Bota akademike i jep lamtumirën e fundit gjuhëtarit të shquar Kolec Topalli

25 Maj 2018, 17:04| Përditesimi: 25 Maj 2018, 20:21

  • Share

Bota akademike ka humbur një nga studiuesit më të shquar të shqipes. Profesor Dr. Kolec Topallin, njëkohësisht anëtar i Akademisë së Shkencave. Kolec Topalli ka ndërruar jetë pas një sëmundjeje të rëndë dje në moshën 80-vjeçare. Dhimbjen për të e kanë shprehur të gjithë personalitetet e letrave dhe të albanologjisë.

Kolec Topalli nuk iu nda kërkimit shkencor deri në fund të jetës, duke rendur në kërkim të rrënjëve më të thella e më të hershme gjuhës shqipe. Për këtë kontribut të madh me vlera të rralla shkencore dhe enciklopedike dhe për veprat gjuhësore, Kolec Topalli është vlerësuar nga të gjithë gjuhëtarët e njohur. 

Edhe pse në vitet e komunizmit ai ishte i mënjanuar për arsye të biografisë politike, nuk e rreshti punën studimore. Studiuesi fisnik ka mbetur në mendjen e të gjithë kolegëve dhe studentëve të tij, si një shembull i përkushtimit dhe pasionit. Veprat e tij njihet në të gjitha trevat shqipfolëse.


Profesor Dr. Kolec Topalli

Kolec Topalli ka qenë gjithashtu anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, studiues i gjuhës dhe drejtues e funksionar në institucione të larta shkencore. Edhe për gazetarët Kolec Topalli ishte një nga personalitet që të bënte t’i përuleshe me nderim për modestinë që shfaqte, pavarësisht punës e meritave që kishte. Intervistat e tij për gjuhën të fusnin në hulli e pasione më të thella. 


Fjalori etimologjik i gjuhës shqipe i shkruar nga Profesor Dr. Kolec Topalli

Vetëm pak kohë më parë në një intervistë për “Shqiptarja.com”, Kolec Topalli më tregonte historinë e punës së tij 45-vjeçare me Fjalorin Etimologjik të Shqipes, një vepër voluminoze e çmuar dhe e vlertë për të gjithë, e sidomos për ata që ia dedikojnë studimin gjuhës shqipe. 

Pikënisja ime është shumë e hershme, kur kam filluar të studiojë dhe historinë e gjuhës shqipe. I dhënë kryesisht pas fonetikës historike dhe sidomos etimologjisë, jam detyruar të shikojë shumë nga etimologjitë e fjalëve që janë studiuar nga gjuhëtarët e tjerë në vitet e kaluara. Madje, jam detyruar edhe të bëj disa ndreqje të këtyre fjalëve për arsye se studimet në këto fusha që përmenda më dhanë dorë që të rindreq disa nga etimologjitë e tjera.

Kolec Topalli

Për Kolec Topallin, Etimologjia e shqipes merrte një rëndësi të veçantë.

Duhet të dallojmë njëherë etimologjinë shkencore nga ajo që është etimologji popullore, sepse etimologjia është shkenca që dallon burimin e fjalës, origjinën nga kanë ardhur fjalët, nga i kemi marrë. Janë fjalë autoktone të trashëguara apo fjalë të huazuara dhe nëse janë të huazuara nga cilat gjuhë, nëpër cilat rrugë kanë hyrë ato, si janë zhvilluar në gjuhën shqipe më tej, ç’produkte kanë dhënë. Të gjitha këto do të ishin objekt i etimologjisë.

Kolec Topalli

Ai të orientonte të ishe shumë e vëmendshme ndaj deklaratave të sharlatanëve që flasin për origjina e fjalë të çuditshme të shqipes.

Është e vërtetë se edhe njerëzit e thjeshtë kanë dëshirë të merren ndonjëherë me etimologji, por duke mos pasur përgatitje shkencore japin ndonjëherë atë që ne e quajmë etimologji popullore, domethënë japin shpjegime jo të sakta, jo shkencore. Por për gjuhën shqipe ka pasur shpjegime të sakta në këtë fushë. Etimologjia ka qenë dega e parë e lëvruar për gjuhësinë shqiptare duke filluar ndoshta me Franc Bopin.

Kolec Topalli

Duke sjellë argument pas argumenti ai shpesh i drejtohej veprave të gjithë atyre që kishin hedhur rrënjët e etimologjisë së shqipes. Dhe jo pak herë drejtohej tek vepra e Eqrem Çabejt. Kolec Topalli me veprën e tij vërtetë të bind se është një nga pasuesit më të denjë të Çabejt. 

Kështu ai më ka treguar se ka qenë një kohë kur shkencëtarët në fushën e gjuhësisë krahasuese e gjetën me vend të bëjnë edhe krahasime të fjalëve të shqipes, duke i krahasuar me gjuhë të tjera, duke shpjeguar edhe vendin e shqipes në rrethin e gjuhëve indoevropiane, por edhe duke e spikatur si një gjuhë e vetme që s’ka lidhje me shoqet e tjera.

