Bota

Sulmi terrorist në aeroportin e Kabulit, hakmerret SHBA! Vret me dron 2 ‘koka’ të grupit ISIS-K, plagos një tjetër! Talebanët i kërkojnë Biden përfaqësi diplomatike në Afganistan

28 Gusht 2021, 08:48| Përditesimi: 28 Gusht 2021, 19:19

  • Share

AFGANISTAN- Pak orë pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës paralajmëruan se ditët e ardhshme parashikohen të tjera sulme terroriste, Pentagoni ka konfirmuar vrasjen e dy "kokave" të grupit ISIS-K për të cilët, ushtria beson se ishin përgjegjës për planifikimin e sulmit vdekjeprurës ndaj Shteteve të Bashkuara në Kabul. Ndërkohe një i tretë ka mbetur i plagosur.

Detajet i dha gjenerali Ëilliam Taylor gjatë një konference për shtyp të Pentagonit. Vrasja e funksionarëve të grupit të ri terrorist ISIS-K erdhi gjatë një kundërpërgjigjeje me dron të ushtrisë amerikane, më pak se 48 orë pas shpërthimit vdekjeprurës pranë aeroportit të Kabulit, si pasojë e të cilit u vranë rreth 200 persona. 13 prej tyre ishin ushtarë amerikanë, ndërsa mbi 150 persona mbetën të plagosur.

Ambasada Amerikane u bëri thirrje qytetarëve amerikanë që të qëndrojnë larg aeroportit të Kabulit për shkak të kërcënimeve të sigurisë dhe të largohen menjëherë nëse janë pranë ndonjë prej katër portave të aeroportit. Përfaqësuesja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki tha të premten se zyrtarët amerikanë mendonin se një sulm tjetër terrorist në Kabul ishte "i mundshëm".

Nga ana tjetër Talebanët i kërkojnë SHBA-ve të mbajë një prani diplomatike në Afganistan pas përfundimit të tërheqjes së saj, e planifikuar më 31 gusht, por Uashingtoni ende nuk ka marrë një vendim, njoftuan zyrtarë amerikanë. Ndërkohë që në aeroportin e Kabulit,  talebanët kanë ngritur pika kontrolli në çdo rrugë që të lidh me të për të mos lejuar kalimin e  afganëve. Shumica e vendeve të NATO -s i kanë dhënë fund fluturimeve të tyre emergjente. Edhe Franca i dha fund përpjekjes për evakuim të premten, duke fajësuar përkeqësimin e sigurisë në aeroport.

ISIS-K ka marrë përgjegjësinë për të dyja sulmet jashtë aeroportit të Kabulit, ku deri tani regjistrohen mbi 200 viktima, mes tyre 13 trupa amerikanë dhe mbi 150 të plagosur. Presidenti Joe Biden premtoi se do të gjente xhihadistët pas sulmit vetëvrasës. ISIS-K, ose Provinca Khorasan e Shtetit Islamik, është grupi më ekstrem dhe më i dhunshëm nga të gjitha grupet militante xhihadiste në Afganistan.

Ndërkohë që në aeroportin e Kabulit  situata vijon te jetë tepër e tensionuar dhe talebanët kanë ngritur pika kontrolli në çdo rrugë që të lidh me të për të mos lejuar kalimin e  afganëve, në dy javët e fundit, më shumë se 100,000 njerëz besohet se janë evakuuar. Ndërkohë që afati i 31 gushtit për të mbyllur procesin e evakuimit po i vjen fundi me mijëra afganë ndodhen në aeroport dhe rreth tij me shpresën për t'u larguar nga duart e talebanëve.

Ora 19:03
Sulmi terrorist në aeroportin e Kabulit, hakmerret SHBA! Vret me dron 2 ‘koka’ e grupit ISIS-K, plagos një tjetër

Dy “koka” të grupit të rrezikshëm terrorist të ISIS-K, kanë mbetur të vdekur gjatë një sulmi me dron amerikan në Afganistan, ndërsa një tjetër është plagosur. 

Lajmi i cili u bë me dije nga një zyrtar i lartë i Penatagonit, erdhi si pasojë e hakmarrjes së SHBA, pas sulmit terrorist në aeroportin ndërkombëtar të Kabulit, ku humbën jetën 13 ushtarë amerikanë dhe mbi 200 të tjerë.

