha. Dokumente që tregojnë se si çdo klient i studios ligjore të familjes, përputhet me vendime, licenca dhe koncesione të firmosura nga Sali Berisha në favor të atyre të njëjtëve biznesmenë që paguajnë fatura prej qindra mijëra eurosh. Shumë dokumente janë shkatërruar para se Berisha të  dorëzonte zyrat e pushtetit dhe studio Flutura Kola & Associates i ka bërë publike bilancet e saj vetëm duke filluar nga 2011. Por edhe pse ajo që kemi dokumentuar nuk mjafton të llogarisim përmasat reale të fitimeve të jashtëligjshme që familja Berisha dhe klani i tyre kanë mundur të sigurojnë në tetë vitet kur Sali Berisha ishte në krye të qeverisë, janë gjithsesi të mjaftueshme për të provuar një sistem milioner që Sali Berisha, Lulzim Basha dhe familjet e tyre janë të gatshëm ta ripërsërisin, nëse do të ripreknin pushtetin me dorë. 

E shoqja e Argita Berishës (Flutura Kola Tafaj)  arkëtoi në 63 mijë euro në muaj

Këto që po shihni janë trasfertat bankare të përfituara nga studio Kola & Associates mes viteve 2007 dhe 2008, të ndodhura në dosjen e vetme të hapur nga prokuroria shqiptare mbi aferat afër familjes Berisha. Hetimet filluan në fund te 2008 pas shpërthimit të skandalit mbi biznesmenin boshnjak Damir Fazlliç dhe të arkivuara menjëherë me urdhër të kryeministrit. Hetimet nuk guxuan të shtriheshin te Argita Berisha dhe as te bashkëshorti i saj Jamarbër Malltezi që edhe në atë aferë të piste të shitblerjes së tokave në zonën e Porto Romanos, ishin totalisht të përfshirë. Hetimet bankare të kryera përmes Drejtorisë së Përgjithshme kudër pastrimit të parave, lejuan ama që të verifikoheshin trasfertat e marra në vetëm 10 muaj nga Flutura Kola dhe Erion Isufi, kunati i Lulzim Bashës.  

Në ato dhjetë muaj, pra nga 28 dhjetori 2007 deri ne 16 tetori2008 studio “Kola&Associates” ka marrë në llogarinë bankare 341.433 euro, ndërsa Flutura Kola ka arkëtuar në llogarinë e saj personale si avokat 289.000 euro të tjera. Një mesatare prej 63.000 euro në muaj të cilat nuk kanë asnjë justifikim tjetër veç marrëdhënies dhe  komplicitetit me Argitën dhe Sali Berishën. Ndërsa Argita deklaronte të ardhura vetëm për 40.000 euro dhe vetëm për një në vit, kolegia e saj Flutura Kola arkëtonte  63.000 euro në muaj, e megjithatë kjo shumë është vetëm maja e ajsbergut të një xhiroje parash shumë më të madhe e pjesa më e konsiderueshme e trajtuar në cash. 

Klienti i shoqes së Argita Berishës, ASG Power, pagoi 177 mijë euro dhe Berisha firmoi VKM për interkonjeksionin

Mes arkëtimeve të bëra në llogarinë e Flutura Kolës në ato 10 muaj të vendosur nën lenten e prokurorisë, shfaqen 168.745 euro të paguara nga shoqëria svicerane ASG Power. ASG Poëer merret me energji dhe ka seli në Lugano, në Kantonin Tiçin. Pronare me 50% është shoqëria elektrike zvicerane me kapital publik AET. Në 16 qershor 2006 shoqëria hap një filial në Shqipëri duke premtuar projekte ambicioze. Një nga dy administratorët e filialit shqiptar quhet Agim Gjinali, një biznesmen i përfolur i Kosovës rezident në Zvicër e që ka një rrjet të dendur marrëdhëniesh ndërkombëtare, përfshi dhe lidhje të dyshimta me Kremlinin.  

