Agron Alibali

Agron Alibali/ Libri që zbërthen 13 vite karrierë si diplomat të Faik Konicës 

10 Qershor 2018, 08:03| Përditesimi: 10 Qershor 2018, 08:08

  • Share

Disa kohë më parë mora të lëxoj më shumë kërshëri këtë vepër të re në fushën e historisë së diplomacisë, që ka për protagonist Faik Konicën, dhe më një titull shumë intrigues, “Faik Konica-Dritëhjet e një diplomati”, Shtëpia Botuese Argeta LMG.

Në zërin kushtuar kësaj figure atdhetare, shumë të ndërlikuar, që përfshihet në Fjalorin Enciikopedik Shqiptar, shkruhet: ”Shkrimtar, kritik, publicist, eseist, një ndër personalitetet më në zë të kulturës dhe të letërsisë shqiptare”(faqe 1262, vëlimi 2, botimi i Akademisë së Shkencave, 2008).

Më tutje, po në këtë zë shkruhet:”Pas rikthimit të Zogut në pushtet, (dhjetor 1924), mbajti qëndrim pajtues me këtë të fundit dhe më 1926 u emërua prej tij ministër i Shqipërisë në SHBA”.

Në veprën e tij “Faik Konica- jeta në Uashington”, të studiuesit dhe gazetarit të njohur ilir Ikonomi, botuar para disa vitesh në Tiranë, siç është vënë në dukje nga kritika, duke u bazuar në arkivat amerikane, britanike dhe shqiptare, autori hedh dritë mbi marrëdhëniet komplekse të Konicës me Zogun, marrëdhëniet e tij me qeverinë amerikane, miqësinë dhe polemikat mes Konicës e Nolit etj.

Dhe ja, pas kësaj vepre që është vlerësuar shumë nga kritika dhe lexuesi, që shëmbëllen si vazhdim i veprës “Faik Konica, Vepra”, të  Prof. Nasho Jorgaqit, në të cilën pas një studimi të gjatë  dhe të hollësishëm rreth jetës dhe veprimtarisë kryesisht letrare të Konicës, përfshihet thuajse e plotë tërë krijimtaria letrare dhe publicistike e tij, tash lexuesi merr në dorë veprën e Agron Alibali, të përcjellë me një këndvështrim të veçantë, atë të diplomacisë si dhe të kontributit të Konicës në fushën e së drejtës.

Tek lexoja veprën në fjalë, m’u ndërmend se emrin e Konicës e kisha hasur për herë të parë në vitin 1945, kur nuk isha veçse 7 vjeç, në vëllimin “Nën hijen e hurmave”(1924), me përralla nga vendet e Lindjes, që më patën lënë përshhypje të pashlyehme për gjuhën aq popullore, krejtësisht të ngjashme me gjuhën me të cilën gjyshja më rrëfente përrallat tona  shqiptare.

M’u ndërmendën gjithashtu edhe krijime të tjera të Konicës në tekste të leximeve shkollore të fillimit të viteve 40 të shekullit të kaluar, që ua kisha marrë kushurinjve të mi më të mëdhenj, të cilat, ashtu si krijime të Fishtës e shumë shkrimtarëve të tjerë, pas vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri, ishin zhdukur tërësisht prej tyre, si kundërshtarë apo armiq të kombit shqiptar.

M'u ndërmendën leksionet e pedagogëve të mi në fakultetin e gjuhë-letërsisë në UT në vitet 1955-59, ku kam studiuar, në të cilat Konica, vërtet vlerësohej për revistën “Albania”, si dhe për gjuhën e stilin e tij, por kritikohej, sepse kishte tradhtuar interesat e vendit, duke pranuar të bëhej shërbëtor i "regjimit anti-pupullor" të ish-mbretit Zog, aq sa të pranonte edhe ofiqe të larta në fushën e diplomacisë në Amerikën imperialiste, “armike e egër e vendit tonë”.

