Në vazhdën e diskutimeve për çështjen e inceneratorëve, një tjetër problematikë doli në pah për kontratën e Elbasanit, për të cilën në Agjencinë e Prokurimit Publik nuk ka një shpallje të tenderit. Në cilësinë e ministrit përgjegjës për mjedisin Lefter Koka në vitin 2014 ka kërkuar nga APP, mendim për impiantin e inceneratorit, ku ky institucion i është përgjigjur që gara duhet të jetë me shpallje paraprake, dhe në përputhje me ligjin. Pas këtij komunikimi APP nuk ka asnjë njoftim për këtë procedurë koncesionare nëse u zhvilluar apo jo, fakt i zbuluar gjatë komisionit hetimor në kuvend.
Jorida Tabaku: Në dijeninë tuaj kjo procedurë si u zbatua?
Reida Kashta: Në APP nuk ka asnjë komunikim të mëtejshëm për objektin të cilit ju i referoheni kështu që nuk kam asnjë informacion zyrtar si është zbatuar procedura. Ne thjesht kemi dhënë një mendim për projekt-vendim.
Jorida Tabaku: Si ka mundësi që është denoncuar publikisht, është folur vazhdimisht për këtë ju nuk e keni monitoruar?
Reida Kashta APP: Sepse nuk kemi një rekord për një procedurë të tillë koncensionare. Pra, nuk kemi asnjë komunikim të mëtejshëm për APP për këtë objekt.
Pas kësaj përgjigje të drejtoreshës së Agjencinë e Prokurimit Publik, deputetja e PD Jorida Tabaku në deklaratë për mediat tha se kjo procedurë është në shkelje flagrante të ligjit.
“Të gjithë inceneratorët kanë qenë në shkelje të ligjit. Janë tenderuar para për inceneratorë që nuk ekzistojnë. Të treja procedurat janë korruptive dhe për pasojë edhe zbatimi i kontratës koncesionare janë korruptive”, tha Tabaku.
Për këtë akuzë përgjigjen e dha deputetja e PS Anila Denaj, e cila tha se gjithçka është bërë në kushtet e emergjencës mjedisore.
"Dëshmitarët sot konfirmuan se procedurat janë të lidhura me emergjencat, të cilat janë të lidhura me një situatë të trashëguar të menaxhimit të mbetjeve. emergjenca e Elbasanit dihet dhe është e vërtetuar me dokumente nga organet kompetente. ndaj është e rëndësishme që të lejojmë dokumentet që do të flasin përpara se të flasim me opinione të parakohshme nga përfaqësues të partive politike", tha Denaj.
Komisioni hetimor për impiantet e trajtimit të mbetjeve urbane, do të zgjasë deri më 25 shkurt, ku edhe në ditët e ardhshme do të zhvillohen seanca me dëshmitarë të tjerë që kanë dijeni për 3 kontratat e inceneratorëve.
Kryetarja e komisionit Hetimor për Inceneratorët, Jorida Tabaku tha nga kryesia e Kuvendit se shteti ka tenderuar para për inceneratorë që nuk ekzistojnë. Tabaku tha se procedurat e ndjekura për inceneratorin e Elbasanit janë në shkelje flagrante me ligjin. Sipas Tabakut, Drejtoresha e Agjesisë së Prokurimeve Publike konfirmoi në Komisionin Hetimor që nuk ekziston asnjë proçedurë konçesioni për Inceneratorin e Elbasanit.
'Sot Drejtoresha e Agjesisë së Prokurimeve Publike konfirmoi në Komisionin Hetimor që nuk ekziston asnjë proçedurë konçesioni për Inceneratorin e Elbasanit. Praktikisht nuk ekziston për shtetin shqiptar Inceneratori i Elbasanit dhe përgjegjës I përfshirë drejtpërdrejt në këtë vendimmarrje është Sekretari I Përgjithshëm I Kryeministrisë.
Zonja e cila është sot në detyrë, konfirmoi që megjithëse ata e kanë kundërshtuar proçedurën e koncesionit, ata kanë thënë që kjo që po bëni nuk është ligjore, Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë ka marrë përsipër dhe ka çuar një vendim të këshillit të Ministrave, në Kryeministri, e ka miratuar përa i përket kësaj proçedure konçesionare.