Në një intervistë dhënë të përditshmes greke Kathamerini me 21 nëntor 2007, Agim Gjinali ilustron planet që ASG Poëer ka për Shqipërinë dhe lajmëron projektin për të ndërtuar një linjë interkonjeksioni dhe një central termo-elektrik, për një superinvestim prej 3.7 miliardë dollarësh. Ëndrra e Gjinalit është që të prodhojë kaq shumë energji derisa ta bëjë Shqipërinë të pavarur nga prodhimi ndërkombëtar. Një plan ambicioz që Gjinali e bën të ditur pasi është i sigurt se ka siguruar ndërkohë mbështetjen e qeverisë, natyrisht falë Argita Berishës. Në fakt filiali ASG Poëer është nën kontrollin e familjes. Në këshillin mbikqyrës të ASG Poëer emërohet Florenc Kola, bashkëshorti I Flutura Kolës dhe mik i ngushtë i Argita dhe Jamarbër Malltezit, me të cilët ka ndarë edhe afera të tjera. Florenc Kola me 7 maj 2008 pushon administratorin e dytë të filialit, italianin Paolo Rossi dhe emëron në vendin e tij Fatmir Bektashin. Bektashi është i njëjti biznesmen që në të njëjtët muaj të 2008 bëri me Jamarbër Malltezin një marrëveshje për ndërtimin e 17 kullave të kompleksit Magnet mbi truallin e ish-Kompleksit Sportiv Partizani, një investim mbi 30 milionë euro që Jamarbër Malltezi impenjohet të financojë për 35% edhe pse në bankë zyrtarisht ka vetëm 39.500 dollarë.  

ASG Power derdh nga Zvicra në llogarinë e Flutura Kolës 168.745 euro, ndërsa në studion Kola & Associates shlyen një faturë për 8.718 euro. Sali Berisha këmben favorin. Me 14 nëntor 2007 firmos VKM numër 778 me të cilën autorizon ASG Poëer Albania  ‘’ndërtimin e linjës tregtare, me rrymë të vazhduar, të interkonjeksionit Seman, (Shqipëri) - Foxhia, (Itali)’’.  

Por pas pagesës së shumës diçka thyhet dhe afera prishet. Vetëm shtatë muaj pasi kishte marrë lejen nga qeveria, në fakt, shoqëria publike zvicerane AET, distancohet nga ASG Poëer duke shitur pjesëmarrjen e saj e duke dalë përfundimisht nga projekti. Në vitin 2019 ASG Poëer falimenton pa realizuar asnjë projekt në Shqipëri, ndërsa filiali shqiptar është ende aktiv në duart e Fatmir Bektashit. 

Klienti i shoqes së Argita Berishës, Union Eolica Albania shpk pagoi 64800 euro dhe Berisha firmosi VKM për parkun Eolik në fshatin Kryevidh në Kavajë|

Nuk është hera e parë që një shoqëri paguan studion e konsulencës të lidhur me Argita Berishën, Sali Berisha firmos një VKM falë asaj konsulence dhe që pastaj investimi për arsye misterioze bllokohet. Ndodhi edhe me Union Eolica Albania shpk. Union Eolica shpk është një shoqëri e formuar në Shqipëri më 28.12.2007 dhe është në pronësi 100% të shoqërisë italiane Italgest Reneëables. Projekti i saj është që të ndërtojë në fshatin Kryevidh, pranë Kavajës, një impiant për te prodhuar energji prej erës, prej 150 megavat me një investim prej 200 milionë euro. Edhe për këtë projekt, siç ndodhi me ASG Poëer, duhet mbështetja e qeverisë. Rruga e sugjeruar është e zakonshmja, dhe kështu Union Eolica Albania i beson studios së konsulencës të ortakes së Argita Berishës. Si për magji, portat hapen bashkë me portafolët: shoqëria nis të derdhë në studion e Flutura Kolës 64.800 euro. Një përfaqësues i Italgest nuk ka vështirësi as të takojë personalisht Sali Berishën, i cili lëshon për këtë takim edhe një deklaratë publike: 

 ‘’Përfaqësues të kompanisë italiane “Italgest” i kanë prezantuar Kryeministrit projektin për ndërtimin e një impianti të madh për prodhimin e energjisë nga era, në zonën e Kryevidhit (afër Durrësit). Një impiant ky që parashikohet të ketë kapacitet prej 150 megavat dhe që kap vlerën e investimit në rreth 200 milionë euro. Kryeministri Berisha, pasi është njohur deri në detaje me këtë projekt e pasi u ka prezantuar përfaqësuesve të kompanisë situatën ekonomike dhe klimën e biznesit në Shqipëri, ka siguruar mbështetjen e qeverisë për suksesin e këtij projekti’’. 

