Flijim dhe vetflijim: akte që ngjiten deri edhe në shkallë hyjnore! Pyes veten: të vetofruarit për postin e kryetarit të bashkive vakante, nga radhët e PD, në zgjedhjet e 9 nëntorit, po flijohen apo vetflijohen? Dhe për kë, ose për ç’motiv?
Simbolika e flijmit dhe vetflijimit të çon larg, thellë në kohë: që nga mitologjia e përfaqësuar nga Ifigjenia e Argolidhës e më pas, në periudha të ndryshme historike, si e Maro Kondës; e Argjiros së Labërisë e Norës së Kelmendit; e vajzave të Krujës që u vetëflijuan për të mos rënë në duart e pushtuesve turq, etj.
Po të vetëshpallurit kandidatë për kryetar bashkie të Tiranës Klevis Balliu, Adriana Kalaja, e të tjerë në bashkitë e rretheve, në emër të kujt pranojnë të vetëflijohen politkisht?
Në një farë mase pranohet flijimi i kandidatit zyrtar të PD, që duhet ta bëjë këtë akt jo nga dëshira, por nga interesi i partisë, për të mbuluar krizën e këtij subjekti politik, që nuk mundet të gjejë dot një kandidaturë jo për të fituar, por për të humbur. Një kandidaturë e tillë i duhet PD-së, jo për rivalitet e konkurencë politike me kundërshatin, por si maskë e dordolec për të justifikuar luftën paszgjedhore, me atë strategji e tematikë të përdorur këtu e 35-vjet radhazi, për mosnjohjen e zgjedhjeve, anatemimin e ligjit e të infrastrukturës zgjedhore, për të përhapur re të zeza mbi Shqipërinë dhe shqiptarët, me synim pengimin e rrugës europiane të vendit.
Edhe Ifigjenia e akeasve fillimisht nuk e pranoi flijimin, e donte jetën mbretërore, por ishte ndërhyrja e babait të saj Agamemnonit dhe në veçanti e Kalkantit - parashikuesit të fatit të ushtrisë akease, që nuk do të kishte sukses në pushtimin e Trojës, pa këtë flijim. E ndodhur përballë këtij presioni që lidhej me fatet e vendit, apo se i pëlqeu intriga që po thurej në interes të fitores mbi trojanët, Ifigjenia jo vetëm se e pranoi flijimin, por edhe i lutej priftit Kalkant, që flijimin ta bënin sa më parë, që edhe fitorja të vinte sa më shpejt, por edhe ushtria të mos vuante si në dhjetë vjetët e shkuara.
Kështu po ndodh edhe me kandidatët e zgjedhur nga Kalkanti i PD-së, ku përzgjedhjen e tyre e vlerësojnë si fat dhe dhuratë nga Zoti, nga Kalkanti i PD-së si parshikuesi i fatit të zi të këtij subjekti politik që po shkon drejtë fundit të greminës. Të përfolurit pranojnë kandidaturën për kryetar bashkie, por asnjeri prej tyre nuk përmend fjalën fitore dhe, ca më pak, se si do ta arrijë atë, se cila do të jetë sfida e tyre. Ifigjenia e Argolidhës u sakrifikua për fitore, ndërsa rrambaducët e caktuar nga PD për kryetar bashkie janë të kënaqur vetëm me humbjen.
Mungesa në zgjedhjen e një kandidature serioze të kompletuar, vizionare dhe të besueshme në popull, nga PD-ja, tregon për nivelin, thellësinë, gjerësinë dhe kompleksitetin e krizës ku ndodhet ky subjekt politik: krizë besimi, lidershipi, alternativash, organizimi të brendshëm, filozofie dhe programi, duke u shfaqur në publik si një parti populiste, haxhiqamiliste, pa ngjyrë e pa formë. Ajo nuk po gjen dot kandidatura konkuruese, sepse ishte një parti e ndryshkur që pa u nisur, ku vëndin e meritokracisë historikisht e kanë zënë politika me një gjeografi neopotiste e familjare; ku kriteri i përzgjedhjeve nuk kanë qënë vlerat kulturore, sistemi i karrierës e konkurenca, por verbëria dhe devotshmëria për t’i shërbyer Kalkantit.
Hapjen e mundëshme të partisë e kanë bllokuar dumbabistët. Vendin e aksioneve politike e kanë zënë anarkistët që mbjellin vetëm shkatërrime dhe dhunë. Parimi i qarkullimit të elitave brenda partisë është zëvendësuar me politikat hakmarrëse të egra dhe prepotente deri te përzënia nga partia të kujdo që nuk i është bindur njëshit.