M’u ndërmend kumtesa që Agron Alibali, pra autori i këtij libri, kishte mbajtur në sallën e një hoteli luksoz të Nju Jorkut, një ditë tetori të vitit 1999, ku i pranishëm isha edhe unë, me rastin e 90-vjetorit të themelimit të gazetës “Dielli", ku Agroni u ndal edhe në ndihmesën që Faik Konica kishte dhënë në këtë gazetë me shkrimet që priteshin me aq dëshirë nga bashkatdhetarët tanë.

Mbi të gjitha, m’u ndërmendën bisedat me Prof. Jusuf Alibalin, publicist, shkrimtar, studiues i njohur, sidomos në fushën e shkencave juridike, që pata bërë me të në fund te viteve 90-të, këtu në Boston ku jetoj prej rreth 20 vjetësh. 

Herë pas here prof. Alibali vinte në këtë qytet, për të vizituar djalin e tij, Agronin që, pasi kishte studiuar edhe në universitetin e famshëm Harvard me tradita të lashta akademike, jetonte dhe punonte aty. Takohesha jo rallë me Jusufin dhe midis të tjerash këmbenim mendime edhe për veprimtarinë e Faik Konicës si shkrimtar, veprimtar i shquar politik i cili, edhe ai, ishte diplomuar në Harvard.

Në ato biseda Jusufi më vinte në dukje se, veç veprës së Jup Kastratit e Nasho Jorgaqit, duhej shkruar të paktën një vepër tjetër, ku të dilte në pah edhe veprimtaria e gjërë dhe shumë komplekse e Faik  Konicës, duke përfshirë edhe atë të diplomatit në Amerikë.

Ai nuk ma shprehu kurrë, por, tek më fliste me aq pasion, mua më dukej sikur ruante në vetvete një dëshirë që, ndonëse në moshë të thyer, kur po mbushte 80 vjetët dhe, për më tepër, ishte edhe i sëmurë, si pasojë e vuajteve të kaluara gjatë internimit prej shumë vitesh në periudhën  komuniste, synonte ta realizonte. 

Me fjalë të tjera, më dukej se kishte synimin e logjikshëm që, duke qenë specialist në fushën e historisë së përgjithshme të shtetit dhe së drejtës, si edhe në fushën e së drejtës ndërkombëtare, dhe nisur nga hulumtimet e tij në shtypin shqiptar të gjysmës së parë të shekullit të 20-të, kishte të dhëna të shumta për Konicën, ndaj ishte e natyrshme që edhe ai, krahas veprave të tjera shkencore, të shkruante një libër kushtuar  veprimtarisë së Konicës, qoftë dhe si diplomat.

Dhe ja e papritura. Siç duket, dëshirën e mësipërme të Prof. Jusuf Alibalit, tashmë e realizonte i biri, Agroni, që kohët e fundit u shfaq para lexuesve me veprën e tij të parë, por madhore “Faik Konica - Dritëhijet e një diplomati”. Libri është nderuar me çmimin për Veprën Studimore më të mirë në Panairin e Librit në Tiranë, 2017, me çmimin "Faik Konica, nga Federata VATRA në SHBA në nëntor 2016, dhe Alibali ka marrë vlerësime të posaçme edhe nga Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë për punën ngulmuese dhe aktin thellësisht qytetar të gjurmimit e kthimit në BKSH të bibliotekës së famshme të Konicës, sipas amanetit të shenjtë të Faikut.

Ndodhi, ashtu siç kishte ndodhur me mua, që, pasi kisha lexuar studimin e vetë Jusufit  “Avni Rustemi para organeve të hetuesisë franceze”, botuar në revistën “Studime historike” (nr.2 1964), isha nxitur të shkruaja dhe botoja romanin “Atentat në Paris” (1978).

Këtë roman mund ta kishtë shkruar edhe vetë Prof. Jusuf Alibali, sepse edhe pse jurist, deri atëherë kishte botuar edhe vepra letrare, por, siç duket, u mjaftua vetëm me këtë studim, i pari deri atëherë kushtuar aktit heroik të Avni Rustemit, që me dy plumba vrau një tradhtar me damkë si Esat pashë Toptani, thua se ma kishte lënë mua stafetën për ta shkruar librin në fjalë.