Gjatë fjalës së tij, zyrtari specifikoi se nuk ka mbetur i vrarë asnjë civil nga ky sulm.

“Ne do të vazhdojmë të mbrojmë vetën dhe të shfrytëzojmë mundësinë e operacionin ajror kundër terrorizmit.”. tha ai.

ISIS-K ka marrë përgjegjësinë për shpërthimin vdekjeprurës në perimetrin e aeroportit të Kabulit të enjten, në të cilin u vranë të paktën 200 afganë dhe 13 anëtarë të shërbimit amerikan.

Ora 16:05
Macron: Duhet të qëndrojmë vigjilent, ISIS-K ende një kërcënim

Kanë kaluar 48 orë pas sulmit të përgjakshëm në aeroportin e Kabulit ku humbën jetë mbi 200 persona dhe presidenti francez, Emmanuel Macron ka paralajmëruar se ISIS-K në shtetin Islamik mbetet ende një kërcënim.

“Ne të gjithë e dimë se nuk duhet të ulim vigjilencën, sepse ISIS-K në Shteti Islamik mbetet një kërcënim dhe se lufta kundër grupeve terroriste duhet të jetë një përparësi e qeverisë tuaj” tha Macron, pas një takimi me kryeministrin irakian Mustafa al-Kadhemi në Bagdad.

Kadhemi u përgjigj se Iraku dhe Franca janë partnerë kryesorë në luftën kundër terrorizmit.

Macron synon të nxjerrë në pah rolin e Francës në rajon dhe vendosmërinë e saj për të nxitur luftën kundër terrorizmit.

Presidenti francez e konsideron Irakun "thelbësor" për stabilitetin në Lindjen e Mesme të trazuar, shtoi ai.

Ndërkohë ministria franceze e Mbrojtjes Florence Parley ka shkruar në Twitter së: Në më pak se dy javë, trupat franceze kanë përfunduar operacionin për të evakuuar pothuajse 3,000 persona, përfshirë më shumë se 2,600 afganë që u zhvendosën në Francë.

 

Ora 14:28
Zyrtarët amerikanë paralajmërojnë: Rrezik për sulme terroriste në SHBA! Persona të lidhur me ISIS apo al Kaedën mund të futen në vend nëpërmjet evakuimeve

Zyrtarët federalë amerikanë kanë paralajmëruar për sulme të mundshme terroriste në SHBA, pas evakuimeve masive nga Afganistani.

Departamenti i Sigurisë Kombëtare në SHBA po gjurmon tre kërcënime kryesore, pasi individët jashtë Afganistanit, të cilët janë të lidhur me ISIS ose al Kaedën, mund të përdorin procesin e evakuimit si një mënyrë për të hyrë në SHBA.

"Për t'iu kundërvënë kësaj, ekziston një proces i gjerë shqyrtimi dhe verifikimi që për ata që po zhvendosen në Shtetet e Bashkuara," tha shefi i Inteligjencës John Cohen.

Të gjithë afganët që shkojnë në SHBA do të kontrollohen me imtësi, ndërsa do të intervistohen edhe nga FB.

Ora 13:57
Vrasja e Terroristit të ISIS, NATO dhe SHBA paralajmërojnë për të tjera sulme terroriste në Kabul: Ditët në vijim, të rrezikshme

SHBA dhe NATO kanë paralajmëruar për të tjera sulme terroriste në Kabul, që mund të ndodhin në ditët në vijim, ndërsa operacionet e evakuimit vijojnë.

Paralajmërimi vjen pasi ushtria amerikane njoftoi sot se ka vrarë me dron një nga planifikuesit e sulmit kamikaz të grupit terrorist ISIS-K në aeroportin e Kabulit.

Kjo mund të nxisë reagime më të ashpra të ISIS, ndërsa Shtëpia e Bardhë bën me dije se ditët në vijim, ka të ngjarë të jenë më të rrezikshme.

"Ne po i monitorojmë këto kërcënime, shumë, shumë konkretisht, praktikisht në kohë reale. Jemi përgatitur për veprimet e mundshme të tyre", tha zëdhënësi i Pentagonit John Kirby.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?