'Afrohu, rrotullohu'! RENEA me blind te dera e shtëpisë, arrestohet i riu që vrau rapsodin dhe mikun e tij në 2020 për kanabisin! VIDEO kur i vënë prangat

11 Shkurt 2022, 09:19| Përditesimi: 11 Shkurt 2022, 09:57

  • Share

LEZHË- "Afrohu, afrohu, rrotullohu mbrapsht"...është kjo një sekuencë nga operacioni i forcave të RENEA-s në arrestimin e 39-vjeçarit, Edmond Përdoda, një person me rrezikshmëri të lartë, pasi ka ekzekutuar së bashku me vëllanë e tij, 2 persona. Arrestimi i tij është bërë teksa fshihej në një banesë 2 katëshe në fshatin "Lalm i Ri" të Lezhës, ku forcat RENEA dhe Policia e Lezhës me blind i kanë bërë 'pritë' në derën kryesore duke çuar në pranga autorin e vrasjes së dyfishtë, ngjarje e ndodhur në 27 prill të 2020, ku viktima mbetën Kol Murrani, rapsod i njohur në zonë dhe Preng Simoni. 39-vjeçari, i dënuar më parë në Greqi, prej gati 2 vitesh ishte në kërkim për vrasjen e rapsodit dhe mikut të tij, e ndërsa në banesë iu gjet një kallashnikov, municion luftarak dhe një sasi baruti.

Si ndodhi ngjarja?
Rapsodi Kol Murrani dhe miku i tij Preng Simoni u gjeten të vrarë me armë zjarri më 27 prill të vitit 2020, pranë shtëpive të tyre të vjetra në fshatin Lalm i Vjetër, të Njësisë Administrative të Kolshit. Ata kishin shkuar në vendlindje që prej orëve të mëngjesit të asaj dite, por u përballën me persona të armatosur që kishin mbjellë kanabis në tokat e tyre. Pa pasur dijeni për atë se çfarë ndodhte në tokat e tyre në zonën e thellë malore, Aleksandër Përdoda dhe Edmond Përdoda, i kanë qëlluar me armë sapo dy shokët kanë zbuluar veprimtarinë e tij kriminale. Trupat e viktimave janë lënë në pyll për rreth 5 orë dhe janë gjetur nga djali i Preng Simonit, që kishte dalë të kërkonte babanë me të cilin kishte humbur çdo kontakt prej orësh të tëra. 

Ai i ka gjetur pa shenja jete rreth orës 16:00 të datës 27 prill të vitit 2020, ndërsa ekzekutimi i tyre mendohet të jetë kryer rreth mesditës. Murrani dhe Simoni banonin në periferi të qytetit të Lezhës dhe ditën e ngjarjes, në 27 prill 2020, kishin dalë herët në mëngjes me motor, për të shkuar te shtëpitë e vjetra që kanë në fshatin Lalm i Vjetër. Pasi kanë ngarkuar një thes me jonxhë, dy burrat kanë vendosur të kthehen në Lezhë, por rrugës janë qëlluar befasisht me armë zjarri nga Aleksandër Përdoda dhe vëllai i tij Edmond Përdoda. Për shkak të terrenit të thyer malor dhe mungesës së infrastrukturës së rrugës, Policisë i është dashur 60 minuta për të mbërritur në vendin e ngjarjes, ku ndodheshin viktimat.

Prokuroria kërkon burg përjetë për Aleksandër Përdoda i arrestuar (pak orë pasi ndodhi ngjarja)
Prokuroria e Lezhës ka kërkuar dënimin me burgim të përjetshëm të 43-vjeçarit Aleksander Përdoda. Ndërsa për të pandehurin tjetër në lidhje me këtë ngjarje Agron Lushi është kërkuar dënimi me 3 vite burg për veprën penale "Moskallim krimi". Konkluzionet përfundimtarë janë dhënë nga prokurori Françesk Ganaj dhe sipas dosjes hetimore është arritur të provohet se dy personat e vënë nën akuzë kanë lidhje me ngjarjen. 43-vjeçari Përdoda akuzohet për veprën penale të “Vrasjes në rrethana cilësuese” ndaj dy personave kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtjes pa leje të armëve”, ndërsa tashmë do të jetë pala mbrojtëse e cila do të paraqesë konkluzionet e saj e më pas Gjykata e Lezhës do të marrë vendim në lidhje me këtë çështje. Ashtu si dhe në momentin e arrestimit, edhe gjatë seancave gjyqësore të themelit Aleksandër Përdoda ka mohuar kategorikisht të ketë lidhje me vrasjen e dyfishtë.

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?