Akademia e Shkencave dhe Moikom Zeqo

Akademia e Arteve dhe Shkencave sjell forumin e parë publik të këtij viti: I kushtohet Moikom Zeqos dhe edukimit humanist

28 Qershor 2023, 15:52| Përditesimi: 28 Qershor 2023, 15:57

  • Share

Akademia Shqiptar e Arteve dhe Shkencave promovon krijimtarinë më të mirë kulturore, shkencore, artistike dhe letrare të realizuar në Shqipëri, në trojet shqiptare dhe në diasporë, duke shërbyer si forcë pozitive për gjallërimin e jetës kulturore e shkencore në të gjitha trojet shqiptare dhe për krijimin e një sfere publike, në të cilën shoqëria civile të konsolidohet si një institucion demokratik. Ajo bashkon preokupimet e anëtarëve të saj për dijen teorike dhe rekomandimet praktike, në të mirë të zgjidhjeve racionale të problemeve të shumta të rëndësishme me të cilat ballafaqohet shoqëria e sotme shqiptare.

Forumi i parë publik i këtij viti i Akademisë ju kushtuar edukimit humanist në shoqërinë e sotme u konceptuar dhe realizua si një projekt intelektual i gjerë, si një nismë që synon kryesisht dy qëllime: së pari, të shërbejë si një forum idesh të lira e të hapura për njeriun dhe rolin e tij në shoqëri, të formuluara brenda dhe jashtë barrierave të disiplinave humane dhe disiplinave sociale të veçanta që i studiojnë ato, për të rigjallëruar interesimin e humbur apo për të krijuar një interesim të ri e më të madh për Humanizmin si filozofi, si dije, si frymë, si veprimtari individuale e shoqërore dhe për disiplinat humane në përgjithësi; së dyti, të afrojë rreth saj individë nga të gjitha institucionet akademike apo kulturore e artistike të vendit që, ashtu si  anëtarët e kësaj Akademie, dëshirojnë t’i vënë arsyen, shpirtin dhe përpjekjet e tyre në shërbim të zhvillimit të disiplinave humane dhe të vlerave e aspiratave të Humanizmit.

Kjo veprimtari, u zhvillua ditën përkujtimore të ndarjes nga jeta të Doktorit të Shkencave Moikom Zeqo në ditën e tij. Sa erudit aq edhe humanist, Moikomi, ky intelektual i mirëfilltë i Shqipërisë, “mbeti njeri i vdekshëm, por që rron edhe pas vdekjes ... përmes vepës së tij” (cituar F.Tarifa); njeri që, sipas Senekës (që ai e perifrazonte shpesh), vdekjen e shihte si përgatitje për jetën …. Dhe ai hyri në këtë “përgatitje” për të qënë i përjetshëm!

Punimet e përgatitura nga anëtarët e Akademisë dhe të ftuar, për prezantimet e rastit dhe botim, u lidhën me shkencat sociale që studiojnë atë se çfarë është; disiplinat humane bëjnë të njëjtën gjë por ato përpiqen, gjithashtu, të spjegojnë edhe se çfarë duhet të jetë. Shumëllojshmëria e fenomeneve sociale në një shoqëri të zhvilluar bart shumë enigma, shpjegime e parashikime, por, të shtrosh pyetje e diskutime për ‘to, është gjithmonë diçka e bukur. Një trajtim me përfshirje të gjerë teorike lidhur me humenitetet, solli Prof. Fatos Tarifa në kumtesën: “Disiplinat humane si kujtesë dhe shpresë sociale për një shoqëri më të mirë”.

Qeniet njerëzore kanë kujtesë, aksesi ynë themelor në të kaluarën, por tepër e paqëndrueshme për t’i zënë besë. Kujtesat individuale veniten në kohë, fuqia e kujtesës bie me moshën; shpesh, nostalgjia e bën të kaluarën më të bukur nga ç’ishte (Mark Tuein shprehej se kujtesa e tij u bë më e fortë me kalimin e moshës, aq sa, në vitet e fundit të jetës, ai mund të kujtonte edhe gjëra që nuk kishin ndodhur!). Por, e kaluara është një lloj pasqyre që ndihmon të shohim veten më mirë. Shkenca, në këtë rast, thellon dimensionin e vet humanist. Kjo është edhe një prej arsyeve pse janë të nevojshëm historianët, të cilët janë një lloj tjetër humanistësh, për të ndihmuar të kuptohet e kaluara; që mbështeten si në kujtesën njerëzore, edhe në lloje të tjera të dhënash dokumente, relike, fotografi etj. për të krijuar një tabllo të asaj çka ndodhur në të kaluarën. Njeriu ndihet shpirtërisht më i pasur kur kupton historinë dhe kjo është më shumë kënaqësi. Një trajtim interesant të kësaj ideje sollën Prof. Pëllumb Xhufi me prezantimin: “Mendimi humanist në histori dhe historia si shkollë e edukimit humanist” dhe Prof. G. Hoxha në kumtimin rreth lidhjes së ndërsjelltë midis arkeologjisë dhe humanizmit.

