SPECIALE/ Etnografja Afërdita Onuzi rrëfen historinë e rrallë 4000-vjeçare të Xhubletës: Shqiptarët e ruajtën, se Alpet i dhanë besën

23 Nëntor 2022, 21:33| Përditesimi: 24 Nëntor 2022, 09:29

  • Share

Etnografja Afërdita Onuzi, sjell botimin e rrallë “Xhubleta”. Në kuadër të përurimit të librit dhe ekspozitës me këtë veshje dhe objekte të tjera shoqëruese në Institutin e Antropologjisë (ASA), gjatë “Ditëve të Albanologjisë” ajo rrëfen historinë e kësaj dukurie prej gjurmëve të para 4 mijë vjeçare deri më sot.

“Kërkush tjetër nuk mun e majë”; “Asht e dhënave tona, prandaj e kemi rujtë e do ta ruejmë”; “Kërkund tjetër nuk e gjen”. Janë vetëm disa nga fjalët që Afërdita Onuzi, pat dëgjuar plot gjysmë shekulli më parë, teksa ecnin rrafsh nga Nikaj-Mërtur, në Dukagjin e der në Shkodër. Gjatë asaj ekspedite në Alpet e Shqipërisë, etnografja do të mahnitej krahas natyrës e mikpritjes me  veshjen e “ujdisur” të xhubletës; teknikën artizanale të krijimit, zellin e ruajtjes apo edhe legjendat që e rrethonin e krijonin dyzimet mes mitit e reales.

Studiuesja i përcjell këto dëshmi edhe përmes ilustrimeve, në botimin shkencor “Xhubleta” si dhe një ekspozite unikale, të çelur këtë të martë në Institutin e Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit, duke tentuar të krijohet mjedisi tipik etnokulturor i kësaj veshje. Shoqërohet nga të tjera objekte karakteristike, si një karrige agallarësh, vendi i lahutarit, ku Afërdita Onuzi thotë se në një të ngjashme është ulur Papa i Romës në Mesjetë, stoli grash, breza pështjellaku, e të tjera pjesë të mbledhura nga “i dashuruari” pas xhubletës, studiuesi Rrok Zojzi. Onuzi gjatë kësaj ngjarje, tërheq vëmendjen mbi vlerat e rralla të kësaj pjese të trashëgimisë sonë, gjurmët e së cilës, siç rrëfen datojnë mbi 4 mijë vjet më parë.

“Në fakt edhe këtu konsiston specifika e kësaj veshje, siç e thatë dhe ju, mbi 4 mijë vjeçare, fakt i dokumentuar nga arkeologë shqiptarë dhe të huaj”, thotë studiuesja etnografe Afërdita Onuzi, autore e librit “Xhubleta”.

Ndonëse në zanafillë, hapësira e përdorimit të kësaj veshje ka qenë më e zgjedhuar, përgjatë këtyre mijëvjeçarëve sipas studiueses, e sjell deri në ditët e sotme në vendin tonë  jo vetëm mjedisi natyror, por edhe ai njerëzor...

“Ka qenë një veshje, jo vetëm në territorin e banuar nga parailirët, ilirët e më pas pasardhësit e tyre por që gjendej në gjithë Pellgun e Mesdheut, çka e dëshmojnë të gjitha këto gjetje arkeologjike. Bashkë me këto veshje i shtohet edhe pjesa e Ilirisë. Por ndryshe nga këto vendet e tjera të Pellgut të Mesdheut si Kreto-Mikena, Serbi, Bosnje etj., dhe zona të tjera, kjo veshje erdhi tek shqiptarët duke kaluar te ilirët, e më pas shqiptarët e Mesjetës së Hershme dhe Mesjetës së Vonë, deri në fillim të shekullit të XX-të, e patundur nga istikami, të themi përsa i përket formës së saj”, shprehet më tej studiuesja.

Studiues të ndryshëm, siç rrëfen Onuzi, e konsiderojnë si veshje në formë kambane të valëzuar.