Me 6 gusht 2008 Enti Rregullator i Energjisë (ERE), liçencon në kohë rekord shoqërinë "Union Eolica Albania" sh.p.k. për ‘’ aktivitetin e ndërtimit, instalimit dhe shfrytëzimit të centraleve elektrike me erë, si dhe prodhimin e energjisë elektrike’’. Kaluan vetëm 60 ditë nga kërkesa. ERE nga rikthimi i qeverisë Berisha drejtohet nga Bujar Nepravishta, pra një teknik në varësi të tij.   Italgest është shumë e kënaqur dhe përveç 64.800 eurove të derdhura nga shoqëria e saj Union Eolica, paguan drejtpërdrejt studion Kola një tjetër faturë prej 7.189 euro. 

Me 9.12.2008 Bujar Nepravishta merr një vendim të dytë dhe urdhëron edhe  ‘’Të kualifikojë impiantin prodhues (Parku eolik Kryevidh, Kavajë) të shoqërisë "Union Eolica Albania" sh.p.k., si burim i rinovueshëm energjie’’.  

Sali Berisha urdhëron ministrin e energjisë Genc Ruli të nisë procedurat për të autorizuar shoqërinë kliente të vajzës së tij të ndërtojë impjantin. Procedurat janë të ndërlikuara nga fakti se ligji mbi koncesionet nuk parashikon në atë moment sektorin e energjisë së rinovueshme. Por siç tregon  ky dokument i 6 korrikut 2010 KKT i kryesuar nga Sali Berisha, kapërcen pengesat dhe autorizon ndërtimin e impiantit eloik siç kërkojnë Union Eolica dhe Italgest. 

Nuk kuptohet se përse nga një moment e tutje edhe ky projekti bllokohet. Ndoshta ishte tepër i lartë çmimi për konsulencat e tjera? Kontrollet bankare mbi Flutura Kolën u ndalën në tetor të 2008 dhe kështu nuk është e mundur të verifikojmë se çfarë ka paguar tjetër Union Eloica dhe nëse ka pranuar të paguajë tjetër, në muajt dhe vitet që pasojnë.  Por siç ndodhi me ASG Poëer, me rrëzimin e qeverisë Berisha, zhduket edhe Union Eolica e cila në 2018 ERE i heq edhe licencën, pa mundur të gjejë as ku e ka më selinë.  

Klienti i shoqes së Argita Berishës, Unifi Holdin LCC përfitoi VKM nga Berisha për shtirje të kabllove nëndetar

Me ‘’metodën Berisha’’ nuk ka fat as investimi i projektuar nga Unifi, shoqëri e huaj që përpiqet të realizojë në Shqipëri një linjë nënujore me fibra optike për të lidhur Shqipërinë me Italinë. Një tjetër investim që kërkon mbështetjen e qeverisë. Unifi Holding LCC hap një filial në Shqipëri. Shoqëria mëmë e regjistruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është e drejtuar nga Adrian Shatku, një shqiptar nga Peshkopia, i cili ka ngritur biznesin e tij të fuqishëm në Nju Jork. Me administrimin e degës së Tiranës ngarkohen Florian Shatku dhe Enkeleda Shatku, dy familjarë të afërt të bosit të madh, Adrian Shatku. 

Edhe këtë herë hyn në skenë Argita Berisha: Unifi Communications Inc derdh në llogarinë e Flutura Kolës një këst të parë prej 7.656 euro, të mjaftueshme vetëm për të nisur një studim për mundësinë e realizimit. I përpiktë, ndërhyn baba Sali Berisha. Me 21 tetor 2010 Berisha firmos vendimin e këshillit të ministrave me numër 840 me të cilën lejon ‘’Shoqërinë UNIFI Holdings Inc. - dega Shqipëri, për të kryer studimin përkatës dhe për shtrirjen e kabllos nëndetare ndërkombëtare me fibër optike Bari (Itali) - Gjiri i Lalzit (Shqipëri)’’. I dyshimtë edhe fakti që stacioni i nisjes së linjës nënujore të ishte hipotizuar pikërisht Gjiri i Lalzit, ku familja Berisha ka lagjen e vet dhe pronat. Por kablloja nënujore nuk u vendos kurrë dhe investimi deshtoi për të gjithë, përveçse për Flutura Kolën dhe ortaken e saj Argitën, që thjeshtë për atë VKM të mbetur pa vazhdimësi, futën në arkë 7.500 euro, shumë që një qytetar shqiptar nuk e arkëton as për një vit pune. Në fakt për Argitën është një shifër e papërfillshme, pasi janë të tjera shifrat që ajo merr për konsulencat e saj, sidomos kur bëhet fjalë për konçensione për shfrytëzimin e burimeve të naftës në vend.  