Nëse ka ndonjë gjë, që mund të ketë më shumë peshë mbi njeriun se sa vdekja, kjo është dashuria. Matematika është elegante, shkenca është e bukur, sociologjia informuese, inxhinieria efiçente. Po, që prej kohëve e lashta, njerëzit e kanë kërkuar dhe e kanë gjetur dashurinë tek poezitë, letërsia, arti – shkurt tek esenca e humaniteteve. Ç’ka përbën një bosht themelor human në letërsi dhe që funksionon edhe sot, e përvijoi shkrimtarja dhe publicistja Djana Çuli në studimin: “Letërsia dhe kultura humaniste”.

Njeriu, për disa arsye të çuditëshme, jemi lindur të gjithë me një sens morali. E drejta, si qasje humaniste është “ç’është e vërtetë” dhe jo “ç’quhet e vërtetë”. Ngarkesat që duhet të përmbajë e, njëkohësisht, të përballojë një shtet i së drejtës në një shoqëri humaniste, u shpalosën me argumente bindëse dhe përvijime teorike nga Prof. Ksenofon KRISAFI në hulumtimin krahasues: “Shteti i së drejtës: një qasje humaniste”.

Cili prej nesh nuk ka një sens morali, cili nuk dallon të bukurën kur ndeshet me ‘të? Askush nuk dëshëron të vdesë, cilido ka nevojë për mirësi dhe, pra, gjithkush i komunikon këto ndjenja me anë të gjuhës! Bashkëveprimi social është themelor për përvetësimin e gjuhës së folur, për të mos-harruarit e saj, për shkak se gjuhët që flasim nuk janë kode dhe, përkthimi i tyre, nuk i ngjan ndryshimit të kodeve. Njeriut të zakonshëm mund të mos i shkojë mëndja, por filosofët e dinë këtë gjë; gjuhëtarët e analizojnë këtë dukuri; poetët e jetojnë atë. Studjuesit gjuhëtarë me eksperiencë Prof. Rami MEMUSHAJ dhe Prof. Shefkie ISLAMAJ u prezantuan me studimet e tyre lidhur me ndikimin e gjuhësisë në zhvillimin e disiplinave të tjera humane dhe në aspektin e bashkëveprimit të gjuhës dhe identitetit. Me pasoja të rëndësishme paraqesin shndërrimet demografike dhe sociale në kulturën dhe etnografinë e të folurit, për të cilat saktësoi mjaft përfundime të kohëve të fundit të punimeve të tij Prof. Gjovalin Shkurtaj.

Të jetuarit kërkon kaq angazhim, sa që vështirë se na mbetet kohë për të bërë diçka tjetër. Nga një moment final, jeta nuk do të na marrë më tërë kohën. “Lumturia më e madhe - të jesh i dobishëm për të tjerët”, është një perifrazim një prej shprehjeve të pavdekëshme të Nënë Terezës mbi marrëdhëniet njerëzore. Këtë figurë monumentale të njerëzimit, e përvijoi me mjaft ndjeshmëri Artisti i Meritura dhe Nderi i Kombit Z. Mirush KABASHI në deklaminin poetik: “Nënë Tereza, një simbol i humanizmit”.

 “Poezia është një grackë enigmatike …, përtej çdo përfytyrimi… - shprehet diku Moikom Zeqo, duke vijuar: “ajo është ajo që është, për të mos qënë ashtu siç është”. Prof. Agim VINCA, i çoi më tej këto ide, me fjalën e tij në kumtesën: “Poezia dhe liria si një vlerë themelore e humanizmit”

Një botë pa të drejtat e individit sigurisht, do të ishte më pak se kjo që kemi; por edhe ne, si njerëz, do të ishim më pak se ç’jemi. Njerëzit që e bëjnë jetën të qeshur (të bukur) janë humanistët edhe nëse vetë ata nuk e dinë se si ndodh kjo. Prof.As. Fiona TODHRI u shpreh me punimin: “Humanizmi, të drejtat e njeriut dhe puna sociale”.

E pyesin Louis Armstrong-un: “Çfarë ka muzika jazz që çmohet kaq shumë?” dhe ai përgjigjet “Nëse ke vërtetë nevojë ta bësh këtë pyetje, kurrë nuk do ta mësosh!” Kështu çmohet, si në efir, me gjithë eliksirin e vet, vlera shpirtërore dhe humaniste e muzikës; Ajnshtajni (mjaft larg saj në interesa intelektuale, por shumë pranë saj me shpirt) shprehej: dëgjoje, luaje, dashuroje, vlerësoje dhe mbyll gojën! Dr. Eliona LICI mbylli eventin me kumtesën interesante dhe plot risi trajtimesh me kulturë të spikatur: “Muzika, kultura muzikore dhe edukimi humanist”.

Zoti Robert Radoja, motivuar nga përmbajtja dhe kuptimi i referimeve në forum, mori fjalën duke shprehur disa mendime e konkluzione të tij për artin muzikor dhe të folurit artistik në komunikimin njerëzor dhe vlerën e tyre në promovimin e humanizmit dhe solidaritetit njerëzor.

Me serinë e përvitëshme të forumeve shkencore publike, Akademia Shqiptare e Arteve dhe Shkencave do të instalojë e zhvillojë një komunikim të përhershëm publik, me referime nga personalitete të shquara të saj dhe të tjerë, për të arritur ngritjen e vazhdueshme të standardeve akademike e artistike në çdo fushë të krijimtarisë intelektuale dhe popullarizimin, në tregun global të vlerave dhe ideve, arritjet më të mira të artit, letërsisë, kulturës dhe shkencës shqiptare.

G.MO//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?