“Është forma, është sistemi dekorativ i përdorur në xhublet i cili na sjell jehonën e periudhave më të hershme historike. Dhe specifikë tjetër është që ndryshe nga veshje të tjera që pësojnë evolucionin e tyre jo vetëm në formë, por edhe në dekorative, xhubleta nuk ka ceduar fare. Është ruajtur krejtësisht brenda tipit llojit të vet pa pësuar ndryshime që të na e tjetërsojnë sadopak këtë veshje”, thotë më tej Onuzi.

Xhubleta nuk është prodhuar me porosi nga artizanë të zonës, por në gjirin e çdo familje shqiptare. Është përçuar brez pas brezi nga gratë tek gratë. Nga nënat te bijat. Nga punimi i saj, me sqimë, tek mënyra e veshjes, çdo detaj është respektuar si ritual i vetëm.

“Ka pasur gra të zonës që e prodhonin, e për këtë arsye kishte shije kolektive, kishte rregulla kolektive që ato nuk kalonin... Duhej diçka që pranohej nga kolektivi, ishte brenda shijeve, brenda etnopsikologjisë. Një grua e një zone tjetër nuk mund ta punonte xhubletën, për shumë arsye. E para, dhe kjo është arsyeja, që kur ne dëgjojmë fjalën "ne jemi bijë të xhubletës", pra duhet ruajtur xhubleta me identitetin e saj dhe jo të veshjeve të tjera. Pra, jemi banorë të këtij mjedisi gjeografik, ku ka qarkulluar xhubleta, Dhe kjo çon “ujërat e mullirit”, që pse u ruajt në këtë zonë. Se Alpet, ku u ruajt, i dhanë besën xhubletës”, shton Onuzi.  

Siç rrëfen Onuzi, në esencë të konceptit të saj, në veshjen e xhubletës studiuesit kanë pikasur elementë të vendeve të ndryshme, si forma e fundit në Serbi, apo objekte të ngjashme të Mikenës e Kretës,  mirëpo konservimi i saj në Shqipëri deri në ditët e sotme, u shoqërua më përshtatje në material me zonën klimatike të ftohtë në Alpe.

“E tjetërsoi në fakt në material sepse kur ishte në Pellgun e Mesdheut, nuk kishte material kaq të trashë, por ishte prej liri. Dimë që pëlhurat më të hershme janë prej liri, por fije të trasha që e ruanin atë pamjen statike. Më pas duke qenë se mbeti në një zonë me dëborë me të ftohtë, u bë me material leshi, me material të trashë, gjë që e përforcoi pamjen statike”

Ndonëse tanimë ngjyra mbizotëruese e xhubletës është e zeza, etnografja, thotë se deri në tri shekuj më parë, kjo veshje ka qenë e plotësuar me një larmishmëri ngjyrash që i jepnin një pamje më të gëzueshme.

“Xhubleta deri në shekullin e XVIII-të ka qenë me më shumë ngyra. E thonë dhe shumë udhëtar të huaj, mes tyre një udhëtar hungarez që thoshte ‘as palloi nuk ka pasur kaq shumë ngjyra”, rrëfen etnografja.

Tjetërsimi i ngjyrës në të zezës, është rrëfyer nga populli gojarisht si shenjë zie, për vdekjen e heroit, Gjergj Kastriot Skënderbeun, por parë shekujt e vonë kur ndryshimi ka ndodhur, siç tregon Onuzi, ky variant bie...

“E thotë populli kështu, por në fakt është bërë për prakticitet. se nuk mund të lahej kollaj. U bë e zezë me qëllim për të pasur sa më pak ndotje.. Ndonëse edhe për ta pastruar xhubletën ka një teknologji të veçantë hidhej mbi borë, dhe pastaj pastrohej duke e goditur që t’i binin papastërtitë”, tregon ajo.

Onuzi tregon se tradita e ka dashë, që një nuse të kishte në pajë 5 xhubleta, nga dita që martohej deri në moshë të tretë... Xhubleta e nusërisë quhej e mira. Ajo mund të vishej në festa fetare, ose në vitet e para të martesës kur martoheshin vëllezërit. E pasmira përdorej deri në moshën 40 vjeç. E treta i takonte një dekade më pas në ciklin jetësor të gruas, ndërsa më tej pasonin e parakeqja dhe e keqja. Ndërsa me kalimin e viteve, stolitë përdoreshin gjithnjë e më pak.

