Guri me piktograme i zbuluar në Fan të Mirditës

Agron Islami: Guri prehistorik i zbuluar në Mirditë, të vendoset në Muzeun Kombëtar

7 Gusht 2019, 07:59| Përditesimi: 7 Gusht 2019, 10:07

  • Share

Një grup specialistësh kanë propozuar që guri i gjetur dy javë më parë në Fan të Mirditës, të merret në mbrojtje dhe të vendoset në Muzeun Historik Kombëtar.  

Por, ky zbulimi i rrallë, duket se ka emocionuar së tepërmi banorët e kësaj zone, të cilët e kundërshtuan idenë e lëvizjes së gurit nga vendi ku u zbulua.

E pyetur rreth këtyre debateve, Kozeta Angjeliu –ish drejtoresha e Trashëgimisë, aktualisht drejtore e Programeve të Zhvillimit të Kulturës në Ministrinë e Kulturës, ka pohuar se çfarë ka ndodhur pas kërkesës për zhvendosjen e objektit arkeologjik në Muzeun Historik Kombëtar.

Objekti me simbole prehistorike konsiderohet i një nga zbulimet më të rëndësishme nga arkeologët dhe renditet krahas “simotrave” të zbuluara në vitet ‘60-‘70 në Xibër të Matit, në Rubik, apo në Lepenicë të Vlorës.

Por, përveç kureshtjes se çfarë mesazhesh mijëravjeçare sjell ky zbulim, të drejtën për t’u entuziazmuar e kanë pasur edhe vetë banorët që e zbuluan dhe lajmëruan institucionet për vendndodhjen e tij. Ata thanë se guri doli në dritë pas punimeve për çeljen e një rruge, ndërkohë që janë sensibilizuar menjëherë të gjitha institucionet e rrethit të Mirditës dhe specialistët e Drejtorisë rajonale të Trashëgimisë në Shkodër.

Pikërisht për të gjitha këto ngjarje, vetëm dy javë pas zbulimit të tij, kanë nisur debatet për vendqëndrimin e tij dhe për mënyrën e ruajtjes e konservimit.

Relacioni i hartuar nga  grup specialistësh dhe arkeologësh të njohur, i është drejtuar Institutit të Monumenteve në Ministrinë e Kulturës për të marrë vendim në mënyrë institucionale për sjelljen e gurit prehistorik të zbuluar në Fan të Mirditës në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar, me qëllim konservimin dhe ekspozimin e tij.

Ky propozim, sipas specialistit të Monumenteve të Kulturës, Agron  Islamit, i ka detyruar arkeologët të përballen me këto debate.

Relacioni drejtuar Ministrisë së Kulturës është hartuar nga Agron Islami, Rudens Ruka, Gjergj Gjuraj, etj, si dhe nga disa përfaqësues të Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë, si dhe të drejtorisë rajonale në Shkodër.

“Në fakt marrja e këtij vendimi do  të ishte me përparësi, por instancat shtetërore meqë po vijojnë  sezonet e pushimeve, së shpejti do ta marrin në shqyrtim”, pohon Kozeta Angjeliu drejtoresha e programeve të Zhvillimit të Kulturës, në Ministrinë e Kulturës. E pyetur sesi ka ecur puna pas këtij propozimi, Angjeliu përgjigjet se “Propozimi është bërë të enjten nga specialistët të Institutit të Monumenteve dhe nga drejtoria rajonale dhe një specialist nga instituti i Arkeologjisë, Rudens Ruka që merret me shkrimet në gurë, por nuk është çuar akoma. Ndërkohë në mbledhjen parë të këshillave të KKR dhe KKA do të jepet statusi dhe do të diskutojmë propozimin se ku do të qëndrojë guri i sapozbuluar.”, pohon Angjeliu.

