Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka arrestuar ditën e sotme një ekspert kriminalistik, në qytetin e Korçës, me gradë kryekomisar.
Kryekomisari identifikuar si Fatmir Balaj, 49 vjeç me detyrë Specialist kriminalist në Sektorin e ekzaminimeve kompjuterike në Institutin e Policisë Shkencore akuzohet se ka fshehur, tjetërsuar dhe zëvendësuar pajisjet kompjuterike (USB), të cilat do të shërbenin si provë kryesore në dokumentimin e veprimtarisë kriminale të një subjekti privat, të vënë nën hetim për veprën penale “Mashtrim kompjuterik”, nëpërmjet platformës Forex (call center).
Ishte Gjykata e Korçës ajo që urdhëroi arrestimin e Balajt, i cili tashmë akuzohet për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Ekspertim i rremë”
"Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë), pas hetimeve të kryera nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, ka ekzektuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, të vendosur nga Gjykata e Shkallës Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, ndaj oficerit të policisë, K/Komisar F. B., 49 vjeç, me detyrë Specialist kriminalist në Sektorin e ekzaminimeve kompjuterike në Institutin e Policisë Shkencore, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Shpërdorim detyre” dhe “Ekspertim i rremë”.
Caktimi i masës së sigurimit është bërë i mundur pasi nga hetimet e zhvilluara, janë siguruar prova dhe fakte se ky oficer policie, duke shfrytëzuar funksionin organik, ka fshehur, tjetërsuar dhe zëvendësuar pajisjet kompjuterike (USB), objekt ekspertimi kompjuterik, të cilat do të shërbenin si provë kryesore shkencore në dokumentimin me prova ligjore të veprimtarisë kriminale të një subjekti privat, të proceduar penalisht për veprat penale “Mashtrim kompjuterik”, nëpërmjet platformës Forex (call center)”,-njofton AMP.
Jepi gaz gjithe policia ne pranga
Përgjigju