Agjencia e Inteligjencës së Mbrojtjes kërkon akses në TIMS! Drejtori: Po s’erdhi në kohë, informacioni s’ka vlerë

3 Qershor, 17:06| Përditesimi: 3 Qershor, 17:17

  • Share

Ndryshimet në ligjin për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, të propozuara nga qeveria, kaloi në Komisionin e Ligjeve dhe atë të Ekonomisë, mes debatesh. Opozita, e sheh të tepruar dhënien e kompetencave kësaj agjencie për aksesin në sistemin TIMS.

“Kërkoni akses në TIMS dhe te sistemi i targave. Praktika ka treguar se ka të përfshirë te "Metamorfoza" shefa policie dhe po ashtu ka pasur rrjedhje nga ky sistem, arsye që është ngritur dhe komisioni i posaçëm. Pse ju doni akses, çfarë emergjence keni, kur mund t’i merrni nga Policia dhe Drejtoria e Transporteve?”, tha Asllan Dogjani, Deputet i Rithemelimit.

Por, drejtuesi Agjencisë, Ardian Bali, jep arsyet pse sipas tij është i domosdoshëm aksesi.

"Informacioni është fuqi. Një informacion që nuk vjen në kohën e duhur nuk ka më çfarë të duhet. Nëse nuk merret vesh në kohë reale se shtetasi X ka kaluar në pikën kufitare, ai informacion e ka kaluar vlerën pastaj. Vetë cikli për të marrë informacion të policia do kohën e saj dhe e humbet vlerën. Sa më shumë informacion të kemi, aq më të aftë jemi për të dhënë një produkt inteligjence", shprehet Ardian Bali, drejtor AISM.

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm parashikuar në projektligj është emërimi i zëvendësdrejtorit të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, i cili do të jetë civil.

“Nëse ushtarakët, për shkak të gradave që kanë, në vijim mund të lëvizin nga një strukturë në tjetrën në ushtri, e njëjta gjë nuk mund të ndodhë me stafin civil të Agjencisë. Për këtë arsye, për shkak të ngritjes në karrierë, është propozuar që posti i zëvendësdrejtorit të jetë i pastër si civil dhe pjesa civile e shohin veten nga momenti i rekrutimit deri në arritjet e majave të karrierës siç është posti i zëvendësdrejtorit”, tha Bali.

Në projektligjin e ri është parashikuar gjithashtu që punonjësit e Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes të marrin një pagë shtesë për uniformën, siç e kanë edhe agjencitë e tjera, përfshirë Policinë e Shtetit apo AMP.

G.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?