Jeta e mbyllur dhe e errët e PD nuk ka shërbyer si shkollë për përgatitjen e elitave dhe kuadrove të ardhëshëm, ndaj edhe sot po vuan për të gjetur një kandidaturë për kryetar të bashkisë. Është kjo një nga arsyet që edhe disa kuadro të kësaj partie me një farë integriteti dhe kulture politike, nga pasiguria në fitore merren me sofizma. Nga njëra anë argumentojnë mundësitë dhe faktorët që mund të shpien në fitoren e së djathtës në Tiranë, nga ana tjetrër vetë ata nuk pranojnë të shfaqen si kandidatë në zgjedhje.
E gjitha kjo nuk është gjë tjetër veçse një frikë e maskuar për humbjen e sigurt në zgjedhje. Ka edhe donkishotë të tjerë që e quajnë për ulje të pranojnë kandidaturën si kryetarë bashkie, duke menduar se kjo është një thelë e vogël dhe se ata janë për poste më të mëdha se kaq! E dështuar duket se është edhe përpjekja e elitës së PD-së për gjetjen e një kandidati jo politik. Sado i mirë të gjendet kandidati, ata e kuptojnë se mbi kokë do të kenë partinë që do t’i udhëheqë, do t’i kontrollojë dhe do të diktojë punët e bashkisë. Aq më tepër se PD-ja nuk e ka pranuar kurrë shkollën e luajalizmit, të kompromisit dhe bashkëpunimin mes pozitës dhe opozitës, ku mund të përgatiteshin kuadro të tillë.
Për më tepër akoma, të vetofruarit për postin e kryetarit janë persona me precedent anarkist, aktorë dhe drejtues të rebelimeve shoqërore, të dhunës dhe dinamitit, të shkatërrimit të çdo insiative për zhvillimin e qytetit. Si mund të dalin ata të bëjnë fushata zgjedhore, kur në vendet që ata vendosnin dinamitë e organizonin rebelime shoqërore, në ato vende sot janë ngritur vepra të bukura që zbukurojnë qytetin,u shërbejnë qytetarëve, dhe ekonomisë së vendit.
Tregues i krizës së thellë në PD është edhe fakti se, pasi u orvatën në shkretëtirë dhe nuk gjetën një kandidat politik për kryetarë bashkie, tani u kanë shtrirë dorën aleatëve. Që këtu fillon humbja politike e PD-së. Se si mund të jetë kandidati i kërkuar nga aleatët, mjafton të shikosh marrëdhëniet e PD-së me partitë aleate, të cilat nuk kanë qenë kurrë marrëdhënie institucionale të ndërtuara mbi parimin e sovranitetit, të veçorive programore, të parimeve dhe normave demokratike, por marrëdhënie satelitore, aleanca thuajse kriminale, për përfitime korruptive e për të shpëtuar nga ndëshkimet ligjore.
Një kandidaturë për kryetarë bashkie e dalë nga gjëndje të tilla nuk mund të jetë i pëlqyeshëm dhe i votuar në popull, pasi i mungon kredibilitet dhe besimi në menaxhimin dhe drejtimin e komunitetit.
E veçanta e luftës politike brënda PD-së në gjetjen e një kandidature për kryetar Bashkie është se Kalkanti e shikon fushatën si rastin më të mirë jo për të siguruar fitoren në zgjedhje, pasi kjo duket e pamundur, por si mundësinë më të mirë për të eleminuar kundërshtarët politikë brenda llojit. Humbja e tyre është njëherësh edhe eliminim nga politika. Po të njëjtën gje bëjnë edhe grupet rivale brenda partisë kur kërkojnë të fusin në këtë valle flijimi edhe lidershipin aktual, Sali Berishën, Gazmend Bardhin, etj, duke i ftuar të zbresin në fushën e betejës dhe të provojnë kredibilitetin e tyre në popull. Në fakt këtyre u kërkohet flijimi si mundësi për të shpëtuar PD-ja. Por me sa duket, këta, për t’i shpëtuar flijimit të tyre, do të vijojnë të jenë konseguentë në rrugën e tyre të hershme që të flijojnë partinë, ndoshta duke mos marrë fare pjesë në zgjedhje.
Sa shumë ftesa! Dhe, të gjitha, për flijim politik./Tema
Komente
