Ajazi: Viktimizimi 'elektoral', si kauza e fundit e opozitës së rrugës

9 Korrik 2019, 22:50| Përditesimi: 9 Korrik 2019, 22:52

  • Share

“Na vodhën votat, na vodhën, mandatet, na mbyllin mikrofonat, na mbyllin derën, na prishin protestën, na kërcënojnë njerëzit, na thyejnë xhamat e makinave, nuk na japin leje për protestat, na blejnë dhe shesin votat, 85 per qind e shqiptarëve janë me ne, nuk na japin fitoren, do ta shihni uraganin popullor”. Këto janë fjali standarde të një opozite që ka shpallur sërish “viktimizimin elerktoral”, të një opozite e cila i ka lodhur dhe po i drobit ndjekësit e saj në kufirin e budallallëkut, duke krijuar alibira dhe histori me “drama zgjedhjesh” kur ajo nuk ishte dhe nuk ka gjasa të jetë kurrë më, pjesë e ndonjë fushate. Dhe kjo natyrisht jo për faj të dikujt, por thjesht për dëshirë të humbësit, për faktin sepse gjithçka me vlerë që kishte dikur kjo opozitë, nuk është më si më parë.

Mungesa e kurajos qytetare dhe civile e Lulzim Bashës për tu dorëhequr dhe për të lënë fushën e lirë, për një garë demokratike brënda PD, e ka kthyer atë parti në më shumë se qesharake. Protesta e fundit, apo dhe ajo e rradhës që do të caktohet pas këndimit të Himnit Kombëtar në oborrin e SHQUP-it, ishin dhe do të mbeten përpjekjet e kota të një kryetari, që mendon dhe beson se “është i pazëvëndësueshëm”, ashtu sikurse mendonte dhe besonte Doktori dikur.

Viktimizimi “elektoral” i opozitës së drejtuar kuturu nga Lulzim Basha dhe ndihmësja e tij Monikë, mbetet teoria dhe praktika e padëgjuar e një force politike, e cila kurrë nuk ka qenë as e lirë dhe as demokratike, gjatë gjithë ekzistencës saj. Mbetja jashtë Parlamentit, ishte një histori e shëmtuar dhe e dhimbshme për një parti, që pikërisht u krijua mbi vlera djathtiste, demokratike dhe jo anarkike e majtiste.

Partia Demokratike e Lulzim Bashës, nuk ka asnjë piklidhje me Partinë Demokratike të dikurshme, të themeluesve e kontribuesve të saj, të atyre që përziheshin dhe rriheshin në mbledhjet e kryesisë dhe Këshillit Kombëtar, të atyre që u etiketuan dhe akuzuan si “spiunë dhe komunistë” nga ata që edhe sot e kësaj dite kanë dosje të “verdha” në kasafortën e hekurt. Opozita e sotme e Lulzim Bashës, është fund e krye, një gjallesë skandalesh, që u mundua të justifikohet me babalet, avdylajt, etj, që natyrisht nuk kishte rrugë tjetër veç dështimit politik.

Shpikja më e fundit e Lulzim Bashës “viktimizimi elektoral”, i parapriu ftesave për qytetarët e këtij vendi, me shpresën se “do ti bashkohen protestës së opozitës në 8 korrik”. Padyshim shqiptarët, madje dhe ndjekësit e lodhur të PD, e kanë braktisur protestën kaotike të një opozite e cila kurrë nuk ka gjasa të bëhet faktor i ndryshimeve dhe reformave në Shqipëri. Tashmë në skenën politike shqiptare, ka ardhur momenti i brezimit të vlerave europiane, duke larguar përgjithmonë personazhet donkishoteske, që e kanë lodhur dhe diskredituar këtë vend.

Ka ardhur koha e largimit të vrullshëm të atyre që nga bodrumet e partive politike, lëshojnë zëra mallkimesh ndaj çdo nisme dhe iniciative që afron Shqipërinë me familjen e madhe europiane. Dita e dhe vota e 30 qershorit, nxorri zbuluar negativitetet e një grushti mediokrrish që e kanë marrë peng PD dhe opozitën, duke u prerë përgjithmonë atyre rrugëtimin drejt një rikthimi të mundshëm në skenën politikë. Tashmë PD (por dhe LSI) përfaqëson veç interesat e milionerëve dhe oborrtarëve të tyre, por kurrsesi ëndrrat e një gjenerate, e cila sot më tepër se kurrë ndjehet e fyer dhe e papërfaqësuar./Tema

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?