Por pse shumë sipërmarrës, pikerisht kur duket se kanë vendosur biznesin e tyre në rrugën e duhur dhe kanë gjetur kontaktin e duhur politik, papritmas vendosin të tërhiqen? Një përgjigje jepet nga njëri prej tyre, pakistanezi Zafar Ansar, i cili pasi filloi marrëdhënien e konsulences me Argita Berishën dhe pasi mori faturën e parë, siç bëjnë shumë të tjerë, u tërhoq. Pse? Këtë herë është Zafar Ansa që e zbulon atë. Siç ka treguar vete dise vite me vone ne Top Chanel duke ekspozuar edhe provat, në fund të vitit 2007 edhe ai si shume te tjere kontaktoi me Argita Berishën për të bërë një investim 100 milion euro në Shqiperi në ndërtimin e një termocentrali. Ka qene ambasadori shqiptar në Arabinë Saudite Admir Banaj ai qe i ‘’sugjeroi’’ vajzën e kryeministrit si ''një konsulente me kontaktet e duhura ''. Zafar Ansar bëhet kështu klient i Argita Berishës. Shkëmbimi i postës elektronike midis Zafar Ansar dhe Argita Berishës ku referohet Flutura Kola vetëm për çështjen e pagesave, është prova më e qartë se si vajza e kryeministrit ka përdorur studion e Flutura Koles si mbulim. 

Për Argita Berishën marrëdhënia me investitorin pakistanez është një mundësi e artë edhe sepse ajo përpiqet t'i shesë tokën në të cilën do të ndërtojë termocentralin: në realitet është e njëjta tokë dhe e njëjta zonë ku ajo së bashku me burrin e saj Jamarber Malltezi dhe Flutura Kola me burrin e saj po blejnë tokë që Sali Berisha do të përfshijë më pas në parkun energjetik te Porto Romanos, duke dyfishuar vlerën e saj. Në një nga email me Zafar Ansar te zbuyluar nga Gazeta Tema disa vitet me pare,  Argita i kërkon atij që ''të vendosë shpejt për tokën’’ sepse ajo është "nën presion nga agjentët në terren’’. ‘’Agjent në terren’’, pra sekseri, është burri i saj, Jamarber Malltezi. Zafar Ansar i cili është një sipërmarrës me përvojë fillon të bëhet i dyshimtë. Nga studio e Argites më pas merr propozimin e çuditshëm qe në vend që të paguajë shërbime konsulence në orë, mund te paguhet një shumë ndërmjet 1.5% dhe 3% të vlerës totale të investimit nëse investimi përfundon mire. Eshte ajo qe Flutura Kola quan ‘’success fee’’. Pra Argita Berisha pretendon nga 1.5 deri 3 milion euro për një koncesion që varet nga babai i saj. Zafar Ansar refuzon dhe në atë moment detyrohet të heqë dorë edhe nga investimi. A u ndodhi kjo edhe investitorëve të tjerë të cilët, siç e kemi parë, kishin filluar mirë dhe më pas u tërhoqën papritmas?  Për disa investitore, megjithatë, biznesi shkoi më mirë. 

Klienti i shoqes së Argita Berishës, Stream Petroleum Albania Limites pagoi 76276 euro dhe Berisha firmosi VKM-në për 4 vendburime të hidrokarbureve

 

Mes klientëve të studios ligjore të Argita Berishës dhe që përfiton nga favoret e Sali Berishës, është edhe Stream Petroleum Albania Limited. Shoqëria themelohet në Shqipëri me 5.10.2007 si branch shqiptar i kompanisë kanadeze Stream Oil & Gas. Pas një seri procesesh gjyqësore, tani ka ndryshuar emrin në “Transantlantic Albania LTD”. 

