AFGANISTAN- E reja po qante, duke iu lutur mjekut që ta vriste atë dhe foshnjën e saj, e cila ishte gati që të vinte në jetë, në një botë që nuk po e priste me krahë hapur. Dr Nuri, një mjeke obstetër në Afganistanin qendror, ishte gati të lindte fëmijën, por iu desh të përballej me një nga kërkesat që as në ëndërr nuk mund ta kishte menduar se do e dëgjonte.
"Unë nuk e di se si mund të qëndroj gjallë dhe se si mund të lind një qenie tjetër njerëzore”, dëgjohet të thoshtë një nga gratë, që këtë moment hynor të sjelljes në jetë të fëmijës së saj, e shihte si “mallkim”.
Gratë në repartin e Dr Nurit janë aq të kequshqyera sa që e dinë se nuk ka gjasa të kenë mjaftueshëm qumësht gjiri për të ushqyer fëmijët e tyre. Repartet në spital, janë aq të mbushura me njerëz, saqë doktoreshës i duhet që të sjellë në jetë foshnje në ambiente që as për therjen e kafshëve nuk janë të denja. Mure të ndotura me gjak si edhe çarçafë të pisët...kjo është situata në maternitet, ku punonjëset e pastrimit u detyruan që të largoheshin muaj më parë pasi ishin të shkatërruara nga puna me orare të zgjatura e që nuk paguheshin kurrë. Materniteti është aq i mbushur me njerëz, sa ndonjëherë mund të shohësh edhe disa gra në një shtrat. Klinikat private janë dashur të mbyllen dhe ky spital, dikur prestigjioz e shumë modern në Afganistanin qendror, numëron trefishin e numrit të grave që ka pritur dikur dhe në kushte çnjerëzore.
“Materniteti është një nga repartet më të lumtura të çdo spitali, por jo më në Afganistan”, thotë mjekja obstetër, teksa rrëfen se në dy javë në shtator ka parë pesë foshnja të porsalindura të vdisnin nga uria. Është si ferr këtu”, tregon ajo.
Marrja e pushtetit nga talebanët përshpejtoi zbritjen e vendit drejt kolapsit ekonomik. Rrjedha e ngadalësuar e ndihmës ndërkombëtare, e cila mbështeti ekonominë dhe sistemin e saj shëndetësor për dekada, u ndal në gusht. Donatorët perëndimorë përmendën shqetësime serioze në lëvizjen e parave përmes një qeverie që mohon të drejtat themelore të grave dhe vajzave dhe kërcënon me ndëshkime të ashpra të Sheriatit, raporton Shqiptarja.com. Kjo do të thotë se Afganistani po përballet me krizën më të keqe të urisë. Sipas shifrave të fundit të OKB-së, rreth 14 milionë fëmijë pritet të vuajnë nivele akute të kequshqyerjes këtë dimër.
Një prej fëmijëve në një prej spitaleve në Afganistan
Në të gjithë vendin, spitalet që trajtojnë të uriturit janë në prag të kolapsit, me gati 2,300 objekte shëndetësore tashmë të mbyllura. Mjekët në zona të largëta kanë raportuar se nuk janë në gjendje të ofrojnë ilaçe bazë , madje as paracetamolin për të sëmurët rëndë që kanë ecur 12 orë për të kërkuar trajtim.
Në kryeqytet, një spital i madh për fëmijë po përjeton disa nga rastet më të këqija të urisë në vend. Aktualisht funksionon me kapacitet 150%.
Drejtori i spitalit Dr Siddiqi foli për një rritje të numrit të viktimave në shtator pas ndërprerjes së fondeve, kur deri në katër fëmijë nën moshën 10 vjeç vdisnin çdo javë nga kequshqyerja ose sëmundjet e lidhura me to, si helmimi nga higjiena e dobët e ushqimit. Ai thotë se peshën më të madhe të kësaj krize e mbajnë fëmijët, me shumicën nën moshën pesë vjeç që mbërrijnë shumë vonë për t'u shpëtuar.
"Këta fëmijë po vdesin”, thotë ai.
Për ata që ia dalin në kohë, ka pak burime me të cilat mund t'i ndihmojnë - spitali po vuan mungesën serioze të ushqimit dhe ilaçeve dhe përpiqen t'i mbajnë pacientët edhe ngrohtë mes tëmperaturave të ulëta. Nuk ka karburant për ngrohje qendrore, kështu që Dr Siddiqi tregon se kërkon nga stafi që të presë dhe mbledhë degë të thara të pemëve çdo ditë për ndezur sobën prej druri.
"Kur mbarojmë degët, ne shqetësohemi për muajin e ardhshëm dhe çfarë të bëjmë më pas”, thotë ai.
