Agjencia e Vlerësimit Standard & Poor’s: Ekonomia shqiptare me perspektivë të qëndrueshme! Në 2021 do rritet me rreth 4.5%

2 Shkurt 2021, 10:40| Përditesimi: 2 Shkurt 2021, 14:00

  • Share

Agjencia prestigjioze e vlerësimit të ekonomisë, Standard & Poor’s, ka konfirmuar edhe një herë vlerësimin e saj në “B+” poër ecurinë ekonomike të Shqipërisë. Në raportin e fundit theksohet se perspektiva e ekonomisë shqiptare pritet të jetë “e qëndrueshme”.

Sa i përket rritjet ekonomike të vendit tonë parashikohet që ajo të jetë me rritje 4.5%, nëse sigurisht nuk do të kishte një tjetër karantinë për shkak të ndonjë vale të fortë të infektimeve nga COVID-19.

"Pandemia ka pasur një ndikim të drejtpërdrejtë veçanërisht në sektorin e turizmit dhe impakti i këtij sektori në ekonominë shqiptare mund të jetë edhe më i theksuar se në vendet e rajonit për shkak të peshës më të lartë që zë ky sektor në Shqipëri", thuhet në vlerësimin e Standard & Poor’s

S&P shprehet se, humbjet në të ardhura, shpenzimet shtesë të lidhura me pandeminë, si dhe shpenzimet kapitale të rritura bënë që deficiti në 2020 të zgjerohej në rreth 6.7% të PBB-së, nga 1.9% në 2019.  Agjencia e konsideron të lartë këtë nivelin aktual të borxhit  dhe vlerëson ekspozimin ndaj rreziqeve të mundshme fiskale. Agjencia projekton që raporti i borxhit të përgjithshëm të qeverisë ndaj PBB-së pasi të arrijë në rreth 77% të PBB-së në vitin 2021, pritet të bjerë nga viti 2022 e më tej, ndërkohë që ekonomia rikuperohet, shuhet gradualisht efekti i masave suportuese.

Agjencia shprehet se disa përpjekje të qeverisë do të mbështesin konsolidimin në vitet e ardhshme, sidomos amendimet e fundit të bëra nga autoritetet në ligjin organik të buxhetit të cilat sanksionojnë që qeveria duhet të arrijë dhe të mbajë një balancë primare pozitive prej vitit 2023 e në vijim.

Sipas S&P, autoritetet po ndjekin në mënyrë aktive përpjekjet për të përmirësuar profilin e borxhit publik, i cili aktualisht karakterizohet nga risku i rifinancimit dhe ai i kursit të këmbimit. Maturiteti mesatar i borxhit publik kohët e fundit është rritur, por mbetet relativisht i shkurtër, në 4.5 vjet.

Edhe Banka Botërore pret ecuri pozitive të ekonomisë shqiptare këtë vit. Ata parashikojnë në skenarin më të mirë një rimëkëmbje me 5.1%, pranë parashikimit të bërë nga qeveria për një rritje me 5.5%.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?