 

Nga verifikimet bankare të kryera nga Agjencia antiriciklim mes janarit 2007 dhe tetorit 2008 zbulohet se Stream Oil & Gas i paguan studios Kola & Associates 57.486 euro dhe pastaj direkt i paguan Flutura Kolës një faturë te dyte 7.200 euro dhe një faturë te trete  11.590 euro. Edhe në këtë rast mungesa e dokumentacionit pas 16 dhjetorit 2008 e bën të pamundur verifikimin se në ç’mënyrë ka vazhduar marrëdhënia financiare mes shoqërisë dhe studios së konsulencës të lidhur me vajzën e kryeministrit. Ajo që është e qartë, është se çfarë përfiton Stream Oil falë asaj mbështetje. 

Në të njëjtën periudhë që Stream Oil paguan 76.276 euro, Baba Berisha urdhëron Albpetrolin (shoqëri publike e kontrolluar nga qeveria) për të lëshuar konçensionin për 4 burime nafte. Pastaj I takon atij të firmosë. Me 8 gusht 2007 qeveria Berisha voton Vkm numër 509 me të cilën autorizon lidhjen e ‘’marrëveshjeve hidrokarbure, për zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në vendburimet Ballsh-Hekal, Gorisht-Kocul, Cakran-Mollaj dhe në vendburimin e Delvinës, ndërmjet Albpetrol sha-së dhe Stream oil & gas limited’’. Edhe historia e Stream Oil në Shqipëri, me të rënë qeveria Berisha, u transformua në një konflikt institucional me Ministrinë dhe Drejtorinë e Tatimeve që përfundoi në gjykatë. 

Klienti i shoqes së Argita Berishës, Superbeton shpk pagoi 62400 euro dhe fitoi tender për rrugën kryesore

Argita dhe Sali Berisha nuk janë të përfshirë vetëm në një konflikt interesi mes at e bijë, në të cilën klientët privatë të Argitës marrin favore nga qeveria e Saliut. Në disa raste konflikti i interesit bëhet i dyfishtë. Ndodhi me kompanine Superbeton shpk, që në periudhën mes 2007 dhe 2008 i paguan studios Kola & Associates 46.800 euro, ndërsa në llogarinë private të Flutura Kolës derdh 15.600 euro: në total 62.400 euro të paguara nga një shoqëri që është pjesërisht publike, pra e kontrolluar nga vetë Sali Berisha.  

Superbeton shpk është një shoqëri e përzier publiko-private e ngritur në 28.09.1993. Në momentin kur shoqëria paguan studion e konsulencës të lidhur me familjen e kryeministrit, kontrollohet me 30 % nga ministria e Ekonomisë e drejtuar nga Genc Ruli dhe me 51% nga firma private Euroteorema që kur ka qene Berisha ne pushtet ka fituar dhjetëra tendera për realizimin e veprave publike. Për shembull pikërisht mes 2007 e 2008 kur studio e Argitës arketon 62.400 euro, Euroteorema fiton një tender për ndërtimin e rrugës nacionale Dhërmi-Himarë-Qeparo. Kush ka vendosur për të paguar këtë shumë të madhe në favor të studios Kola-Malltezi? Ministri që merr urdhëra nga Sali Berisha, apo shoqëria private që merr nga Sali Berisha tendera? 

Rreth aktivitetit të konsulencës ligjore të Argita Berishës dhe klanit politiko-familjar që krijoi mes 2005 dhe 2013 kryeministri, gërshetohen një seri aferash milionere që përbëjnë gjithnjë një konflikt të hapur interesi dhe që ndonjëherë bëhen skandale të vërteta. Si historia e errët e parkut energjitik të Porto Romanos, një tjetër aferë e Sali Berishës për të favorizuar biznesmenin boshnjak Damir Fazlliç, edhe ai superfinancues i klanit të familjes Berisha jo vetëm përmes studios së Flutura Kolës, por, këtë herë, duke paguar drejtpërdrejt Jamarbër Malltezin, Argita Berishën dhe duke perdor si administrator Erion Isufin, kunatin e Lulzim Bashës. Një xhiro marramendëse parash prej miliona eurosh, me prejardhje nga parajsa fiskale dhe të konvertuara më pas në cash. Mënyra më e sigurtë për të korruptuar, pa lënë gjurmë. 

