Akademia e Studimeve Albanologjike përmbush misionin, ‘Historia e shqiptarëve nga 45’ në '99 në 5 vëllime

3 Gusht 2023, 21:23| Përditesimi: 7 Gusht 2023, 16:37

  • Share

Instituti i Historisë, i drejtuar nga studiuesi Afrim Krasniqi (pjesë e  Akademisë së Studimeve Albanologjike) ka përmbushur misionin, duke sjellë të plotë botimin me 5 vëllime "Historinë e Shqiptarëve gjatë shek.XX". Një punë kolosale që përfshin një grup prej afro 30 studiuesish, dhe ka si drejtues e redaktor shkencor historianin Beqir Meta. 

“Historia e shqiptarëve gjatë shekullit XX (1945–1999)”, i publikuar sot, plotëson kolanën me pesë vëllime, në projektin më të rëndësishëm studimor të Institutit të Historisë në ASA. Ky vëllim trajton një periudhë të gjatë historike: periudhën kohore të sistemit komunist (1945-1990) dhe dekadën e parë të tranzicionit në Shqipëri (1991-1999). Një pjesë e madhe e tematikave, tezave dhe ngjarjeve trajtohen për herë të parë, duke sjellë risi në studimet historike dhe duke hedhur baza të qëndrueshme referimi për të ardhmen.

Pjesë e trajtimit profesional janë jo vetëm historia politike, por edhe zhvillimet në sferat e ekonomisë, arsimit, letërsisë, shëndetësisë, institucionet dhe besimi fetar. Një vend i rëndësishëm i është dhënë historisë së shqiptarëve jashtë kufijve politikë të shtetit shqiptar, atyre në Jugosllavi, të Çamërisë dhe diasporës. Për shumicën e këtyre temave janë sjellë elementë të rinj, si në planin e informacioneve dhe argumenteve shkencore, ashtu edhe në analizat dhe tezat historiografike.

Një risi përbën edhe trajtimi i fundviteve ’80 dhe dekadës së parë të tranzicionit, ndryshimeve politike dhe sociale, proceseve pozitive dhe dukurive negative, hapjes së Shqipërisë dhe emigrimit, proceseve zgjedhore dhe përfaqësuese, si dhe organizimit shtetëror të sanksionuar në Kushtetutë. Një nga vështirësitë specifike të shkrimit të këtij vëllimi përbënte mungesa e studimeve të thelluara dhe profesionale për disa probleme të kësaj periudhe, relativisht të re historike. Për kapërcimin e saj u bënë përpjekje maksimale përmes hulumtimeve të thelluara në arkiva dhe shfrytëzimit të botimeve cilësore të autorëve të huaj dhe shqiptarë.

Drejtues dhe redaktor shkencor i projektit me 5 vëllime është Akademik Beqir Meta, në vëllimin (V) kanë kontribuar autorët: Afrim Krasniqi, Ana Lalaj, Qerim Lita, Bedri Kola, Beqir Meta, Dhurata Shehri, Enriketa Kambo, Erjon Papagjoni, Fehmi Rexhepi, Haki Kasumi, Hamit Kaba, Hasan Bello, Hivzi Islami, Marenglen Verli, Musa Limani, Nysret Krasniqi, Persida Asllani, Robert Gjedia, Sabile Basha, Sonila Boçi, Teodor Kareco dhe Ylber Marku, si dhe përmes punimeve të mëparshme specifike Abdulla Vokrri, Esat Stavileci dhe Lefter Nasi. Gjithashtu kontribuoi stafi teknik M.Balla, M.Mihali dhe E.Agolli.

G.MO//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?