Gjatë aktivitetit të Akademisë së Shkencave

Akademia e Shkencave, veprimtari shkencore në nder të gjuhëtarit të shquar, Bahri Becit! Promovohet studimi i tij i fundit

4 Mars 2021, 15:04| Përditesimi: 4 Mars 2021, 15:06

  • Share

Në nder të gjuhëtarit të njohur në 85-vjetorin e lindjes, akademikut Bahri Beci, Akademia e Shkencave organizoi një veprimtari shkencore-jubilare si dhe promovoi botimin të tij të fundit 'Lidhja gjuhësore ballkanike nën dritën e të dhënave të gjuhës shqipe'.

Për shkak të kushteve të pandemisë, veprimtaria u zhvillua online, me një pjesëmarrje shumë të kufizuar në sallën “Aleks Buda”.

Kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi përshëndeti organizimin e kësaj veprimtarie dhe vlerësoi personalitetin shkencor të Bahri Becit në mbi gjashtë dekada veprimtari.

Sipas tij akademik Bahri Beci i takon një brezi dijetarësh që u formua në kohën kur në Shqipëri universiteti shtetëror i porsathemeluar, Universiteti i Tiranës, po diplomonte brezin e parë.

Skënder Gjinushi theksoi se dashuria shkencore e Becit për dialektet është e lidhur me vlerësimin e tyre si trashëgimi shpirtërore e popullit, si bazë e burim i përhershëm për pasurimin e gjuhës së sotme të njësuar.

Gjinushi foli për të gjitha pikat kulmore të jetës shkencore të akademikut Bahri Beci, që nis qysh në vitin 1958 dhe vazhdon deri më sot.

Akademik Rexhep Ismajli e uroi nga Prishtina Bahri Becin për botimin e ri dhe në përgjithësi për rezultatet në punën shkencore. Ai u shpreh se e çmon për veprat me natyrë të sintetizuar, duke theksuar dhe falënderuar njëkohësisht akad. Bahri Becin për kontributin e tij në kërkimin e dialekteve në terren dhe që ka dhënë një vepër sintezë të fonetikës së shqipes e më gjerë.

Ndërkohë që Prof. dr. Anila Omari paraqiti recensionin për botimin e fundit gjuhëtarit Bahri Becit.  

Akademik Bahri Beci, pasi mori urimet e përzemërta të kolegëve dhe pjesëmarrësve në veprimtarinë jubilare për 85-vjetorin e tij, i emocionuar falënderoi në mënyrë të veçantë kryetarin e Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushin,.

“Fjala e tij qe për mua ishte një befasi, të them të drejtën. Nuk arrij ta imagjinoj sesi ai, por ndoshta dashuria, e vërteta, shpirti i njeriut që i ndien gjërat, e bënë të mundur një gjë të të tillë; arriti t’i japë punës sime, që për mendinin tim ka qenë me sakrifica, një dimesion gati-gati të paimagjinueshëm edhe për mua vetë. Kështu që unë e falënderoj në mënyrë të veçantë, nuk ishte thjesht një vlerësim i punës së një anëtari të Akademisë së Shkencave, por ishte një njeri, një shpirt që fliste shumë më gjerë, shumë më thellë dhe të them të drejtën më ka emocionuar me fjalën e tij”, – u shpreh akad. Beci, duke falënderuar më tej edhe akad. Pëllumb Xhufin, prof. dr. Seit Mansakun, prof. dr. Anila Omarin, akad. Rexhep Ismajlin dhe akad. Vasil Tolen.

Vepra e akademik B. Becit “Lidhja gjuhësore ballkanike nën dritën e të dhënave të gjuhës shqipe” në gjuhën frënge vjen në vazhdën e punimeve që kanë si objektiv sqarimin e marrëdhënieve gjuhësore midis gjuhëve të Ballkanit. Vendosja e shqipes në vendin që i takon në rrethin e gjuhëve ballkanike, si dhe qëmtimi i tipareve ballkanike më të imta, të pavëna re apo të diskutuara përbëjnë objektin e kësaj vepre. I gjithë punimi përshkohet nga ideja se e tërë historia e gjuhës shqipe shfaqet gjithnjë e ndërlidhur me gjuhët e tjera të Ballkanit, të reja apo të lashta, të gjalla apo të zhdukura. Këto tipare vazhdojnë ende të shfaqin ndërveprim në gjuhët e Ballkanit, prandaj krahas studimit të konvergjencave, duhen parë edhe divergjencat midis këtyre gjuhëve për të kuptuar më mirë se nga rrjedhin dhe ç’prirje do të marrin në të ardhmen.

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?