 Dhe pikërisht për këtë histori tjetër gjigande korrupsioni dhe mashtrime ndaj fshatarëve dhe pensionistëve që i kanë shitur tokat Jamarber Malltezit me ½ e vlerës, do të flasim me fakte dhe dokumente në investigimin e ardhshëm duke treguar prapaskena të pabotura ndonjëherë më parë.

Lexo këtu  
INVESTIGIMI II/ Aferat serbe të Berishës: Miliona euro në studion ligjiore e familjes nga Lazareviç, të lidhur me trafiqe e parajsa fiskale, dhe tendera 120 milionë euro për serbin

K.T.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • minushe: 06/12/2023 09:21

    po kur hiqen si te ndershem kjo ta sjell ne maje te hundes....Berishet

    Përgjigju
  • Arber: 23/03/2021 10:04

    Bravo nje shkrim investigativ shkelqyer . SPAK zgjohu.

    Përgjigju
  • kastriot: 23/03/2021 05:00

    votoheni prape keta plerat ,keta doni me 25 prrille votohini ta shkatroje prape shqiperine e lodhure ,spaku cfare ben pse nuke e arreston kete a po nuke ka fakte

    Përgjigju
  • Ethem Lalaj: 22/03/2021 22:37

    D.Berisha është Kryeministri më i korruptuar dhe i kriminalizuar në 109 vite Shte,dhe në Botën,më i lig se A.Zogu,Hitleri,Stalini. Sb duhet të ishte në burg dënuar me 101.Por Sb kapi Gjykatën e Prekurorinë që në 92.Dhe vazhdon ta komandoi deri sa të jetë gjallë. -SPAK është zhjatim i Krimeve të rënda me në krye Tropojanin B.Hajdarmata,ku kanë ndryshuar vetëm zyrat. -Po kësht,KLP,KLGJ janë tredhur nga Sb,pasi nuk vepron të shkarkoi e sekuestroi pasurinë të VETINGUARVE që tashmë ikën nga drejtësia dhe u futën avokat...dhe tallen me gjyqsorin e Gjin Gjonëve. -Ditë më parë në TV doli afera korruptive e Klubit "Partizani,dhe drejtësia po heshtë. -Edhe kjo aferë korruptive e S.Berishës skandaloze do shumzohet me zero. -Sb ka bërë mbi 80 krime që nga 1991-2013.Dhe nuk ka psuar asgjë.Pse: Është i drejtuarë nga agjenturat e huaja me pseudonimit "Penicilina" dhe "Bisturia" -Pa arrestimin e Sb,Lb nuk bëhet PD dhe nuk do bëhet Shqipëria.Drejtuesit e PD janë të gangësterve kriminel të TIPIT ISIS.PD duhet të nxirrej jashtë ligjit që në 96,97,98,011. -Banda e Sb është dhe do të TMERR i Shqipëtarëve,si në opizitë edhe në pushtet..që nuk duhet të vijë në pushtet pa u reformuar 100 %.Sb nga frika e SPAK nuk ikën nga politika deri në vdekje..! Ai është koka e krimit familjarisht në 30 vite. -Falinderoi REPORT TV për diskredidimit të Sb familjarisht për këto ofera korruptive krimi makabër me përmasa kombëtare ...dhe që po çudit Botën..!

    Përgjigju
  • Mos ardhshin me ato dite te zeza: 22/03/2021 20:53

    Ne hipoteken e Saliut per te marre nje certifikate pronesie personi qe i leshonte me kerkoi 2000 euro dhe ia dhashe. Matrapaze te qelbur sistem i ndyre Per te marre pronen tende te paguaje gjithe ato para

    Përgjigju
    • Ikni: 06/12/2023 02:00

      I lini me Bangladeshasit

    • Hallexhiu: 22/03/2021 22:20

      Njësoj është vëlla, asgjë nuk ka ndryshuar. Kam 2 vjet që më sjellin vlrdallë për të rregjistruar pronën time në hipoteken e Beratit. Shko provoje po deshe. Hiq një hajdut e vendos një tjetër.

