Agim Sulaj rikthehet te “Rrënjët” për herë të 7-të në Tiranë

2 Dhjetor, 10:54| Përditesimi: 3 Dhjetor, 09:13

  • Share

Ai rikthehet prej shtatë vitesh te i njëjti vend, në kërkim të rrënjëve. Këto rrënjë i rrëfen duke sjellë mallin e tij, por jo përmes karikaturës, për të cilën është i njohur ndërkombëtarisht, por përmes dhjetëra pikturave në vaj.

“Rrënjët” titullohet ekspozita personale e Agim Sulajt e çelur në “Maritim Plaza Hotel”, ekspozitë, e cila sipas Sulajt është një kthim në shtëpi. Ceremoninë protokollare e hapi vetë piktori Agim Sulaj, i cili e konsideroi “një festë hapjen e ekspozitës dhe kënaqësi rikthimin në Tiranë”, duke falënderuar të pranishmit.

“Është kënaqësi e veçantë që rishihemi, sidomos për mua që jetoj I larguar nga Shqipëria dhe vij e gjej kolegët dhe miqtë e mi. Për fat kam afër edhe motrën time që jeton në Zvicër, si dhe kunatin, kështu që për mua është si dasmë ky rikthim.”, - tha ai.

Sulaj preferoi që më tepër se ai vetë, për të, të flisnin të pranishmit, mes të cilëve piktorë, skulptorë, studiues arti etj.

 “Vërtet Gimi është larg dhe jeton në Rimini (të Italisë), por në fakt, po të shohim motivet e punimeve që janë në këtë ekspozitë, janë motive shqiptare. Aty shikon copëza nga historia, luftëtarë, portrete, që më mënyrën e tij të pikturimit të tij hiper-realist na jep karaktere të fortë dhe e kuptojmë menjëherë që janë shqiptarë”., - u shpreh studiuesi i artit Ylli Drishti.

Ndërsa studiuesi Agim Janina, bëri një përshkrim retrospektiv të Agim Sulajt, nga fillimet e tij në karikaturë dhe publikimet e tij në balloren e revistës satiriko-humoristikë “Hosteni”, si dhe ecurinë e karrierës së tij piktorike.

“Emri i Agim Sulajt për herë të parë ka dalë në shtypin shqiptar, për herë të parë në revistën ‘Hosteni’ në fund të viteve 1970. Ai shpërfaqi një dimension të ri të karikaturës shqiptare. Karikatura i dha atij mundësinë për t’u shprehur. Ai ka shkuar drejt një përsosjeje të krijimtarisë së tij, por jo të ndryshimit. Agimi ka qenë ai që ka qenë para viteve ’90-të, po ai që ka qenë pas viteve ’90-të, në konceptin që ka si duhet trajtuar arti i pikturës.”, - tha Janina.

Agim Sulaj numëron mbi 250 çmime ndërkombëtare të marra prej tij. Ai e lidh prezantimin e ekspozitës së tij “Rrënjët” me 112-vjetorin e Pavarësisë dhe 80-vjetorin e Çlirimit të vendit.

 

 

 

B.G//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?