Udhëheqësi i ri ushtarak i shtetit afrikan Gabon, Brice Nguema, u betua në pozitën e kreut të shtetit të hënën, vetëm pak ditë pas rrëzimit nga pushteti të Presidentit Ali Bongo, familja e të cilit udhëhiqte vendin prej pesë dekadash.
Gjenerali Brice Nguema u betua në pallatin presidencial, para shumë zyrtarëve qeveritarë, udhëheqësve ushtarakë dhe lokalë në kryeqytetin Libreville, raporton BBC.
“Betohem përpara Zotit dhe popullit të Gabonit që të ruaj me besnikëri regjimin republikan, të respektoj dhe të zbatoj statutin e tranzicionit dhe ligjin”, tha Nguema.
Disa thonë se sundimi i Gjeneral Nguema do të jetë një vazhdim i dinastisë 55-vjeçare Bongo. Babai i Ali Bongo, Omar, ishte në pushtet për 41 vite para se të vdiste në vitin 2009, e cila më pas u pasua nga djali i tij. Gjenerali e kaloi pjesën më të madhe të karrierës së tij në rrethin e ngushtë të Bongo-s dhe madje mendohet se ai mund të jetë kushëriri i Ali Bongo-s.
Mes ovacionesh, Nguema tha se ushtria mori pushtetin pa gjakderdhje dhe premtoi mbajtjen e zgjedhjeve të lira, demokratike dhe të besueshme.
“Me qeverinë e re, të përbërë nga njerëz me përvojë, do t’u japim të gjithëve mundësi të shpresojnë”, tha ai.
Oficerët që organizuan kryengritjen për të rrëzuar Bongon javën e kaluar, thanë se ai rrezikonte ta çonte vendin drejt kaosit dhe se ata “unanimisht” vendosën të emërojnë zotin Oligui president të komitetit tranzitor.
Ceremonia e shpejtë e betimit të zotit Oligui do të krijojë përshtypjen e legjitimitetit dhe konsolidimit të pushtetit të tij për të shkurajuar kundërshtarët potencialë që të sfidojnë qeverisjen e tij, tha Maja Bovcon, analiste pranë Verisk Maplecroft, një kompani për vlerësimin e rrezikut.
“Sigurisht qëllimi gjithashtu është të rikthejë besimin e investitorëve duke përçuar mesazhin se nuk do të humbas kohë që të kthej vendin në normalitet si dhe rendin demokratik”, tha Bovcon.
Fakti që ai planifikon të rishkruajë kushtetutën dhe kodin zgjedhor do të thotë që periudha tranzitore do të zgjasë me muaj, nëse jo me vite.