Jo vetëm kjo, por njëkohësisht fakti që, i gjithë Komisioni i Konçesionit për Inceneratorin e Elbasanit, ;por kjo vlen njëkohësisht edhe për Tiranën dhe për Fierin, të gjithë të përfshirë nga i pari deri tek i fundit në vendimmarrje, kanë qenë në shkelje të ligjit, sigurisht me bekimin, miratimin dhe insistimin e ministrave të tyre dhe shefave të tyre.
Ajo që ka ndodhur me proçedurën e Elbasanit që nuk është publikuar, që nuk ekziston, pavarësisht kësaj është paguar nga buxheti i shtetit, është procedura me shkeljen më flagrante.
E njëjta gjë me shkelje ka ndodhur me inceneratorin e Tiranës, por njëkohësisht shkelje kanë ndodhur edhe për Inceneratorin e Fierit.
Të tre inceneratorët nuk kanë pasur vlerësimin e ndikimit në mjedis, nuk kanë pasur leje mjedisore, nuk kanë plotësuar kërkesat e ligjit, kanë shkelur me të dyja këmbët ligjin përsa i përket këtyre procedurave, por nga ana tjetër sot zbuluam që institucione zyrtare shtetërore i lanë duart dhe thanë se nuk na kanë përfshirë në këtë aferë.
Përse është përfshirë në këtë aferë vetëm Ministria e Mjedisit, Ministria e Ekonomisë, Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës. Katër persona kyç i kanë lënë pa përfshirë, siç e kërkon ligji, pa marrë pjesë në vendimmarrje institucionet e tjera. Këta katër persona që kanë kryer këtë procedurë joligjore sot duhet të jenë përpara drejtësisë dhe janë përgjegjës për këtë aferë.
Ne sot dëgjuam në fakt disa pohime shumë të rëndësishme nga Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, dhe unë besoj se e kemi trajtuar çështjen ashtu siç duhet.
Këtu nuk bëhet fjalë për incenerimin si një alternativë, por fakti është; Përse u vendos që në Shqipëri të ndërtoheshin tre inceneratorë kur të tre inceneratorët nuk kanë kapacitetin për të mbuluar nevojat që ka Shqipëria.
Përse u vendos t’i jepej një kompanie që nuk ka asnjë ditë eksperiencë në këtë fushë ky proces incenerimi për të tre qytetet.
Përse u vendos që kësaj kompanie që duhej të financonte me burimet e veta, që nuk kishte snjë kapital, i dhanë kontratën konçesionare dhe i vendosi si barrë, si hipotekë.
Përse u vendos që t’i jipej ky koncesion? Përse Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë vendosi ta kalojë vendimin e Këshillit të Ministrave, të paktën 10 vendime të Këshillit të Ministrave për të tre inceneratorët kur nuk kishte buxheti, janë tenderuar para që nuk ekzistojnë.
Cilat janë tarifat reale që ne po paguajmë.
Ne i kemi dhënë përgjigje këtyre pyetjeve shumë të rëndësishme sot dhe sigurisht në ditët e shkuara.
Jemi të angazhuar për të vazhduar për ta çuar deri në fund këtë aferë.
Ashtu siç kemi provuar që të treja procedurat janë korruptive edhe zbatimi i kontratave është korruptiv. Ministrat përgjegjës dhe stafi i tyre duhet te jene përpara drejtësisë sepse po paguajmë para për procedura korruptive, per kontrata korruptive por me e rëndësishmja para qe kanë shkuar në xhepat e ish zyrtarëve.
Kompanitë e koncensionarit të Elbasanit, të Fierit dhe të Tiranës kanë paguar veten e tyre. Në kemi të gjitha faturat dhe do t'i vendosim në dispozicion. Kanë praguar shpenzime të jashtëzakonshme për incenerator qe nuk ekzistojnë. Kanë paguar shpenzime të papërballueshme për çdo biznes tjetër normal qe punon dhe paguan taksa në Republikën e Shqipërisë. Kanë marrë monopolet për dherat në Tiranë.
