Akademia e Shkencave vlerësime në 86-vjetorin e Kadaresë! Studiuesi francez: Autori u bën bisht parimeve të realizmit socialist

28 Janar 2022, 20:58| Përditesimi: 31 Janar 2022, 21:19

  • Share

Ditëlindja e shkrimtarit Ismail Kadare është festuar në Akademinë e Shkencave me një konference shkencore me pjesëmarrjen e posaccme të studiuesit francez Jean-Paul Champseix, autor i veprës "Ismail Kadare: një disidencë letrare".

Kryetari i Akademisë Skënder Gjinushi tha se Ismail Kadare është shkrimtari më i rëndësishëm i pesë shekujve të historisë së letërsisë shqipe.

"Me një veprimtari krijuese prej afro shtatë dekadash, që shprehet në një korpus letrar prej mbi 50 romanesh e novelash dhe veprash dramatike, Ismail Kadare është bërë pjesë e vetëdijes qytetare dhe morale të popullit shqiptar, program njohjeje për të huajt të botës së tij, përurues i vlerave më të larta krijuese të vendit të tij", tha Gjinushi.

Jean-Paul Champseix kujtoi periudhën kur jetonte në Shqipëri dhe nisi kërkimin për elementët e veçantë të krijimtarisë së veprës së Ismail Kadaresë.

"Vepra e Kadaresë nuk e humbet lexuesin, sepse megjithëse unë jam munduar ta kontekstualizojë atë në periudhën e vet historike, vepra del nga kjo kornizë në sajë të cilësive të saj. Qysh tek veprat e tij të para “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” dhe “Përbindëshi”, autori u bën bisht parimeve të realizmit socialist. E parë në kontekstin letrar dhe historik në të tashmen e regjimit të Hoxhës dhe egërsinë e tij totalitare, “Pallati i ëndrrave” ishte si një bombë për diktaturën", tha Jean-Paul Champseix.

Në kumtesën e tij Bashkim Shehu përkthyesi i veprës së Jean-Paul Champseix tha se diktatura ka vendin e vet dhe vepra e Kadaresë ka vendin e vet

“Si shpjegohet që një letërsi e tillë ka ekzistuar në një regjim totalitar stalinist. Shpjegimet janë të shumta. Një mund të jetë frika e Enver Hoxhës, ngaqë Kadare ishte i njohur në Francë, frika e Enver Hoxhës se duke dënuar Kadarenë do krijonte një Solzhenitsyn shqiptar dhe artistikisht më të fuqishëm se Solzhenitsyn. Veç asaj ka qenë edhe një dëshirë e Enver Hoxhës që ky shkrimtar i madh t’i skaliste monumentin, gjë që nuk ndodhi” -tha Bashkim Shehu.

Në veprimtarinë dedikuar Ismail Kadaresë referuan edhe akademik Matteo Mandalà, Ilia Lëngu,  Irena Rambi dhe Ilir Yzeiri.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?