Aftësia në punë, tashmë raporti mjekësor do të merret pranë mjekut të familjes (VIDEO)

5 Shtator 2019, 20:18| Përditesimi: 5 Shtator 2019, 20:28

  • Share

Raporti mjekësor që paraqitet nga punonjësit para punëdhënësit për aftësinë në punë, tashmë  mund të merret pranë mjekut të familjes.

Më parë, për të siguruar kontrollin shëndetësor në punë të punëmarrësve, duhej që punësimi të bëhej në bazë të raportit të lëshuar nga komisioni mjeko-ligjor pranë qendrave shëndetësore.

Me ndryshimin në vendimin për përcaktimin e rregullave, procedurave të llojeve  të testeve ekzaminuese mjekësore, që do të kryhen në varësi të punës së punëmarrësit si dhe të mënyrës së funksionimit të shërbimit mjekësor në punë, këtë raport mund ta lëshojë dhe mjeku i familjes.

"Për sigurinë dhe shëndetin në punë, punëdhënësi  punëson punëmarrësin e tij, bazuar në raportin e lëshuar nga mjeku i familjes pranë çdo qendre shëndetësore, sipas shtojcës V, që i bashkëlidhet këtij vendimi, i cili dorëzohet në momentin e fillimit të punës".

Një ndryshim tjetër konsiston në shtimin e kërkesave për mjekun e punës, i cili është një detyrim për kompanitë që kanë një numër të caktuar punonjësish.

Mjeku i punës duhet të kartelizojë çdo punonjës në fillim të punës e duhet të dokumentojë në kartelën shëndetësore të punëmarrësit dhe të vlerësimit të riskut, të gjitha vizitat dhe ekzaminimet që do të kryejë punëmarrësi në vazhdim.

Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor është autoriteti përgjegjës për zbatimin e kontrollit të pajisjes me raportin e aftësisë në punë nga mjekët e familjes pranë çdo qendre shëndetësore. Ky vendim i Këshillit të Ministrave do të hyjë në fuqi 15 ditë pas botimit ne fletoren zyrtare.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?