Ndërtimi i aksit Elbasan – Lekaj do të kushtojë 148 milionë euro, përfshirë TVSH-në. Autoriteti Rrugor Shqiptar ka nënshkruar kontratat me kompanitë fituese që do të realizojnë punimet në 6 lotet e këtij aksi.
Pas nënshkrimit të kontratave, pritet të fillojnë punimet, të cilat do të zgjasin 24 muaj dhe pritet të përfundojnë në dhjetor të vitit 2026.
Ky segment është pjesë e Korridorit 8, një projekt strategjik për infrastrukturën e Shqipërisë, dhe ka një gjatësi totale prej 40.7 km. Ai do të kalojë përmes rajoneve të Elbasanit (Bradashesh, Shirgjan, Gjegjan, Cërrik, Papër), Peqinit (Pajovë, Shez, Gjocaj, Peqin, Karinë) dhe Kavajës (Sinaballaj, Rrogozhinë). Autostrada do të niset nga afërsia e ish-Kombinatit Metalurgjik në Elbasan dhe do të përfundojë në Lekaj, afër Rrogozhinës. Shpejtësia maksimale e lejuar do të variojë nga 90 deri në 140 km/orë.
Korridori 8 është një nga ndërtimet më të rëndësishme të infrastrukturës rrugore në Shqipëri, ndërsa aktualisht po realizohen punime edhe në 8 lote të tjera të Korridorit 8, nga Elbasani drejt Qafë Thanës. Ndërkohë, për vitin 2025, ky projekt do të marrë një pjesë të konsiderueshme të fondeve për infrastrukturën rrugore, me rreth 8.8 miliardë lekë të planifikuara për financimin e tij.