Të gjitha këto të dhëna u bënë të mundura nga studimet etimologjike të shumë gjuhëtarëve në radhët e të cilëve mund të përmendin Gustav Bopin, Franc Majerin, Nobert Joklin, P.Kokun, si dhe Marko Lapjanën dhe Dhimitër Kamardën arbëreshë prej Sicilie. Por mbi të gjitha spikat figura e Eqrem Çabejit.

Kolec Topalli

Studiuesi Kolec Topalli është nderuar me çmimet “Ekselenca Shqiptare 2007” dhe “Çmimi i Albanologjisë 2008”. Një muaj para se të mbyllte sytë, Akademia e Shkencave i dha çmimin për studimin më të mirë të vitit për “Fjalorin etimologjik të shqipes”. Duke i dhënë lamtumirën dijetarit fisnik, bëjmë me dije se homazhet në nderim të Akademikut Kolec Topalli do të mbahen në Akademinë e Shkencave sot më datë 25 Maj 2018 nga ora 10.00-11.00, ndërsa ceremonia mortore do të zhvillohet në qytetin e tij në lindjes në Shkodër. 

Ledi Shamku Shkreli
Gjuhëtarja e njohur rrëfen dhimbjen për Kolec Topallin: “M’ke pikë!”

Lajmi për vdekjen e akademikut Kolec Topalli ditën e djeshme në moshën 80-vjeçare ka hidhëruar ndër shumë të tjerë edhe gjuhëtaren e njohur Ledi Shamku Shkreli.  Kolec Topalli ka dhënë një kontribut të madh në lëmin e studimeve etimologjike të shqipes, dhe la pas, ndër të tjera, veprën e madhe “Fjalori etimologjik i gjuhës shqipe”. Këtë vepër prof. Topalli arriti ta botojë pak para se të largohej prej nesh. Në një status të saj në facebook, Ledi Shamku zbulon me dhimbje detajet që e bëjnë më të çmuar kontributin e gjuhëtarit Topalli që ia dedikoi gjithë jetën gjuhës shqipe. Shamku duke rendur në kujtime e nëpër fjalë të rralla të zbuluara nga Kolec Topalli shprehet e hidhëruar për mungesën e tij, pas largimit nga jeta. “M’ke pikë”,- thotë gjuhëtarja me një shprehje të vjetër të shqipes, duke i drejtuar fjalët si më poshtë: 

“I vyemi Kolec, i nderti prof, i miri koleg, janë tu m’kalu tash para syve t’kujtesës gjithë kohët e jetume me ty. Kohë që udhakojnë prej Shkodre në Zagreb e ndalen gjatë në Tiranë, n’daç te kthina jote e vogël n’Institut, përballë times, ku hyja pa trokit e vija me t’i çatrafillu skedat etimologjike që rendisje në skedar secila mbështjellë në zarfin e vet; e në daç te kafja jonë bri Institutit, ajo me mprojtse të blertë prej shiut, ku mundoheshe me më msu si me duru e me u matë. I shtrenjti Kolec, më kujtohet se m’u deshën plot tri kafe rresht me e kuptu sa hollë e bukur e kishe shpjegu etimologjinë e fjalës “kem” (timjan) duke ia kthy ma në fund atë fjalë tanësisë së fjalëve autoktone të trungut shqip.  Kemi i shejtë ty t’shëlboftë sot e të dhashtë pushimin e pasosun, ndonëse e dij se mendja jote e msume me kureshtu s’ka me pushu as n’atë jetë! Kam me dashtë me t'kujtu mbas sodit me nji poezi shkodrane, që ma pate msu ti, tu ma recitu buzagaz sa herë që për arsye jo shkencore po sigurisht ideologjike a thjesht vulgare, ndigjonim për veten emra si: të shitur, përçarës kombi e kësi marrinash që vijojnë edhe sot. Unë nxefesha e ti fisnikisht qesheshe, e recitoje për hoka njikët poezi:

Po ti mos moj flutur ma/mos ju sjell aq fort kanilit./Nuk e din ç’ka je tuj bà/A mendon se flaka djeg?/
Kish ta dijshe se ta kànde/at drit t’rrejshme që t'pershkohet../e tuj ndjek at mendjen tànde/shkon e ven vedin n’rrezik".
Fort i dashtun Kolec, paç Dritën që pasioni yt u dha fjalëve të terratisuna të shqipes!
M’ke pikë mu në zemër sot, mu thellë n’lug të zemrës!
Kam me t'kërku dasht e padasht, siç kërkohen ata miq e kolegë që kur ikin, nuk të kanë ikë.”