Sipas Kozeta Angjeliut, vendimi është marrë edhe për faktin se guri është i shkëputur nga toka. “Në fakt në të gjitha konventat është e shkruar që objektet të rrinë në vendin e zbuluar. Por, me sa duket, aty është një vend ku nxirren gurë, gurore, dhe është më i madh rreziku. Edhe unë vetë kam shkuar për të biseduar me ata të pushtetit lokal, dhe ata njëherë kishin frikë se mos ua marrin, se mos u bëhet një e padrejtë, ndaj ka pasur edhe një propozim që të jetë në Muzeun e Mirditës. Një propozim tjetër është që të jetë në Muzeun Kombëtar, meqenëse edhe Myzafer Korkuti në këto shkrimet e para ka shkruar se duhet një vepër origjinale, sepse e vetmja pikturë shkëmbore që është në Muzeun Historik Kombëtar është kopje.”, tha Angjeliu.

.

Kozeta Angjeliu, gjithashtu, ka rrëfyer emocionet e para të zbulimit, ku shprehet ndër të tjera se:

“Që atë ditë që u zbulua, shenjat i konsultuam me shkrimet e arkeologut Muzafer Korkutit, sipas librit të tij kushtuar pikturave shkëmbore të zbuluara deri më sot. Ishte e çuditshme se ishin të ngjashme edhe me pikturat e Lepenicës. Për çudi edhe menjëherë pamë se ishte krejt si ato. Specialistët thonë se pikturat ngjanin me ato të gjetura në Shpellën e  Lepenicës që është në Jug.”, tha Angjeliu duke pohuar më tej se Bashkia e Mirditës ka marrë masat bashkë me Drejtorinë Rajonale të Shkodrës që të jetë në ruajtje, dhe pastaj do të vendoset se ku do të ruhet”.

Simbolet e Gurit në Fan të Mirditës

Ndërkohë specialisti i arkeologjisë Agron Islami, në një intervistë për “Shqiptarja.com”, flet për arsyet e hartimit të relacionit drejtuar MK dhe rëndësinë që ka akti i konservimit dhe ruajtjes në Muzeun Historik Kombëtar të gurit me simbole prehistorike të zbuluar në Fan të Mirditës.

Ky gur ka këto parametra: 2 metra e 30 cm i gjatë, një metër e 70 centimetra i gjerë dhe 1 metër në bazë.

Profesor Islami, a jeni ju pjesë e  grupit që i ka drejtuar një relacion Ministrisë së Kulturës për t’u sjellë në Muzeun Historik Kombëtar guri i zbuluar në Fan të Mirditës. Sa e rëndësishme është marrja e një vendimi të tillë?

-Do të ishte mirë marrja e një vendimi të Këshillit Kombëtar të Restaurimit për zhvendosjen e tij. Mirëpo qëlloi një pjesë e specialistëve janë me pushime dhe unë nuk po marr dot asnjë vendim për lëvizjen e tij. Natyrisht e di që është në kushte jo të mira ruajtja aty ku është zbuluar, sepse e di që është në një lartësi të vogël nga niveli i detit dhe në një pyll të dendur. Dhe nga ana tjetër, unë nuk e kam marrë vesh nëse është thjesht një vend ku nxirreshin pllakat, rasa guri, apo një vend që po hapet një rrugë. Pra, nuk arrita ta kuptoja atë ditë se ç’po bëhej para zbulimit të këtij guri, por natyrisht është i rëndësishëm ky zbulim dhe është i pambrojtur nga çdo lloj agresioni që mund të ketë. Mund të dëmtohet nga ndonjë keqbërës apo ndonjë aktivitet humanitar. Por, unë di që duhet marrë nga ai vendim e duhet çuar për t’u ruajtur diku. Pavarësisht nga kërkesat e banorëve të atjeshëm, që duan ta mbajnë në vendin që u zbulua.

Si janë shprehur konkretisht banorët atje?

-Në fillim ishin me mendimin që të rrijë guri aty ku u zbulua, por po prapë janë ata që e dinë që aty nuk mund ta ruajnë. Unë ua propozova lëvizjen e tij dhe një pjesë e mirë atë ditë që u zbulua. Atë ditë kontaktuam rreth njëzetë banorë të asaj zone, që ishin aty e na prisnin sepse ata vetë na kishin lajmëruar. S’di ç’të them më shumë sepse vendimin s’e marr unë, por do ta marrë patjetër një institucion.

