Pasoja shkatërrimtare raportohen në Afganistan nga tërmeti prej 6.3 shkallësh Rihter në perëndim të vendit. Numri i të vdekurve vlerësohet të jetë 2 mijë, ndërsa një udhëheqës i lartë taleban, citohet nga Al Jazeera të ketë shtuar se bilanci mund të rëndohet edhe më tej.
Suhail Shaheen, zëdhënës i talebanëve bëri të ditur se shumë njerëz janë të zhdukur megjithë operacionet e shpëtimit që po përpiqen për të nxjerrë njerëzit e bllokuar nën rrënojat e ndërtesave të dëmtuara, kryesisht në provincën Herat.
Shaheen tha se vendi ka nevojë urgjente për tenda, produkte mjekësore dhe ushqimore në zonat e goditura nga fatkeqësia.
Gjashtë fshatra janë shkatërruar dhe qindra civilë kanë mbetur nën rrënoja. Tërmetet e shumta të shtunën goditën zonën në veriperëndim të qytetit të Heratit rreth orës 11 të mëngjesit të së shtunës. Pasgoditje të forta u ndjenë në provincat fqinje Badghis dhe Farah.