Në shtator do të nis ndërtimi i pallateve në Bashkinë e Tiranës dhe në qytetet e tjera të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit. Lajmi është bërë i ditur nga Ministri i Rindërtimit Arben Ahmetaj, i cili tha se për pallatet do të përdoren 30 miliardë lekë.
“Të dyja njësive zbatuese, FSHZH dhe Bashkisë së Tiranës i janë dhënë 300 mln dollarë për ndërtimin e pallateve. Vendimi i Këshillit të Ministrave dje i ka akorduar 140 mln dollar Bashkisë së Tiranës për zonën e 5 Majit dhe të kombinatit. Tre javë më parë i ka kaluar FSHZH-së 16 miliardë dollar për ndërtimin e pallateve në 10 bashki të tjera”, tha Ahmetaj.
Deklaratën Ahmetaj e ka dhënë pas një inspektimi në ndërtimin e banesave në zonën e Baldushkut, ku shoqërohej nga nënkryetari i Bashkisë së Tiranës Arbian Mazniku.
“Këtu jemi në Baldushk, ku janë mbi 50 njësi individuale, do të jetë një zhvillim kolektiv për ti afruar qytetarët në terrene më të favorshme për ata që janë larg qendrës”, deklaroi ministri i Rindërtimit.
Çelësat e këtyre banesave pritet tu jepen qytetarëve para festave të nëntorit.
“Të gjitha shtëpitë e nisura në Tiranë që janë rreth 800 do të përfundojnë përpara festave të nëntorit”, u shpreh Mazniku.
Ndërkohë një ditë më parë Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka hapur tenderin prej 150 milionë eurosh për ndërtimin e pallateve në 10 bashki të vendit.