Kanë marrë monopole, licenca, kontrata dhe i kanë shtuar punën incenerator të Tiranës
Dhe të gjitha këto në i kemi provuar në komisionin hetimor. Unë i kërkoj sot shqiptarëve të bëjnë durim. Edhe pak ditë kemi në dispozicion dhe të gjithë do të shohin se si ne do të vendosim përpara përgjegjësisë zyrtarët që kanë firmosur dhe njerëzit politike. Asnjë vendim nuk është marrë vetë nga zyrtarët është marrë me vullnetin dhe mbrojtjen politike. Janë thërritur punonjësit në zyrat e shtetit për t'i presionuar per te firmosur per këto kontrata.Sot zyrtarët që ishin në komision, të gjithe të përfshirë në procesin e koncesionit të Elbasani, të Fierit dhe të Tiranës, të gjithë të friksuar nga ligji, të gjithë të frikësuar nga komisioni hetimor, të gjithë të frikësuar për këtë aferë të jashtëzakonshme. Besoj se përgjegjësit janë të qartë, ne çdo ditë po i denoncojmë faktet. Ditën e premte do vijojmë denoncojmë fakte të tjera që lidhen me zbatimin e kontratës me inceneratorin e Tiranës.
Jemi në pritje njëkohësisht edhe të marrjes së dëshmisë së administratorit aktual të Fierit. Pyetjes kryesore se ku kanë shkuar paratë po i jepet përgjigje me këtë komision hetimor.
Të gjithë po kuptojnë që 430 mln euro kanë shkuar në drejtim të paditur, në xhepat e Klodian Zotos, Morel Mertirit, Stela Gugallias të cilët kanë zbrazur edhe llogaritë bankare dhe janë larguar në kërkim ndërkombëtar përpara se të japin përpara drejtësisë dëshmitë e tyre dhe të mbajnë përgjegjësi.
Në emrin tim, në emër të PD ju informoj që do të vazhdoj deri në fund që të hedhim dritë për këtë aferë. Të vazhdojmë të publikojmë faktet siç i kemi publikuar pa asnjë kompromis, pa u intimiduar nga askush vetëm më të drejtën dhe me ligjin ashtu siç kemi bërë në 6 vitet e fundit. Të gjithë qytetarët po e kuptojnë dita ditës Edi Rama, tre ministra dhe kryetar bashkie, njëkohësisht një grup zyrtarësh përgjegjës për këtë aferë po bëhet publike i gjithë grupi kriminal që në kemi denoncuar këtu e vite me pare.'- tha Tabaku.
Kryetarja e Komisionit Hetmor për Inceneratorët Jorida Tabaku ka replikuar me dëshmitaren Reida Kashta, Drejtorisë së Agjencisë së Prokurimeve Publike. Kjo e fundit u pyet në lidhje me ligjin e koncensionit dhe se si u zbatua procedura, Kashta tha se në APP nuk e ka publikuar në sistemin e saj tenderin pasi nuk iu kërkua. Ajo sqaroi se çdo procedurë publikohet në APP pasi i kërkohet nga institucioni kontraktor.
Diskutimi
Jorida Tabaku: A ka në Republikën e Shqipërisë ligji shqiptar një procedurë e cila quhet, negocimi pa shpallje?
Reida Kashta, Drejtoresha e APP: Cili nga ligjet?
Jorida Tabaku: Ligji i Prokurimit Publik.
Reida Kashta: Ligji i Prokurimit Publik ka një procedurë që parashikon procedurën e negocimit pa shpallje.
Jorida Tabaku: Ligji i koncesione ka një procedurë negocimi pa shpallje?
Reida Kashta: Ligji i koncesione ka vetëm procedurë të hapur, të kufizuar dhe negocimi me shpallje.
