Qendra e studimit të arteve të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë vijon me ciklin Lectio Magistralis. Këtë herë do të jetë tema "Njeriu si subjekt i vënë në provë" dhe do të zhvillohet në një bashkëbisedim mes artistit shumëplanësh Lekë Tasi dhe dr. Agron Mesi.
Lekë Tasi studioi violonçel nën drejtimin e pedagogut Valter Kaleti, në vitet 1939-1943, më pas me Ymer Skënderin, në Liceun Artistik në vitet 1949-1952. Punoi si çelist i parë në Orkestrën e Radios dhe të Teatrit të Operës, ku u pushua për motive politike në vitin 1967. I ati, Koço Tasi kishte qenë Anëtar i Parlamentit të Parë Shqiptar pas Kongresit të Lushnjës. Pasi u pushua nga puna, Leka u internua familjarisht në Grabjan të Lushnjës, në vitet 1975-1990. Jetën e kësaj periudhe e ka rrëfyer në librin autobiografik "Grabjani rrëzë kodrave". Të tjera botime të tij janë "Korridori me vetratë" dhe "Dita e durimit".
Me kthimin e tij, pas internimit, në Tiranë më 1990, ai rifillon të pikturojë dhe ka ekspozuar vazhdimisht punët e tij. Lekë Tasi është marrë me pikturë që herët dhe në fillimet e tij karakterizohej nga realizmi. Në vitet ’70 e në vijim, ndikohet nga drejtime moderniste si ekspresionizmi, dadaizmit, surealizmi, naivizmi. Pas viteve ’90 Tasi ndërton kompozime shumëfigurëshe, me skena gjithmonë në lëvizje. Ndihet prirja për t’i vizatuar figurat sipas imagjinatës së tij.
Punimet e Lekë Tasit ruajnë frymën e historive të vogla, anekdotave, lojës, thashethemeve dhe epshores. Ai kërkon të tërheqë e drejtojë vëmendjen nëpërmjet asaj çka vizaton dhe tensioneve të fshehura dhe të padëgjuara që gjallojnë hapësirën.
Veprimtaria do të mbahet ditën e mërkurë më 28 shkurt 2024, ora 11:00, në sallën "Aleks Buda".