“Një vajzë në pajë duhet të kishte 5 xhubleta, edhe mund të mos i kishte, por t’i  merrte nga nëna, nga gjyshja, të kalonte brez pas brezi e të  trashëgohej. Sepse të bëje 5 xhubleta do të thoshte të angazhohej "një ushtri" e tërë për ta punuar brenda një kohe të shkurtër. Në këto raste ndihmonin farefisi, vajzat, gratë, kishte një angazhim sepse kërkonte shumë kohë, shumë punë për ta bërë xhubletën.”, shton studiuesja.

Lidhja e grave shqiptare me xhubletën, është kthyer për gratë e Alpeve në një simbolikë të fortë. Në librin "Xhubleta", Onuzi sjell në vëmendje rastin e një zonje të moshuar nga Berisha e Pukës, që kishte të trashëguar një xhubletë të mirë, të cilën studiuesi Rrok Zojzi i kishte propozuar t'ia blinte e që ajo refuzonte përballë çdo kërkese ta jepte, pasi donte që ribashkimi me të shoqin të ndarë nga jeta ta kishin si në martesë, po me atë veshje.

“Ka qenë në atë goditjet e mia, ndjesitë e mia pasi u ktheva nga ekspedita, kur morëm vesh që një grua në Berishë të Pukës, kishte xhubletën e mirë të parën, të cilën Rrok Zojzi e kishte parë dhe ëndërronte ta kishte pjesë të Arkivit. Kur hyn në bisedime me të ajo ishte në prag të vdekjes, dhe tentuan t’ia merrnin duke i ofruar një shumë me të vërtetë të konsiderueshme për kohën. Por ajo refuzoi sepse donte që ta kishte... Me atë xhubletë kishte ardhur nuse, dhe donte, që kur i shoqi t’i dilte përsëri përpara, ta njihte duke e parë sërish me atë veshje”, tregon Onuzi.

Kjo ishte vetëm një dëshirë e zonjës së moshuar që u respektua ngë fëmijët e saj, por siç thotë Onuzi, nuk është pjesë e traditës.

“Jo, nuk ishte pjesë e traditës. Përgjithësisht në traditë ka qenë që zonat me popullsi katolike, me banorë katolikë, kanë shkuar të veshur, dhe jo me qefinin e bardhë. Zakonisht katoliket kudo shkonin të veshura. Madje në Shkodër ka pasur, për t’i përcjellë,  çarçafët e kuq dhe çarçafët e bardhë. Kush vdiste i pari, i vendosnin çarçafët e kuq me vete dhe i veshur me rrobat më të mira. Edhe burrat kur vdisnin në disa kujtime të autorëve të ndryshëm dhe priftërinjve që kanë udhëtuar në zonën e Dukagjinit, flasin për diçka të tillë. Ka pasur një rast kur një zotëri vdiq, për shkak të gjakëmarrjes, dhe nuk e futën në dhem derisa u gjet edhe brezi i mirë, tirqi i mirë për ta çuar në atë botë si zotni”, tregon Onuzi.

Xhubletat janë punuar me gajtanë e penjë të fortë, e për të duhen një numër i madh copash edhe rripash për t’i dhënë formë kompakte. Ajo shkon deri në 14 kg e  gratë malësore siç rrëfen etnografja, e përkufizojnë si veshje që "rri në këmbë". Tri pjesët kryesore të saj janë shtati, prehri e shpina, ndërsa ka një sërë elementësh të tjerë si paraniku, pështjellaku, kërdhokla, kraholi, grykësja, kallmat, ruba e kresë si dhe opaktë. Onuzi rrëfen se kjo veshje, nuk ka asnjë të ngjashme në Evropën Juglindore.

“Absolutisht me asnjë lloj veshje, ndoshta më gjerë, jo vetëm në Evropën Juglindore. Kam pasur raste të shoh muze jo vetëm të vendeve evropiane, të shoh edhe Muzeun e Artit Metropolitan, ku janë veshje të kulturave të ndryshme botërore po edhe muzetë e popujve ballkanikë. Xhubleta është vetëm në zonën e Alpeve të Shqipërisë.”, shprehet ajo.