Dimë që në Muzeun Kombëtar ka vetëm një kopje guri me këto simbole. Mendoni se i mungon një zbulim origjinal si ky këtij institucioni?

-Një objekt i tillë origjinal, nuk i mungon vetëm Muzeut Kombëtar, i mungon edhe Muzeut Arkeologjik, por edhe muzeut të zonës. Ndoshta ky gur mund të vihet fare mirë në atë zonë. Vërtetë ky objekt në radhë të parë i takon zonës ku u zbulua, por për mua mirë do të ishte që të behej pjesë e Muzeut Kombëtar ose pjesë e Muzeut Arkeologjik shqiptar.

Meqë ju e shihni këtë zhvendosje nga pikëpamja e rëndësisë që ka si zbulim, mund të na jepni disa detaje më tepër?

-Në fakt për të folur për rëndësinë i përket  arkeologut që po merret me studimin e këtij zbulimi.

Përderisa të gjitha zbulimet simotra kanë qenë të zbuluara vite më parë, a shërben ky gur si një plotësim i mozaikut të kodeve dhe simboleve të një epoke të caktuar?

-Absolutisht që po. Ka një rëndësi të madhe për këtë. Por lëvizja e tij propozohet, sepse ky gur u gjet i shkëputur dhe është e mundur të lëvizet për t’u ruajtur në Muzeun Historik Kombëtar, sepse zbulimet e tjera simotra nuk mund të lëvizin. Ato janë në shpella ose në sipërfaqe shkëmbore të palëvizshme. Megjithatë, ky gur edhe mund të lëvizë, sepse është e mundshme lëvizja e tij.

Profesor Agroni, kur bëhet fjalë për zbulime në prehistori këtu ka një lidhje edhe me arkeologjinë botërore. A zgjon kjo edhe interesin e arkeologëve të huaj?

-Absolutisht që ka rëndësi, por duhet të kemi kujdes të mos ekzagjerohet me natyrën e këtij zbulimi.

Nëse e lëvizni nga vendi ku u gjet, a mundet të bëhet një kopje e njëjtë aty, nëse origjinali vjen në Muzeun Kombëtar?

-Po. Po. Madje, ky ka qenë propozimi im, për ta pasur edhe banorët që e zbuluan atje. Mund të riprodhohet një kopje atje. Në rastin tonë është më mirë të qëndrojë riprodhimi atje dhe origjinali që mund të jetë i rriskuar nga rreziqet e nga kushtet atmosferike të ruhet në muze.  

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • ana: 09/08/2019 13:08

    e mira do ishte qe te dilet ne nje vendim te perkohshem ne meyre qe te ruhet ky objekt..pastaj grupi i punes pergjegjes per deshifrimin e eshkrimeve, dhe daljen e nje vendimimi qe te jete ne te miren e trashegimis dhe ruajtjes se ketij zbulimi

    Përgjigju
  • Kafsha: 07/08/2019 13:40

    Përse duhet te shkoje ne muzè? Të rrije aty ku eshte në vend të tij dhe fshataret që mund të ken aty tok të shperngulen. Shteti pastaj ta rrethoje dhe ta shpallë ashtu si Anglia Stonehenge e saj

    Përgjigju
  • Abcd: 07/08/2019 09:16

    Ai gur duhet te te mbetet aty,i mirrrethuar dhe i menaxhushem per t’u pare nga turistet,sepse vetem keshtu zona behet terheqese dhe per ta. Heqja e gurit dhe sjellja ne Muzeum,eshte si te zhdukesh nje gjurme nen emrin gjoja per ta patur “afer shtepise”,eshte sikur Butrintin ta spostosh tek sheshi “Skenderbej”.

    Përgjigju
    • flora: 29/08/2019 13:04

      Doni te perfundoje si shkrimi ne gur i Lepenices? Ai gur duhet te ruhet dhe te inventarizohet menjehere

    • Alban: 07/08/2019 13:03

      Ti mire e ke, por nuk je ne France, por ne nje xhungel. Me siguri ai guri do perfundoje ne ndonje lokal te zones ose i vandalizuar nga te zones.

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?