Botimi i veprës “Faik Konica - Dritëhijet e një diplomati" nuk habit lexuesin, po të marrim parasysh se Agron Alibali ka ndërmarrë prej vitesh studime në fushën e së drejtës ndërkombëtare publike, të së drejtës kushtetuese, së drejtës zakonore, ka bashkëpunuar me Qendrën Ndërkombëtare Woodrow Wilson në Uashington, ka botuar veprën me përmbledhje publicistike “Evropa, Kushtetuta dhe Minoriteti çam” etj.

Veprimtari diplomatike e Konicës në SHBA, ndonëse në një periudhë prej 13 vjetësh (1926-1939), është përfshirë në librin e Alibalit në në shtatë pjesë që ngërthejnë plot 640 faqe me format të madh. Sa shumë fakte, ngjarje, personazhe; sa shumë peripeci plot tension përshkruhen në këtë hapësirë kohore jo kaq të madhe, që dëshmojnë punën me kaq përkushtim të Agron Alibalit për të shpalosur kaq gjerë, kaq thellë dhe me një stil kaq tërheqës veprimtarinë e Konicës si diplomat.

Për këtë qëllim mjafton të përmend disa tituj dhe nëntituj të pjesëve të librit:

“Veprimtaria diplomatike e Faik Konicës”, “Ambasador i kulturës shqiptare", “A duhet busti i Skënderbeut në Chicago?”, “Konsullata në Boston si instrument vëzhgimi”,“Konica kundër hyrjes së Nolit në Amerikë”, “Memorandumi  i Konicës kundër Nolit”, “Çarja e madhe e “Vatrës”, “Zogu i shqetësuar për “Vatrën”, “Marrëdhëniet Shqipëri –SHBA’, “Traktatet dhe akte të tjera  juridiko-diplomatike, ”Marrëdhëniet Shqipëri-Itali”, ", ”Marrëdhëniet Shqipëri-Greqi dhe çështja çame", “Çështja e minoritetit çam në Lidhjen e Kombeve në vitin 1930”, “Një shqiptar në karriken elektrike”, “Pajtimi Noli- Konica”, “Mbretëresha Geraldinë kërkon strehim në legatën amerikane”, “Heshtja fatale e Konicës,” “Dashuria e panjohur e Konicës" etj.

Sidoqoftë, autori përcjell me fakte edhe disa nga dritëhijet e Konicës, ku përmendim:

- Roli jo fort bashkues në gjirin e kolonisë shqiptare në SHBA;

- Hartimi i Listave të Zeza të përkrahësve të Nolit në Boston e rrethe, dhe përdorimi i tagreve konsullore, pasaporta dhe viza, si mjet presioni ndaj tyre;

- Qëndrimi i padenjë ndaj patriotit Kristo Kirka dhe familjes së tij;

- Mungesa e një shikimi tejpamës në veprimtarinë e Legatës, përdorimi i Hotelit luksoz Mayflower si zyrë dhe rezidencë, në vend të blerjes së një trualli e ndërtese për Legatën shqiptare në Uashington, si investim afatgjatë për prani të përhershme të Shqipërisë në SHBA, etj.

Nëse do të ishte gjallë Prof. Jusuf Alibali, (1922-2003), pa dyshim që do ta përgëzonte të birin, Agronin, për këtë libër, sepse në një mënyrë a një tjetër “Konica - Dritëhijet e një diplomati” është edhe vazhdim simbolik i krijimtarisë së tij, dhe pa dyshim, risi dhe në traditat ende të pakta të historiografisë në fushën e diplomacisë shqiptare si dhe në historinë e shtetit dhe së drejtës në Shqipëri.

Kështu emrave të Kastratit, Jorgaqit, Ikonomit, që siç përmenda më sipër, kanë shkruar vepra për Konicën, u shtohet me dinjitet edhe emri i studiuesit Agron Albalit.

Në vend të mbylljes, theksoj se për vetë karakterin poliedrik dhe erudit të tyre, rruga për vepra të tjera dinjitoze kushtuar figurave të shquara të bashkatdhetarëve tanë në Amerikë, që kanë punuar dhe punojnë për begatinë e Shqipërisë, mbetet gjithnjë e hapur.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?