  • Kujtim pici: 21/03/2021 12:43

    PER SA TE JET SALI BERISHA AKOMA KANDITAT PER DEPUTET NGA PD SHQIPERIA DO SHKOJ POSHTE E ME POSHTE KA VRARE NJERZE NE GERDEC PER TE VJEDHUR KA VRARE NE BULEVART PER TE VJEDHUR DHE SPAKU DHE BKH FLEN GJUM JU RENTE BOMBA ISHALLA REFORMES NE DREJTESI PERDERISA SALI GERDECI DHE ILIR FLORIRI JAN JASHTE QELIVE TE BURGUT

    Përgjigju
  • spaku: 21/03/2021 08:43

    po cdreqin keni qe lodheni te nxirrni fakte kur ska byth njeri ti beje gje pfff

    Përgjigju
    • Vetingu: 22/03/2021 21:54

      Tamam. Gam gam kot!

  • dulja: 21/03/2021 07:55

    ku jane ata analistat ata servilat ai Bledi Ferziu koke zbathuri pse nuke bene nje opinion pere Berishen hyy krrimbate e gjizes

    Përgjigju
  • Like: 21/03/2021 06:41

    Mire tja bejne ketij populli klani berishes. Qumeshtin e nenes tju nxjerrin sepse vet e kerkoj ky popull. Rane nga shiu ne bresher. Tanî ti fusin ne b...e ato dy gishtat.

    Përgjigju
  • Like: 21/03/2021 06:38

    Mire tja bej ketij populli klani berishes qumeshtin e nenes tju nxjerrin ketij populli. U qan nga shiu e rane ne bresher. Ti fusin ne b...e dy gishtat tani

    Përgjigju
  • Hajdut: 21/03/2021 00:22

    Nuk e kuptoj kjo qeveri ka 8 vjet ne pushtet kur i ka me fakte qe saliu dhe te gjithe kane vjedhur pse nuk I ka futur te paktne nje gjemb ne kembe po akoma pas 8 vjetesh na tregojne paralla me hajduta kjo nenkupton qe te gjithe vjedhin si ata me pare dhe keta tani dhe gjithmone mbajne njeri tjetrin njehere vjedh njeri njeher tjetri

    Përgjigju
    • Ali Baba: 22/03/2021 21:53

      Se dhe keta kusur nuk i kane lene po vjen fushata tani dhe kujtohen...

  • Lui: 20/03/2021 23:34

    Nuk i duhen popullit keto dokumenta, sepse populli e di shume mire cfare kane bere keta monstra. Ju te redaksise, nese vertete i dispononi keto dokumenta, dorezojini ne SPAK, dhe me shpresen qe SPAK do vendose drejtesi. Por dhe SPAK me zhgenjeu me Adriatik Llallen. Si mund te denohet vetem 2 vjet nje prokuror i pergjithshem i cili ka qene kupola e korrupsionit. As konfiskim pasurie, as denimin e duhur..?!

    Përgjigju
  • O tej: 20/03/2021 23:29

    Familja Berisha familje qensh.

    Përgjigju
  • Ai: 20/03/2021 22:05

    Ishalla I vjen shpejt rradha

    Përgjigju
  • Rexhep KASAP Bule Leka [ kepi ]: 20/03/2021 21:12

    Ore po nuk kuptojm pse vazhdojn jepen kto fakte të pa kundërshtushme kur çdo Shqiptar e di që salmut bershurra është kriminel, hajdut, ginjeshtar, e burec i ndyr. Por ky monstër vazhdon e bredh i lir në një koh që ky duhet të ishte në burg me burg të përjetshëm prandaj me emrin salmutështë e kot që të diskutosh për ktë qelbësir.

    Përgjigju
  • administrata: 20/03/2021 19:49

    Me ne fund, dikush po tregon zhvatjen me te medha ne shekuj qe Klani serbomafioz i Sali Berishes i ka bere shtetit shqiptar. Uroj te keni dokumente te shumta edhe pse ata vidhnin perdite nga nje gje. Une jam nenpunes ne administrate dhe ju siguroj qe nje hajdutllik si i ketyre nuk i ka ndodh shqiptareve as nga turqit, as nga italjanet as nga gjermanet. Mafja eshte amatore para ketij oktapodi me koken e Berishes

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?