Përfaqësuesja e zbulimit amerikan në Senat

Agjencitë amerikane të zbulimit paralajmërojnë ligjvënësit për pasojat e ndërprerjes së ndihmave për Ukrainën

12 Mars, 18:25| Përditesimi: 12 Mars, 18:28

  • Share

Në raportin e përvitshëm mbi vlerësimin e kërcënimeve ndaj sigurisë, të publikuar të hënën, drejtuesit e agjencive amerikane të zbulimit u thanë ligjvënësve se lufta në Ukrainë është në një pikë, ku rezultati i saj do të varet nga ndihma amerikane. Senatorët amerikanë po i bëjnë thirrje udhëheqësve të Dhomës së Përfaqësuesve që ta miratojnë projektligjin për ndihmat e huaja prej 95 miliardë dollarësh, i cili përfshin edhe ndihmat për Ukrainën.

Ukraina po përballet me mungesa të municionit dhe armëve të tjera dhe është në pritje të një raundi të ri ndihmash nga Shtetet e Bashkuara. Një projektligj, që përfshin afër 60 miliardë dollarë ndihma për Ukrainën, është miratuar nga Senati, por ende nuk është hedhur për votim në Dhomën e Përfaqësuesve nga Kryetari i saj republikan, Mike Johnson. Disa senatorë thonë se ky është një gabim serioz.

“Kam frikë se vendimi i Dhomës së Përfaqësuesve për të mos marrë në shqyrtim deri më tani projektligjin, që ofron mbështetje për Ukrainën në luftën kundër agresionit të Putinit, ka qenë një nga vendimet e saj më dëmshme për çështjet e sigurisë kombëtare”, tha Kryetari i Komisionit të Senatit për Zbulimin, Mark Warner.

Agjencitë amerikane të zbulimit thanë të hënën në raportin e tyre të përvitshëm mbi kërcënimet ndaj sigurisë në botë se Presidenti rus Vladimir Putin shpreson në lëkundjen e mbështetjes së Perëndimit për Ukrainën.

“Ne jemi në një kryqëzim shumë të rëndësishëm për Ukrainën, sigurinë e Evropës dhe interesat amerikane afatgjata në botë. Mendoj se me një shtim të ndihmave, të miratuara nga Kongresi, krijohet një mundësi reale e çimentimit të një suksesi strategjik për Ukrainën dhe një humbjeje strategjike për Vladimir Putinin”, tha Drejtori i CIA-s William Burns.

Projektligji për ndihmat e huaja përfshin miliarda dollarë për vendet e rajonit të Indo-Paqësorit për të frenuar agresionin kinez. Drejtorja e Zbulimit Kombëtar, Avril Haines tha para ligjvënësve të hënën se pritet të ketë një rritje të agresionit kinez vitin e ardhshëm.

“Pekini do të vazhdojë të përdorë forcën ushtarake për të frikësuar fqinjët e tij dhe për të përshtatur veprimet e rajonit me përparësitë e tij. Ne presim që Kina të përdorë platforma dhe teknologji më të avancuara për të rritur aftësitë e saj në operacionet në rajon, veçanërisht rreth Tajvanit”, tha ajo.

Por republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve thonë se nuk do të marrin në shqyrtim projektligjin mbi ndihmat e huaja para miratimit të ndryshimeve në ligjet e imigracionit, që do të përmirësonin sigurinë në kufirin SHBA-Meksikë.

“Ne po dërgojmë 8 mijë kilometra larg vendit dhe pa kufizime, paratë e taksapaguesve, të fituara me shumë mund. Ndërkohë, kufiri ynë është i hapur dhe qytetarët amerikanë po vriten në rrugët e vendit tonë. Ky është problemi”, tha ligjvënësit republikan Scott Perry.

Demokratët dhe disa republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve po shqyrtojnë mundësitë alternative të hedhjes në votim të projektligjit mbi ndihmat e huaja, i cili përfshinë edhe 14 miliardë dollarë për Izraelin dhe dërgimin e ndihmave humanitare në Rripin e Gazës./ VOA

G.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?