‘Ai tjetri të vriste në bulevard, ju të vrisni shpresën’/ Rama debat me studentin në Vlorë: Më merrni të keqen (VIDEO)

19 Dhjetor 2018, 12:02| Përditesimi: 19 Dhjetor 2018, 15:33

  • Share

Njëri nga studentët në Vlorë ka debatuar me kryeministrin Edi Rama për kushtet në Shqipëri, jo vetëm në universitet, por edhe mundësitë për punë. I riu tha se në Shqipëri po i vritet shpresa, ndërsa kreu i qeverisë u përgjigj duke thënë se krahasuar me 5 vite më parë gjendja ka ndryshuar. Më pas debati kaloi te cilësia e shërbimeve dhe pasuria e kryeministrit (lexo këtu)

Debati mes kryeministrit Rama dhe studentit në Vlorë
Studenti Andi Bërdëllima: Ai tjetri me vërtetë të vriste në bulevard, të vriste, ndërsa ju po na vrisni shpresën. Më vjen shumë rëndë nga vetja që jam në Shqipëri. Më mirë të lash haletë jashtë vendit, por e di që merr shërbimin, sesa të rrisë këtu. Babai mori kredi për të paguar legalizimin. Ku i ke falas. Ju na dëgjoni, por nuk na e vini veshin, i shkon një politikani, por nuk na shkon ne o vlla, jemi lodhur.

Edi Rama: Ti të më marrësh të keqen mua kur më krahason me të tjerët. Të isha unë si të tjerët ti do kishe ngrënë një plumb në lule të ballit. Po të them një gjë çun, nuk jam këtu në këtë punë se s’di të bëj punë të tjera, jam në këtë punë sepse besoj në këtë gjë që bëj, besoj se ky vend bëhet, por jo duke kërkuar çdo gjë nga shteti.

Studenti Andi Bërdëllima: Ishte motra ime pjesë Komitetit të Helsinkit për të vëzhguar zgjedhjet. Sa shkoi për të votuar, direkt 6 militantë nga 6 parti të ndryshme shkonin kush e kush ta kapte këtë votuesin dhe janë edhe nga partia juaj. Dy vite më parë me premtoi një FRESSH-ist që do më fuste në punë në bashki dhe....nuk e di...të më falë kryetari i bashkisë. Më mori kartën e identitetit sepse kishte shkuar atje ku nuk mbante më dhe thjesht për të anëtarësuar mua në portalet tuaja. Kjo është shumë degjeneruese për mua. Ju thoni ikni, por a do të dalë ndonjë të thotë rrini këtu në këtë vend?

Rama: Njerëzit mund të ikin ose mund të vijnë. Jo unë por një superfuqi të vijë këtu nuk e bën Shqipërinë Gjermani as për 5 vjet e as për 10 vjet. Nuk të ofron dot Shqipëria, Gjermaninë ty. Është kollaj të thuash këta e kanë fajin, por nëse i marrim gjërat me fakte, krahasuar me ku ishim ku e ku, por krahasuar me ku duam të jemi, jemi ku e ku. Në varfërinë që je.. si e bleve Iphone?

Studenti Andi Bërdëllima: E fitova në një konkurs të një organizate.. se me tha edhe motra mos e nxirr.

Rama: Qetësohu hë të keqen vëllai, e kuptoj që është dita jote kjo

Studenti Andi Bërdëllima: Për shtëpinë në Surrel, si e bëtë, meqë keni deklaruar se punoni dhe merrni 2 mijë euro. Unë e justifikoj timen, po e justifikoni ju tuajat?

Edi Rama: Unë nuk kam deklaruar se kam vetëm 2 mijë euro kjo është gënjeshtër. Unë kam qenë emigrant dhe si emigrant, si të gjithë kam bërë edhe unë pjesën time të sakrificave në emigracion. E dyta, shtëpinë jo vetëm që është e deklaruar në cdo detaj, por edhe taksat i ka të gjitha të regjistruara. Mos u bëj si Saliu të keqen vëllai. Pasi në Vlorë mund të pranojmë ti nxjerrim sytë njëri tjetrit, por si të bregut jo si Saliu.


Lajmi kryesor:

Rama takim me studentët në Vlorë: Tani 50% e tarifës paguhet nga shteti, ja si do veprohet vitin tjetër (VIDEO)


  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?