Agjencia e Trajtimit të Pronave (ATP) njofton se, më datë 12 nëntor 2019 ka përfunduar procesin e shqyrtimit administrativ të disa aplikimeve për kompensim financiar me kërkesë të veçantë, të paraqitura nga subjektet e interesuar, të cilët diponojnë vendime përfundimtare që u kanë njohur të drejtën e kompensimit të pronës.
Aktualisht ka përfunduar shqyrtimi administrativ i 20 aplikimeve për kompensim financiar me kërkesë të veçantë, nga të cilat:
Për 14 aplikime ATP ka miratuar me vendim pranimin e këtyre kërkesave/aplikimeve, pasi kanë rezultuar të jenë në përputhje të plotë me kriteret e përcaktuara në nenin 17, pika 2, të ligjit nr.133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”.
Për 7 aplikime ATP ka vendosur përfundimin e procedurës administrative, pasi kanë rezultuar të jenë jo në përputhje të plotë me kriteret e përcaktuara në nenin 17, pika 2, të ligjit nr.133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, në Kreun IV të VKM nr.223, datë 23.03.2016 “Për përcaktimin e rregullave dhe procedurave për vlerësimin dhe ekzekutimin e vendimeve përfundimtare të kompensimit të pronës dhe shpërndarjen e fondit financiar e fizik për kompensimin e pronave”, i ndryshuar.
Fondi financiar, i vënë në dispozicion nga Buxheti i Shtetit, që ATP do të shpërndajë në total për subjektet përfitues të 14 aplikimeve sipas kërkesave të tyre, është në vlerën 234.693.463,71 lekë, nga të cilat 46.938.692,74 lekë do të lëvrohen menjëherë si këst i parë, ndërsa pjesa tjetër do të lëvrohet me këste çdo fillim viti buxhetor, bazuar në mënyrën e përfitimit të kompensimit për të cilën ka aplikuar subjekti.
Të dhënat në lidhje me vendimet e subjekteve të shpronësuara që përfitojnë dhe atyre për të cilët ATP ka vendosur përfundimin e procedurës administrative, si dhe përfaqësuesit me prokurë të tyre, jepen në listat bashkëlidhur këtij njoftimi.
Agjencia e Trajtimit të Pronave (ATP) njofton subjektet e interesuara se kësti përkatës për secilin përfitues do të jenë disponibël në llogaritë e tyre në bankat e nivelit të dytë pas përfundimit të procedurave të transfertave bankare në ditët në vazhdim.