Një aksident me vdekje është shënuar pak para mesnate në aksin rrugor “Katër Rrugët e Shijakut”, fshati Pjezë.
Dy makina një tip Volkswagen dhe një tip Ford janë përplasur me njëra- tjetrën.
Si pasojë e përplasjes së fortë viktimë ka mbetur një 26-vjeçar banues në Sukth.
"Rreth orës 23:55, në segmentin rrugor “Katër Rrugët e Shijakut”, fshati Pjezë, automjeti tip Volkswagen me drejtues shtetasin F. R., 19 vjeç, banues në Shijak, është përplasur me automjetin tip Ford me drejtues shtetasin G. K., 26 vjeç, banues në Sukth, Durrës.
Si pasojë, shtetasi G. K. ka humbur jetën në vendngjarje.
Ndërsa shtetasi F. R. është transportuar në spital për ndihmë mjekësore, nën mbikëqyrjen e shërbimeve të Policisë, pasi do të vijojnë veprimet procedurale për aksidentin e ndodhur", njoftoi sot policia.
Ndërkohë shoferi tjetër, 19-vjeçar u arrestua për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
"Në vijim të informacionit paraprak, të dhënë mëngjesin e sotëm, mbi aksidentin rrugor te vendi i quajtur “4 rrugët e Shijakut”, informojmë se në vijim të veprimeve procedurale, specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore kryen arrestimin në flagrancë të shtetasit F. R., 19 vjeç, banues në Shijak, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, pasi me automjetin që drejtonte, përplasi automjetin që drejtonte shtetasi G. K., 26 vjeç, banues në Sukth, i cili humbi jetën në vendngjarje", thuhet në një njoftim tjetër të bluve.
Komente
