Nga oborri i kishës së Shën Mërisë në Gëziq të Mirditës, Konferenca Shkencore mbarëkombëtare “Nga Shteti i Arbërit tek Arbëria në shekujt e humanizmit europian” shënoi këtë të martë, 10 tetor, ditën e dytë në Akademinë e Shkencave.
E mbajtur në kuadër të 555-vjetori të vdekjes së Skënderbeut, konferencës me personalitete të botës sonë akademike, i janë bashkuar 40 studiues të huaj. Historiani Pëllumb Xhufi, gjatë kumtesës së tij “Një arbër mes shumë arbërve” preku lidhjen e arbërve Ilirë, që përmenden që në shek. II nga gjeografi aleksandrin Ptolemeu, me arbrit e Mesjetës.
Ai sjell në vëmendje se si teza e kroatit Milan Shuflaj, dhe më pas e gjermanit Georg Stadtmyler, u rimorën nga historianë të tjerë kryesisht grek dhe serbë, që tentuan të forconin idenë e një atdheu të vogël të shqiptarëve të hershëm (trevën e Matit”), edhe më të ngushtë se ç’e përshkruanin autorët bizantinë në shek. XI-XIII. E gjitha kjo, siç shpjegohet nga historianë të huaj që akademiku citon, për tu mohuar shqiptarëve hapësirën etnike të sotme.
Diskutimi i studiueses Lucia Nadin u përqëndrua tek Shqipëria adriatike: nga statutet e qytetarëve tek proceset e asimilimit në Venecia në specifikën e tyre, duke folur dhe për lidhjen kulturore mes Shkodrës dhe Venedikut.
Për të pasuruar të dhënat shkencore mbi Arbrin Mesjetar, në konferencën e mbajtur nga Akademia e Shkencave u sollën në vëmendje një sërë dokumentacionesh jo vetëm historike, por edhe gjuhësore, arkeologjike apo antropologjike.