Akademia e Shkencave shkarkon drejtorët e Instituteve Albanologjike që ishin në gjysmën e mandatit dhe ka emëruar të rinj.
Vendimi u mor më 10 janar 2024 një ditë pasi u miratua statuti i ri duke bërë që t’I hapet rrugë ndryshimeve
“Mbështetur në dispozitën kalimtare te Statutit të Akademisë së Shkencave miratuar nga Asambleja për caktimin e drejtuesve të përkohshëm të instituteve dhe Qendrës e Studimit të Arteve vendosi:
-Akademiku Adem Bunguri të caktohet drejtor i Institutit te Arkeologjisë,
-Prof. dr. Hamit Kaba caktohet drejtor i Institutit të Historisë
- Akad. Valter Memisha caktohet drejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë
-Prof. asoc. dr. Olsi Lelaj caktohet drejtor i Institutit të Antropologjisë Akad. asoc. Stefan Çapaliku caktohet drejtor i Qendrës së Studimit të Arteve.
Dispozita kalimtare e Statutit të Akademisë së Shkencave, në nenin 47 të ndryshuar të saj ku thuhej se “zgjedhjet e drejtuesve të instituteve dhe të qendrave kërkimore-shkencore sipas këtij statuti bëhen në fund të vitit 2024” u rrëzua që një ditë pas miratimit nga Asambleja e ASH-së. Një njoftim via email, që u ka shkuar disa nga (ish) drejtorëve të Albanologjisë, u ka njoftuar (pa asnjë paralajmërim apo takim paraprak) se në vendin e tyre janë përzgjedhur tanimë të tjerë emra. Asnjë motivacion në letërnjoftim, ku shtohet se krahas drejtorëve janë zgjedhur edhe këshillat shkencorë (këta të fundit ende s’janë bërë të ditur).
Por, pas ndryshimeve të organikës të Albanologjisë të bëra në heshtje të plotë, cili është shpjegimi që jep Akademia e Shkencave?
“Institutet në përbërje të ASA-s bashkë me hierarkinë sipas VKM-së nr.821 nuk ekzistojnë juridikisht dhe administrativisht. Në këtë kuptim të ligjit, nga një janari nuk ka drejtorë, ka vetëm njësi të përhershme të albanologjisë pranë ASHSH-së”, thuhet nga ana e përfaqësuesve të ASH-së.
Pra, sipas shpjegimit të tyre, “drejtorët e mëhershëm e kanë humbur funksionin që pas hyrjes në fuqi të VKM-së në 1 janar”.
“Institutet- sipas VKM-së transferohen. Drejtorët e mëparshëm në këtë formë e humbasin funksionin me hyrje në fuqi të vendimit. Pra ‘i ka shkarkuar’ VKM-a”, thuhet më tej.
Nga ana tjetër studiuesit e ASA-s shprehën pakënaqësi që ndryshimet në Statut për Albanologjinë bëheshin ende pa u botuar VKM-ja në fjalë (nr.821) në Fletoren Zyrtare, përpos faktit se “Ligji për Shkencën” “ende nuk ekziston, pasi sipas programit analitik të qeverisë drafti i ligjit parashikohet të kalojë në qeveri më së shpejti në katërmujorin e dytë 2024, pra pas pranverës së ardhshme”.
Kujtojmë se pas vendimit të qeverisë për “Mbylljen dhe riorganizimin” e “Akademisë së Studimeve Albanologjike pranë Akademisë së Shkencave, kryetari i ASH-së Skënder Gjinushi, u shpreh se nuk do të ketë të shkarkuar.