Në maternitetin e Dr. Nuri, ndërprerjet e rregullta të energjisë elektrike po rezultojnë fatale. Disa foshnje të parakohshme kanë vdekur në inkubator, thotë ajo.
"Është shumë e trishtueshme t'i shohësh ata duke vdekur para syve të tu”, tregon doktoresha.
Ajo thotë se ndërprerjet e energjisë kanë pasur pasoja fatale edhe për pacientët që i nënshtrohen operacionit.
"Ditën tjetër, ishim në sallën e operacionit dhe rryma ishte ndërprerë. Gjithçka ndaloi. Unë vrapova dhe bërtita për ndihmë. Dikush kishte karburant në makinën e tij dhe na dha që të ndiznim gjeneratorin. Sa herë që spitali kryen një operacion, "u kërkoj njerëzve të nxitojnë. Është shumë stres", tregon doktoresha.
Pavarësisht se janë të detyruar të punojnë në rrethana të tilla sfiduese, raporton Shqiptarja.com, shumica e personelit të kujdesit shëndetësor nuk paguhen për momentin.
Dr Rahmani, drejtor i një spitali në provincën Farah, i specializuar në trajtimin e pacientëve me Covid, ndau me BBC një letër nga ministria e shëndetësisë e udhëhequr nga Talibanët, e datës 30 tetor, e cila i kërkoi stafit të vazhdonte të punonte pa pagesë derisa të sigurohej financimi.
Të martën Dr Rahmani konfirmoi se spitali i tij duhej të mbyllej kur fondet nuk u materializuan, dhe fotot tregojnë pacientët duke u larguar nga spitali me barela. Së çfarë do të ndodhë me ta, është e paqartë. Aty pranë, një spital tjetër i specializuar në trajtimin e të varurve nga droga po përpiqet gjithashtu të kujdeset siç duhet për pacientët e tij, tërheqja e të cilëve nga heroina, opiumi dhe kristalmeta nuk mund të mbështetet më me ilaçe.
"Ka pacientë që duhet të lidhen në shtrat me zinxhirë, ose ka pacientë që duhet të prangosen sepse përjetojnë sulme të rënda. Është shumë e vështirë për ne të kujdesemi për ta," thotë Dr Noëruz, drejtor i spitalit. duke shtuar se - pa kujdesin e duhur - "spitali ynë është saktësisht i njëjtë me burgun për ta".
Por edhe ky spital është në prag të mbylljes përballë stafit në pakësim, dhe nëse mbyllet, Dr Nowruz shqetësohet se çfarë do të bëhet me pacientët e tij në dimrin brutal që vjen.
"Nuk ka strehim për ta. Ata zakonisht shkojnë dhe jetojnë në vende si nën ura, në gërmadha, në varreza, në një situatë të padurueshme për njeriun," thotë ai.
Një prej fëmijëve në një prej spitaleve në Afganistan
Dr Qalandar Ibad, ministri i shëndetësisë i emëruar nga talebanët, i tha BBC-së në nëntor se qeveria po punon në hap me komunitetin ndërkombëtar për të ri-zbatuar përpjekjet e ndihmës.
Megjithatë, donatorët kryesorë po kërkojnë të anashkalojnë talebanët, nga frika se përndryshe ndihma nuk do të përdoret për qëllimin e synuar. Më 10 nëntor, OKB-ja arriti ta bëjë këtë për herë të parë - duke injektuar 15 milionë dollarë direkt në sistemin shëndetësor të vendit. Rreth 8 milion dollarë u përdorën për të paguar rreth 23,500 punonjës shëndetësorë gjatë muajit të kaluar. Megjithëse një sasi relativisht e vogël për momentin, donatorët e tjerë ndërkombëtarë shpresojnë të ndjekin shembullin, por koha po ikën.
“Së shpejti nuk do të kemi ujë të mjaftueshëm të pijshëm”, thotë Dr Nuri.
Kushtet e vështira të motit së shpejti do të kufizojnë kalimin e mbetur të mallrave që vijnë nga vende si Pakistani dhe India.
"Sa herë që këto gra largohen nga spitali ynë me foshnjat e tyre, unë vazhdoj të mendoj për to. Ata nuk kanë para, nuk kanë mundësi të blejnë ushqim," thotë ajo.
Familja e saj gjithashtu po përpiqet të qëndrojë në këmbë...
“Edhe unë nuk kam ushqim të mjaftueshëm për të ngrënë si mjeke - nuk mund ta përballoj atë dhe pothuajse i kam mbaruar të gjitha kursimet e mia.
"Nuk e di pse vij ende në punë. Çdo mëngjes ia bëj vetes këtë pyetje. Por ndoshta kjo është për shkak se unë ende shpresoj për një të ardhme më të mirë..."
Shkrim i BBC
Përshtati në shqip, Shqiptarja.com