Agjencia Kombëtare e Mjedisit ka gjobitur sot kryebashkiakun e Krujës, Artur Bushin për mos menaxhimin e mbetjeve në terren, të hedhura në mënyrë të jashtëligjshme vend e pa vend.
Bushi është gjobitur me 500 mijë lekë, gjobë që parashikohet nga ligji “Për menaxhimin e mbetjeve”, i cili është miratuar që në vitin 2011.
Ai është kryebashkiaku i tretë në vend që gjobitet nga AKM, pas ndëshkimit të kreu të bashkisë së Malësisë së Madhe, Tonin Marinaj, dhe atij të Poliçanit, Adriatik Zotkaj për keqmenaxhimin e mbetjeve.
Prej fillimit të muajit nëntor në të gjithë territorin vazhdon Plani i Pastrimit Kombëtar, në koordinim me prefektët e qarqeve dhe të gjitha institucionet qendrore dhe vendore. Në të gjitha takimet e hapura të organizuara me kryetarët e bashkive, Kryeministri Rama dhe Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro kanë kërkuar që bashkitë të buxhetojnë me prioritet pastrimin e territorit, pasi në të kundërt nuk do t’u miratohen buxhetet për vitin 2022, ndërsa mbetjet do të depozitohen vetëm në pikat fundore të licencuara.