Studiuesi Ardian Vebiu
“I hidhëruar për prof. Kolec Topallin, shuhet një mendje e ndritur”

Studiuesi Ardian Vehbiu e ka vlerësuar prof. Kolec Topallin, si një nga më të shquarit albanologë dhe studiues të shqipes të shekullit tonë. Duke shprehur dhimbjen për largimin e tij nga jeta Vehbiu është shprehur se:

Kam pasur fatin ta njoh personalisht: isha rishtar në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë, kur më qëllonte të shihja këtë zotëri, të veshur me shumë sqimë, që vinte për të studiuar në bibliotekën tonë të pasur, ose priste në korridorin e katit të dytë, për t’u takuar me drejtorin, Androkli Kostallarin. Më patën thënë që ishte mësues në një fshat të thellë të Tiranës, me biografi të keqe, dhe që herë pas here “i jepej leja” për të botuar punimet e veta në revistën “Studime Filologjike.” Aso kohe më bënte përshtypje si arrinte të ishte aq kompetent, pa qenë pjesë e qarqeve institucionale dhe akademike; sikurse më linte mbresë kortezia e tij dhe delikatesa. Ndërsa më tej Vehbiu shprehet se “si dijetar, ishte provë e suksesit të shkollës albanologjike shqiptare dhe vijues i denjë, në më shumë se një drejtim, i arritjeve të brezit të prof. Çabejt dhe prof. Demirajt në studimet për historinë e gjuhës shqipe. Është pasuri e paçmuar e akademisë shqiptare ky realitet i disa brezave me studiues, që kanë mësuar prej njëri-tjetrit dhe kanë ndërtuar mbi arritjet e para-ardhësve; si dhe dëshmi dhe model si mund të krijohet një traditë e pasur edhe në rrethanat e prekariatit intelektual dhe të katundarisë së mendjes.” Vehbiu shprehet veprën madhore “Fjalori etimologjik i gjuhës shqipe”: “që prof. Topalli arriti ta botojë pak para se të largohej prej nesh. Disa vepra të tij të mëparshme, si “Fonetika historike” dhe “Gramatika historike” e gjuhës shqipe, edhe pse madhore në vetvete, duhen kundruar tani si shkallare drejt këtij opus magnum-i, monument i mirëfilltë i akademisë dhe i kulturës kombëtare.”, shkruan Adrian Vehbiu

Akademikë, miq e personalitete të njohura nderuan sot me homazhe Kolec Topallin

Akademikë, familjarë, miq e personalitete nga politika dhe letrat shqipe bënë homazhe këtë të premte në Akademinë e Shkencave për të nderuar Akademikun Kolec Topalli. Miqtë dhe bashkëpunëtorët kanë treguar si e kanë njohur akademikun e shquar.

E kam njohur mjaft herët, para se ai të përfshihej në këto institucione shkencore në fushën e gjuhësisë. Ishte ende mësues në fshatin Nikël të Krujës. Mbaronte mësimin atje dhe pasdite vinte punonte në Bibliotekë të gjithë kohën. Një njeri i librave, studiues i zellshëm, i apasionuar, i dashuruar me historinë e gjuhës shqipe.

Seit Mancaku, gjuhëtar

Kujtimi i tij do të jetë i paharruar jo vetëm te kolegët e tij gjuhëtarë që kanë bashkëpunuar, një prej të cilëve jam edhe unë, që e ndiej veten krenare që kam bashkëpunuar dhe me fat.

Anila Omari, gjuhëtare

Ishte një njeri shumë komunikues, një bashkëpunëtor, një njeri që dëgjonte me vëmendje kolegët, vërejtjet, sugjerimet dhe ndihmonte shumë të tjerët.

Seit Mancaku, gjuhëtar

Profesor Koleci ishte jo vetëm një studiues i shquar, por edhe një njeri fisnik. Ai pranonte vërejtje edhe nga një studiues më i thjeshtë dhe madje ishte mirënjohes dhe falënderonte.

Anila Omari, gjuhëtare

Presidenti Meta u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, miqve dhe familjarëve të Akademikut Topalli, dhe në këto çaste hidhërimi, gjendet shpirtërisht pranë tyre duke u lutur së bashku me ta që i ndjeri të gjejë prehjen e amëshuar.

Shqipëria humbi një akademik e albanolog të shquar, por Prof. Dr. Kolec Topalli la pas një vepër të tërë mbi gjuhën shqipe dhe historikun e saj, e cila do të jetë gjithmonë në duart e studentëve dhe studiuesve të ndryshëm, duke e bërë të paharruar kujtimin dhe veprën e tij.

Presidenti i vendit, Ilir Meta

Ndërsa Sali Berisha ka kujtuar kontributin e tij në lëvizjen demokratike.

Pasardhës i nje familje shkodrane te shkelqyer dhe ne ze per virtutet, ndershmerine, suksesin e saj, Koleci qe ne femijerine e tij do te provonte barbarite e kampeve te perqendrimit te regjimit hoxhist dhe me pas diskriminimin dhe persekutimin e eger klasor. Ai do bashkohej me levizjen demokratike qe ne javet e para te vitit 1991. Pas vitit 1997 Koleci do ti perkushtohej me pasion te madh gjuhesise. Si akademik, kalores i gjuhes tone, me veprat e tij themelore ai do te jepte nje kontribut te pavdekshem ne kete fushe.

Sali Berisha

Kolec Topalli u përcoll në qytetin e Shkodrës, për në banesën e tij të fundit.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?