Jorida Tabaku: Kjo është përgjigja që ju i keni dhënë dhe unë për qartësi do të lexoj përgjigjen që z. Eduard Ahmeti i ka dhënë z. Lefter Koka. “Agjensia e Prokurimit Publik” konstaton se nëpërmjet këtij project-vendimi propozohet se për objektin e sipërpërmendur autoriteti kontraktues të negociohet me propozuesin e pakërkuar, lloji i kontratës të koncesionit PPP dhe afati i tij. Nga shqyrtimi i projekt-vendimit dhe relacionit shoqërues APP konstaton se ky projekt-vendim i referohet nenit 13, pika 2 dhe nenit 22 pika 3 të Ligjit për koncesionet dhe PPP. Referuar këtyre dispozitave autoritetet kontraktuese janë organe të cilat ky ligj i jep kompetenca që ta ndërmarrin një proçedurë të tillë. Në pikën 2 të dispozictës thuhet që autoritetet kontraktuese janë kryeministria, Kuvendi ose njësitë e qeverisjes vendore, dhe thuhet, sa i takon llojit të proçedurës që do të ndiqet APP arsyeton se në nenin 22 pika 3 të cilit i referohet ky projekt-vendim, parashikohet se, në dhënien e koncesioneve PPP autoriteti kontraktues mund të përdorë ose proçedurën e hapur ose proçedurën e kufizuar, ose proçedurën negociim me shpallje paraprake. Sa më sipër APP vlerëson se kjo proçedurë përzgjedhëse duhet bërë në përputhje me parashikimet ligjore”.
Pra këto tre lloj formash që ju na i përmendët. Proçedurë e hapur, e kufizuar dhe negociim me shpallje. Është e saktë?
Reida Kashta: Po ajo është përmbajtja e shkresës së APP-së.
Jorida Tabaku: Në dijeninë tuaj kjo proçedurë si u zbatua?
Reida Kashta: Në APP nuk ka asnjë komunikim të mëtejshëm për objektin të cilit ju i referoheni kështu që nuk kam asnjë informacion zyrtar si është zbatuar procedura. Ne thjesht kemi dhënë një mendim për projekt-vendim.
Jorida Tabaku: Si ka mundësi që është denoncuar publikisht, është folur vazhdimisht për këtë ju nuk e keni monitoruar?
Reida Kashta APP: Sepse nuk kemi një rekord për një procedurë të tillë koncensionare. Pra, nuk kemi asnjë komunikim të mëtejshëm për APP për këtë objekt.
Jorida Tabaku: Pra, ju po thoni që për ju kjo procedurë nuk ekziston? S’ka ndodhur?
Reida Kashta APP: APP-ja vihet në njoftim zyrtarisht me komunikime; nga njoftimi i procedurës dhe në vijim. Nuk kemi një komunikim për këtë procedurë.
Jorida Tabaku: Në kopje të shkresës që ish-ministër Lefter Koka ka nisur, për dijeni është edhe Ëngjëll Agaçi. Z.Ëngjëll Agaçi në çfarë marrëdhënie është me institucionin që ju drejtoni? Është mbikëqyrësi juaj, drejtuesi juaj është autoriteti tek i cili ju raportoni?
Reida Kashta APP: Është sekretari i përgjithshëm i organit tonë, epror. Pra, ne jemi institucion varësie, në varësi të Kryeministrisë.
Jorida Tabaku: Ju komunikimet me institucionin tuaj epror i mbani nëpërmjet cilit person?
Reida Kashta APP: Sekretarit të Përgjithshëm.
Jorida Tabaku: Atëherë, në dijeninë tuaj, për një procedurë që ju keni sugjeruar që nuk duhet të ndodh kështu; për një procedurë e cila është në shkelje të ligjit dhe për të cilën ju keni një epror tek i cili raportoni, cili pak javë më pas ka përgatitur një Vendim të Këshillit të Ministrave për të kaluar mbështetje financiare për këtë procedurë. Gjykoni që duhet të kishit informacion edhe ju?
Reida Kashta APP: Detyrat e mia janë në bazë të legjislacionit të prokurimit publik dhe koncesionit për aq sa kam kompetencë. Dhe kam një fushë veprimtarie shumë më të ngushtë sesa ka Këshilli i Ministrave dhe Sekretari i Përgjithshëm, përfshirë. Prandaj kalojnë shumë vendime dhe nuk më njofton njeri për vendimmarrje.
Jorida Tabaku: E kisha pak të vështirë ta konceptoja sesi funksiononte por ju na e sqaruat. Besoj se është e qartë për të gjithë edhe roli i z. Agaçi për këtë procedurë por njëkohësisht edhe përgjegjësitë e secilit.