Në 1 korrik 2021, Aishe Haklaj mbërriti në Shqipëri për të bërë padinë në SPAK kundër Sali Berishës, e ndërsa aso kohe në një intervistë ekskluzive të dhënë në Report Tv me gazetarin Denis Minga dha detaje për padinë e saj.
Një pjesë e intervistës
Zonja Haklaj, ju e dini që prej muajsh tashmë ne kemi një strukturë të rëndësishme që bën hetime në Shqipëri, që është SPAK. Ardhja juaj në Tiranë dhe besoj se do të jetë një vizitë e shkurtër apo jo, ka synim çfarë dhe lidhet me SPAK-un, lidhet me Berishën, apo jo?
Po. Unë kam ardhur që të dërgoj denoncimin e familjes sime në drejtësinë e re shqiptare, e cila quhet SPAK.
Denoncim zyrtar.
Denoncim zyrtar, ku kam bërë edhe një prokurë, kemi gjetur edhe dy avokatë dhe do t’i drejtohemi SPAK-ut.
Për çfarë akuze?
Për vrasjet e familjarëve tanë.
Vrasjet nominale apo për ngjarjet? Pra keni ngjarje konkrete që do t’i drejtoheni SPAK-ut?
Po, për vrasjet e katër vëllezërve.
Katër vëllezërve tuaj.
Po. Sepse edhe në qoftë se ata do të thonë që kanë kaluar shumë vite, ne kemi denoncuar vit pas viti, rast pas rasti dhe nuk kemi pushuar, nuk kemi reshtur së denoncuari, pavarësisht se shteti shqiptar nuk ka funksionuar. Dhe ne mendojmë se ai, se shteti shqiptar nuk ka funksionuar si rezultat i ekzistencës së organizatës kriminale të Sali Berishës ose si rezultat i uzurpimit të shtetit shqiptar nga Sali Berisha, nga agjenti, nga i shituri Sali Berisha, nga krimineli, nga vrasësi Sali Berisha, i cili nuk ka vrarë vetëm familjen Haklaj, por ka vrarë, po vret edhe shqiptarët që po vriten sot rrugëve, djemtë e rinj që po vriten sot rrugëve, me armët që ai ka hedhur në rrugë dhe me të gjithë atë urrejtje që ai ka krijuar mes popullit të tij. Ai ka krijuar një urrejtje që ndoshta do të shkojë edhe 100 vite, Saliu nuk do të ekzistojë, ku ajo urrejtje do të vazhdojë të ekzistojë.
Pra, ju po thoni që kjo urrejtje ekziston sot edhe në Tropojë? Ka probleme midis fiseve të rëndësishme, mes familjeve të mëdha në Tropojë për shkak të kësaj urrejtjeje politike?
Ai ka mbjellë një urrejtje të paparë, e cila do të ekzistojë mendoj unë.
Ju do t’i drejtoheni SPAK-ut duke denoncuar Sali Berishën për vrasjen e katër vëllezërve tuaj, apo jo?
Po.
Lajmi kryesor:
Krimet në Tropojë, Berisha nën akuzë për vrasje, krijim bande e terrorizëm, motra e madhe e Haklajve gati 12 orë dëshmi në SPAK: Kemi ende besim te drejtësia
B.K./ReportTv.al