Janë të rrallë stilistët, siç thotë Onuzi, që i qëndrojnë besnik, traditës së xhubletës, duke synuar të mos devijojnë nga origjinali.

“Për fat të keq shumë rrallë arrihet të ruhet pamja... Ka pak emra, si, Edlira Sula, që merret me veshje popullore. Dhe kur ajo ka marrë guximin për të riprodhuar xhubletën, sepse në fakt është një punë që kërkon guxim, ka ardhur këtu (Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit-ASA) dhe  ka konsultuar disa lloj xhubletash, duke gjetur edhe materialin më të trashë për të qenë sa më afër materialit të xhubletës. Nga ana tjetër, xhubleta do dhe ruajtjen e motiveve.Sot vëmë re që rëndom i shtohen lule të ndryshme, që janë krejtësisht kundër natyrës së xhubletës.”, thotë ajo.

Edhe në mënyrën se si vishet sot xhubleta në Festivale, apo ngjarje të tjera, Onuzi thotë se shumica, veçmas brezi i ri nuk i përmbahen mënyrës tradicionale që ajo është përdorur nder shekuj

“Do përjashtoja brezin e ri, që ka qejf ta vesh xhubletën për të dalë, por nuk ka qejf t’i rrijë strikt disiplinës së xhubletës, edhe pjesë të veçanta të saj nuk vendosen në vendin e tyre, ndoshta sepse nuk e njohin. Dhe në këto raste edhe në festivale apo aktivitete të ndryshme, ne merrnim si konsulentë të para, gratë e moshuara, sepse ato nuk çedonin as në radhë, as në mënyrën e vendosjes së pjesëve të veçanta”, shprehet Onuzi.

Por, në këto rrethana, a rrezikon tradita e xhubletës të humbasë?

“Dije bërja po! Rrezikon sepse kërkon dije të bëhet. Xhubleta kërkon njohje të mirë, nuk pritet në një pjesë, por përdoren për disa rripa për ta realizuar...Rripi i poshtëm që krijon valëzimin, duhet të jetë më i gjatë dhe më i gjerë, pastaj vjen gradualisht duke u ngushtuar dhe problemi kryesor është ngjitja e këtyre rripave që bëhet me spik, me disa lloje gajtanësh. Dhe kjo është punë e vështirë shumë e vështirë, që njëkohësisht kërkon të mos krijohet asnjë rrudhosje, që sipërfaqja të jetë krejtësisht e rrafshuar”, thotë studiuesja.

Edhe vetë Ministria e Kulturës e konsideron mbajtjen gjallë të dukurisë së xhubletës si sfidë. Xhubleta është dosja e parë që është futur në proces për t’u pranuar në UNESCO prej marsit të kaluar. E pasi ka kaluar fazën e parë të kontrollit administrativ, siç tregon Kumbe, pritet që në dhjetor komiteti të marrë një vendim.

“Për UNESCO-n do më vinte keq nëse nuk e ka në avantazh madje do të thosha në maj të majave. Duhet të jetë xhubleta e para në çdo drejtim , sepse është një veshje unikale, është çelës edhe për kulturën evropiane”, shprehet Onuzi.

Në pritje të vendimit të UNESCO-s, reflektimi kërkohet prej institucioneve tona të kulturës për të marrë masa për ndërgjegjësim e investim në komunitete, ku kjo dukuri, mund të vijojë të trashëgohet.

“Sigurisht duke mbështetur së pari dije bërjen dhe së dyti ne kemi Arkivin tonë (pjesë e IAKSA-së) shumë të pasur me këtë rast, sa mund të dëgjojnë ato që i kanë në dorë këto punë, të na krijojnë mundësi për ruajtjen në dollap të posaçëm. Ne këtu bëjmë punë me mjete rrethanore mund të themi me kujdesin, me vëmendjen, ne dashurinë tonë... Por sa do vazhdojë ruajtja me dashuri? Pra mjedis më të mirë, kimikatet e duhura, publikime dhe ruajtja e panteonit të xhubletës.”, shprehet ajo.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?